Ish-kreu i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, i shpallur në kërkim nga policia për shpërdorim detyre, është ndaluar nga policia.
Mësohet se Halili nuk është dorëzuar apo arrestuar në flagrancë, por është shtruar në spital për një problem me zemrën. Pas mbërritjes në Spitalin e Kukësit, mjekët kanë njoftuar policinë, e cila më pas e ka ndaluar.
Halili ka shkuar në spital rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore. Ai tashmë ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe nën ruajtjen e Policisë së Shtetit.
Ish-kryebashkiaku ishte në kërkim për abuzim me fondet e bashkisë, ku ranë në pranga edhe 3 ish-zyrtarë të tjerë.
Halili, ish-demokrati që kaloi me LSI-në, u etiketua nga deputeti Blushi si fenomen i “hasanizimit”.
Ata akuzohen se shfrytëzuan fondet e bashkisë për të sponsorizuar “Klubin e Futbollit të Kukësit”, duke lënë pa derdhur sigurimet shoqërore të punonjësve të bashkisë.
2 qershor 2016 (gazeta-Shqip.com)