Gati 90% e treguesve të matur kanë shënuar përkeqësim. Problemet kryesore mbeten taksat, monopoli, konkurrenca e pandershme dhe burokracia e qeverisë. Përkeqësohen ndjeshëm marrëdhëniet me Tatimet dhe Doganat
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, skepticizmi i sipërmarrjes ndaj klimës së biznesit është rritur. Sipas indeksit, nga 27 tregues të matur në total, vetëm 3 u përmirësuan. Tre treguesit më problematikë të biznesit aktualisht janë niveli i taksave, monopolet dhe konkurrenca e pandershme, si dhe burokracia e qeverisë. Por, për qeverinë, kjo është paradoksale, ndërkohë që shifrat e vetë ekonomisë janë në rritje. “Nga njëra anë, treguesit thonë që kemi rritje ekonomike, ulje të informalitetit, ndërmarrje që shprehen të lumtura për mënyrën sesi kanë ecur financiarisht vitin e kaluar, por klima e biznesit që ato perceptojnë nuk është e kënaqshme”, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.
Treguesi i Indeksit të Besimit të Dhomës Amerikane (ABI) për vitin 2015 shënoi rënie të ndjeshme me 4.83 pikë përqindjeje, duke zbritur nga 42.77 në 37.94 pikë. Kjo është hera e parë që ky indeks shënon rënie, që nga 2012-a, që është viti i parë kur u mat ky indeks. Për vitin 2016 pritet përmirësim i lehtë në 40.61, por që mbetet gjithsesi nën nivelin e vitit 2014, kur ky tregues ka regjistruar nivelin më të lartë.
Indeksi i publikuar mat elementet e rëndësishme të tilla si politikat e qeverisë, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe gjithashtu elemente lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.
Më shumë se 65% e anëtarëve të Dhomës Amerikane e kanë perceptuar klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, ose shumë të pafavorshme, 5.2% e kanë konsideruar klimën si pozitive dhe 29.1% si neutral.
Tre shqetësimet kryesore të raportuar nga të anketuarit për vitin 2015 ishin “niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara” (26.89), “Monopoli dhe konkurrenca e pandershme” (27.8), “Burokracia e qeverisë” (28.17).
Perceptimi për nivelin e përgjithshëm të taksave të zbatuara është ulur gjatë vitit 2015. Rreth 70% e të anketuarve e konsiderojnë nivelin e përgjithshëm të taksave të zbatuara si të pafavorshëm ose shumë të pafavorshëm për bizneset, 26.5% e perceptojnë si neutral, ndërsa 3.8% si të favorshëm ose shumë të favorshëm. Ky është treguesi që ka shënuar dhe rënien më të madhe, nga 34.13 pikë në 2014-n në 26.89 në 2015-n.
Anëtarët e Dhomës Amerikane kanë perceptuar një përkeqësim të trendit të ekonomisë në 2015-n (31.44), krahasuar me 2014 (40.14). Ata presin që rritja ekonomike të ndryshojë sërish trend në 2016-n.
Nga 27 tregues që mat indeksi, vetëm 3 rezultojnë në përmirësim “rregulli dhe siguria në vend”, “niveli i ekonomisë informale” dhe ndryshimi total në punësim. Në indeksin e vitit 2014, niveli i ekonomisë informale kishte qenë shqetësimi kryesor, ndërsa në indeksin e këtij viti, ai është problemi i katërt më i madh.
Marrëdhëniet me autoritetet doganore kanë pasur pikësimin më të lartë në indeksin e vitit 2014. Por në atë të vitit 2015, ky tregues ka shënuar rënien më të fortë, duke zbritur nga 64.9 në 53.79. E njëjta tendencë është dhe për marrëdhëniet e biznesit me autoritetet tatimore, që kanë rënë nga 58.89 në 49.81. Këto janë dhe dy treguesit që kanë shënuar rënien më të madhe në indeksin e vitit 2015.
Rënie kanë shënuar edhe tregues që më parë kishin pikët më të larta, si furnizimi me energji (që gjithsesi mbetet shqetësimi më i ulët i bizneseve), infrastruktura, marrëdhëniet me qeverinë lokale, me gjykatën, me ministritë etj.
Vëzhgimi bëhet ekskluzivisht me anëtarët e Dhomës Amerikane, të cilëve u kërkohet opinion lidhur me ambientin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2015) dhe pritshmëritë për vitin aktual (2016). Ai u zhvillua online gjatë muajit shkurt 2016. Nga 137 anëtarë dhanë përgjigje 128 prej tyre.
Reagimi
Ahmetaj: Përmirësojmë shërbimin doganor dhe fiskal
Pas publikimit të Indeksit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se ka lexuar më vëmendje komentet e Indeksit dhe ato flasin më shumë se shifrat. Sipas tij, tani mund të themi se po kthehet besimi tek ekonomia. “Shumica e kompanive kanë pasur përmirësim në qarkullim në vitin 2015 dhe kanë përfituar rimbursim. Ekonomia në po këtë vit u rrit me 2,62%. Nuk duhet të harrojmë se në vitin 2015 iu kthyem një beteje shumë të fortë që ishte informaliteti, shifrat treguan që ishte e suksesshme dhe ishte e para e këtij lloji e realizuar pas 25 vitesh, për të ka perceptime të ndryshme në terren. Jam optimist për 2016-n. Ne e kemi lënë prapa krizën. Shumë gjëra kemi bërë nga ato që premtuam në 2013-n dhe të tjera kemi për të bërë. Jemi ende në gjysmën e listës. E marr si sfidë kur pritshmëritë tuaja janë të larta dhe kjo po reflektohet edhe këtu. Qeveria nuk ka dyshim që do të duhet të përmirësojë punën dhe këtë po e bën në shumë drejtime, si në procedurat doganore, ashtu edhe në ato fiskale. Biznesi është ankuar se procedurat në dogana kanë qenë të ngadalta, por sot ato janë shumë më të sofistikuara”.
Tabaku
PD: Qeveria propagandon se kemi dalë nga kriza ekonomike
Për Partinë Demokratike, përballë gjendjes së rënduar ekonomike, qeveria e drejtuar nga Rama ka zgjedhur rrugën më të lehtë, propagandën ministrore për t’u mbushur mendjen shqiptarëve që po jetojnë në pranverën ekonomike. Në një dalje për mediat nga selia blu, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha dje se shifrat dhe të dhënat, të zhveshura nga propaganda bajate, flasin krejt të kundërtën. Sipas saj, Qendra Kombëtare e Biznesit tregon për rritje të bizneseve të çregjistruara për këtë 5-mujor me 25%, krahasimisht me një vit më parë. “Të dhënat nga Instituti i Statistikave raportojnë për një rënie të konsumit gjatë gjithë vitit 2015 (paraqitur në grafik) për herë të parë kjo që nga viti 1998. Ndërsa të dhënat e përpunuara nga Komisioni Europian, tregojnë se jemi të parafundit në rajon me rënie prej -0.2% në 2015, në krahasim me vitin 2014. Shqiptarët kanë konsumuar 0.17% më pak se sa viti 2014 gjatë vitit të shkuar dhe aktualisht vendi është në buzë të greminës të deflacionit, kurse qeveria propagandon se kemi dalë nga kriza”, tha deputetja Tabaku.
Ambasadori
Lu: I zhgënjyer nga rënia e ndjeshme e indeksit të biznesit
Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rënien me gati 5 pikë përqindjeje të Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane (ABI), të publikuar dje. Në fjalën përshëndetëse, botuar në fillim të Indeksit të Biznesit 2015-2016, ai shkruan: “Unë mbeta i zhgënjyer kur vura re rënien e ndjeshme të ABI në 2015-n, nga 42.77 në 37.94”. Ai vijon më tej, duke inkurajuar qeverinë dhe gjithashtu edhe liderët e tjerë të biznesit që ta përdorin këtë raport, si një mjet të fuqishëm për t’u përqendruar dhe për t’i dhënë prioritet reformave për klimën e biznesit në Shqipëri. Në letrën e tij, ambasadori shprehet se gjithsesi raporti nuk është tërësisht një lajm i keq. “Unë jam i inkurajuar që anëtarët e Dhomës Amerikane janë optimist për vitin 2016, me pritshmëritë që ABI do të ringrihet në 40.61. Besoj se miratimi me sukses dhe zbatimi i reformës së sistemit gjyqësor, një angazhim për të pasur një regjim rregullator të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm dhe lufta e fortë kundër informalitetit dhe korrupsionit do të bëjnë që ABI të ketë një rritje edhe më të madhe”. Sipas ambasadorit Lu, ABI jep një përmbledhje të shkëlqyer të pritshmërive të komunitetit shqiptar dhe të huaj të biznesit. Ai shton se Ambasada e SHBA do të mbështesë Dhomën Amerikane dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me anëtarët në promovimin e interesave të komunitetit të biznesit amerikan në Shqipëri.