Rama: Flet vetë se kush punon për Gjeneratën Tjetër. Klosi: Të mos reagojmë vetëm kur ka festa
Ky ishte një nga 1 Qershorët më të bukur për fëmijët e kryeqytetit. Kështu kanë deklaruar fëmijë, prindër, gjyshe e gjyshër, por edhe kryebashkiaku i Tiranës dhe kryeministri Rama.
I përuruar pikërisht dje, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, që siç e cilëson Veliaj është dhurata e Bashkisë së Tiranës për fëmijët e kryeqytetit, kryebashkiaku uroi fëmijët për 1 Qershorin dhe theksoi se pavarësisht debatit dhe protestave, hera-herës edhe të dhunshme, ka zgjedhur të shohë përpara për të krijuar më shumë hapësira argëtimi për fëmijët dhe qytetarët e Tiranës. “E di që kemi punuar në kushte të vështira, megjithatë unë dhe Bashkia e Tiranës kemi zgjedhur të shohim përpara, pa e kthyer kokën mbrapa. I di të gjitha kundërshtitë, të gjitha debatet, por sot është momenti që të jemi të bashkuar. Ndodhi ajo që ndodhi, çdo gjë është e falur, por në qytetin e Tiranës duhet të ecim përpara për hatër të fëmijëve, sepse ata janë gjëja më e rëndësishme”, u shpreh Veliaj. Ai nënvizoi se këndi i lojërave, që u çel dje, është një bast i fituar sepse siç kishte premtuar më parë, këndi do të ishte tërësisht në shërbim të fëmijëve, pa kafene dhe asnjë pemë të prerë. Mes të tjerash, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka vendosur të çojë përpara të gjitha projektet e saj transformuese të Tiranës, përfshi këtu ato në infrastrukturë rrugore apo edhe sociale.
“Besoj se të gjithë e kanë provën për atë që thashë përpara 3 muajsh: Nuk ka asnjë kafe, nuk është prerë asnjë pemë. Të gjitha pemët i shikoni me tabelë të matrikuluara dhe të gjitha pemët që ishin ditën e parë janë këtu dhe sot”, u shpreh kryetari i Bashkisë. Më tej, Veliaj theksoi se inatet dhe zënkat e të rriturve nuk duhet të pengojnë zhvillimin e Tiranës. “Inatet e të rriturve nuk duhet të pengojnë progresin e fëmijëve. Inatet e të rriturve nuk duhet të pengojnë projektet që kemi për Tiranën. Sot për mua, ky argument dhe ky debat është i mbyllur dhe për të gjithë ata që donin një referendum ky është referendumi më i mirë, që ne mund të kishim menduar sot për këndin e lodrave”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ndryshe nga aktorët e tjerë politikë, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të urojë fëmijët dhe të përgëzojë kryebashkiakun e Tiranës, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, të shoqëruar me një album fotografik nga këndi i lojërave në parkun e liqenit. Rama tha se këndi i lojërave për fëmijë, pas një konflikti politik, flet vetë se kush mendon e punon për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. “Jeni të ftuar të uroni me një like festën e fëmijëve përmes këtij albumi që pas një konflikti të paparë politik për lodra fëmijësh, flet vetë se kush mendon e punon për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër dhe kush nuk lë gur pa lëvizur duke vazhduar Avazin e Vjetër…”, shkruan Rama. Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, kishte zgjedhur lulishten e Kryeministrisë për të uruar e për të shprehur angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. “Do të vazhdojmë që të mbrojmë të drejtat e fëmijëve dhe të flitet për të drejtat e tyre. E gjithë shoqëria të reagojë si një e tërë dhe të mos reagojë vetëm kur ka festa. Ndaj, sot unë isha me ekipin e ‘Reve të zeza’ dhe bënë me shumë gola”, u shpreh Klosi.