Negociatat
Lu dhe Vlahutin, bisedime 1-orëshe me Ruçin, Xhafajn të PS dhe Ristanin e Halimin e PD
Negociatat
Komisioni i reformës do të ketë paritet, 5 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita
Opozita nuk do të ketë të drejtën e vetos në komision
Kryetari do të ketë votë të dyfishtë, duke mos e përdorur në raste të veçanta
Do të kërkohet marrja e mendimit të ekspertëve ndërkombëtarë, si Komisioni i Venecias
Afati i komisionit të posaçëm është deri në dhjetor të 2015, i miratuar më herët nga Kuvendi
HERION MESI
Ndërkombëtarët bindin mazhorancën të tërhiqet nga qëndrimi i saj, duke i dhënë një paritet komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. Me ndërmjetësimin e fuqishëm të dy prej fuqive të mëdha, të SHBA-së dhe BE-së, është arritur dje që palët të binden për realizimin e një reforme në drejtësi, me konsensusin e dy partive më të mëdha PS dhe PD. Ky është përfundimi i negociatave që zgjatën rreth 1 orë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, dhe që u mundësuan nga këmbëngulja e dy ambasadorëve më të rëndësishëm në Tiranë, atij të SHBA-së, Donald Lu, dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, të cilët arritën të bindin mazhorancën që të tërheqë qëndrimin e saj që ajo të ketë drejtimin e këtij komisioni. Për ndërkombëtarët, një reformë e tillë duhet me patjetër të ketë konsensusin e opozitës në çdo vendim që do të reflektohet direkt në sistemin e drejtësisë, e për këtë arsye është e papranueshme që kjo reformë të realizohet me forcën e kartonit.
Pikat e marrëveshjes
Tashmë që palët arritën të realizojnë pikën e parë të kompromisit për reformën në drejtësi, së shpejti ato pritet të nisin punën për të hartuar ndryshime konkrete ligjore, që do të përmblidhen në një paketë të plotë ligjore në kuadër të kësaj reforme. Dhe sipas marrëveshjes të nënshkruar një ditë më parë, reforma do të nisë vertikalisht nga lart-poshtë, ku ndërhyrja e parë pritet të bëhet në ligjin themeltar të shtetit. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon 93 vota në Parlament, dhe për këtë në marrëveshjen e djeshme, opozita garanton bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në votimin për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Por nga ana tjetër, ajo kërkon përfshirjen në paketën ligjore edhe të propozimeve të saj, për të cilat, po në marrëveshjen e djeshme, mazhoranca garanton se nuk do të pengojë miratimin e drafteve që do të propozohen nga demokratët. Por gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi do të nisë punën nga hartimi dhe miratimi i projektligjeve që prekin institucionet e drejtësisë, e më pas të kalohet në draftet për ndryshimet në Kushtetutë; apo komisioni do të vendosë fillimisht që ndryshimi i Kushtetutës të bëhet para miratimit të projektligjeve të tjera, që do të prekin ligjet për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Presidentit të Republikës, Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, etj. Sipas ndarjes së përcaktuar tashmë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, grupi i ekspertëve që do të asistojë Kuvendin, do të ndahet përkatësisht: një grup që do të jetë për ndryshimet kushtetuese, një për gjyqësorin, një për drejtësinë penale, një për edukimin juridik, një për profesionet e lira brenda sistemit të drejtësisë dhe një grup për strategjinë antikorrupsion.
Konsultat
Diplomatët Lu e Vlahutin, për afro një orë, do të bisedonin me deputetët e mazhorancës që përfaqësoheshin me kreun e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafajn, dhe kreun e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, ndërsa demokratët përfaqësoheshin nga deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani, në Kryesinë e Kuvendit dhe bënë që pas kësaj, PS-ja të pranojë bashkëpunimin me opozitën, duke nisur që nga përfaqësimi i barabartë në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi. E në një kohë kur dy diplomatët do të largoheshin nga Kryesia e Kuvendit pa bërë asnjë koment lidhur me bisedën e zhvilluar pa praninë e mediave, do të ishin politikanët shqiptarë që do të hidhnin dritë mbi çështjet që u diskutuan në këtë takim. Do të ishte kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj ai që njoftoi arritjen e marrëveshjes me opozitën, numrin e barabartë të anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës në komision, pikë që deri dje kishte futur në ngërç palët politike. Por në rastet kur për çështje të caktuara komisioni do të ketë qëndrim të ndarë dhe votat do të jenë 5-5, Xhafaj me cilësinë e kryetarit do të ketë të drejtën e dy votave për të bërë mazhorancën. “Komisioni i posaçëm do të përbëhet nga 10 anëtarë. Vendimi erdhi pas takimit me deputetin Eduard Halimi. Një proces i tillë ka të bëjë me fatet e demokracisë. Pozitive është që edhe opozita bëhet pjesë e këtij komisioni të rëndësishëm që ka në fokus një nga reformat më të rëndësishme në vend, atë në fushën e drejtësisë, shpresoj që roli i opozitës do të jetë konstruktiv, në funksion të nevojës që ka vendi për reformimin e sistemit të drejtësisë”,- deklaroi Xhafaj. Ndërsa Eduard Halimi, i cili do të jetë dhe nënkryetar i këtij komisioni, teksa falënderoi partnerët ndërkombëtarë për punën dhe vendosmërinë e tyre në reformimin e sistemit të drejtësisë në vend, theksoi se shqetësimi i opozitës është i lidhur me standardet. “U ra dakord që komisioni do të jetë paritar, me anëtarë të barabartë, dhe përjashtimisht kryetari do të ketë votën në rast barazimi, duke pasur parasysh që procesi të përputhet me standardet europiane. Ky ka qenë shqetësimi ynë, transparencë, gjithëpërfshirje dhe ekspertizë ndërkombëtare, kryetari do të ketë respektim të padiskutueshëm të këtyre standardeve. Ju falënderoj për arritjen e marrëveshjes. Ramë dakord për të vijuar me këtë reformë sepse kjo është një reformë shumë e rëndësishme, për të cilën opozita për herë të parë në këto 10 vite është bërë pjesë e procesit konstruktiv. Shpresojmë që ky komision dhe tjetri për dekriminalizmin që kryesohet nga opozita të ecin njëkohësisht”- u shpreh Halimi. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi do të shprehej pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës se po negociohet për modalitetet që të mos bllokohet puna në Komisionin për Reformën në Drejtësi pasi u vendos për paritet. Ruçi tha se modalitetet do të përcaktohen me vendim të Parlamentit. “Po zhvillojmë negociata me opozitën. Prezenca e opozitës është e mirëpritur. Kjo s’do të thotë që të përdoret prezenca për bllokim. Po diskutohen modalitetet që të mos bllokohet puna. Do ketë klauzola që barazia të mos bëhet pengesë për komisionin, ndërsa modalitetet do përcaktohen me vendim të Parlamentit”- u shpreh Ruçi. Edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, e cilësoi si marrëveshjen më të rëndësishme që është arritur mes palëve. “Marrëveshje e rëndësishme mes palëve. Falënderoj ambasadorin amerikan dhe atë të BE-së. Dy ambasadorët kanë ndikim të madh në arritjen e marrëveshjes. Reforma në drejtësi nuk është thjesht politike. Duhet t’i referohemi një modeli të rëndësishëm. Opozita ka kërkuar prej kohësh balancim të komisionit”- tha Mediu.
Venecia – Reforma në drejtësi do të bëhet edhe me ndihmën e posaçme të Komisionit të Venecias, roli i të cilit në këtë reformë do të përcaktohet nga vetë Komisioni “Xhafaj”
Analiza – Ekspertët që po asistojnë Komisionin për Reformën në Drejtësi kanë zhvilluar një sërë takimesh analitike në të gjithë vendin ku kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të huaj dhe specialistë të kësaj fushe.
Xhafaj – “Komisioni i posaçëm do të përbëhet nga 10 anëtarë. Vendimi erdhi pas takimit me deputetin Eduard Halimi. Një proces i tillë ka të bëjë me fatet e demokracisë”
Halimi – “Ramë dakord për të vijuar me këtë reformë pasi është shumë e rëndësishme, për të cilën opozita për herë të parë në këto 10 vite është bërë pjesë e procesit konstruktiv”
Ruçi – “Po diskutohen modalitetet që të mos bllokohet puna. Do ketë klauzola që barazia të mos bëhet pengesë për komisionin, ndërsa modalitetet do përcaktohen me vendim të parlamentit”
Mediu – “Reforma në drejtësi nuk është thjesht politike. Duhet t’i referohemi një modeli të rëndësishëm. Opozita ka kërkuar prej kohësh balancim të komisionit në mënyrë që të niste puna”
Donald Lu – “Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i korruptuar dhe disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të dërgohen në burg”
Romana Vlahutin – “BE nuk mund ta ndryshojë Shqipërinë për ju. Sillni besimin në shoqëri, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Shqipëria ka nevojë për reformën, sepse e meriton”
Ky shkrim SHBA dhe BE bindin palët, arrihet konsensusi për reformën në drejtësi u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.