Memaliaj – Për Bashkinë e Memaliajit, KLSH-ja ka kallëzuar ish-kreun e bashkisë, dhe një tjetër punonjës, teksa ka rekomanduar edhe dhënien e masës disiplinore ndaj gjashtë punonjësve të administratës, për shkak të shkeljeve në fushën e procedurave të prokurimit
Pogradec – Për Bashkinë e Pogradecit, KLSH-ja ka paditur gjashtë zyrtarë të bashkisë, si dhe ka rekomanduar dhënien e masës disiplinore ndaj 38 punonjësve të administratës së kësaj bashkie, për shkak të parregullsive të shumta në fushën e procedurave të prokurimit



Kontrolli
44 masa disiplinore, administrata me shkelje në tenderë me dëm 200 mijë euro
Abuzimi – Për Bashkinë e Memaliajit nuk janë kursyer fonde buxhetore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 5 035 490 lekë
Punonjësit e administratës në Bashkinë e Pogradecit i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 22,9 mln lekë, 160 mijë eurosh
Artemisa Hoxha
Pak ditë para lënies së mandateve nga krerët aktualë të bashkive, si dhe shkurtimeve në administratat për 61 bashkitë e reja, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur që të kryejë një auditim në terren, nga i cili kanë përfunduar për ndjekje penale zyrtarë të lartë drejtues të administratave apo dhe ish-kreu i Bashkisë së Memaliajit. Dy bashkitë që janë kapur me shkelje për zbatimin e ligjit “Për prokurimin publik” apo dhe shpërdorim detyre janë ajo e Pogradecit, si dhe ajo e Memaliajit.
Auditimi
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në prokurori ish-kreun e Bashkisë Memaliaj, Lulëzim Meçe, me akuzën se përmes shpërdorimit të detyrës i ka shkaktuar shtetit një dëm prej pesë milionë lekësh të reja. KLSH-ja bën me dije se pas auditimit të kryer në këtë bashki, janë gjetur shkelje në dhënien e tenderëve publikë, në shkelje të ligjit “Për prokurimin publik” në lidhje me mirëpërdorimin e fondeve buxhetore, pasi nuk janë kursyer fonde buxhetore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 5 035 490 lekësh me TVSH. Kështu, duke u bazuar në raste konkrete, institucioni i KLSH-së ka evidentuar se në tenderin me objekt rikonstruksionin e disa rrugëve, bashkia ka skualifikuar njërin nga operatorët ekonomikë, i cili ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët në vlerë se operatori i kualifikuar dhe i shpallur fitues, me diferencë vlerën 4 196 242 lekë, pa TVSH. Për këtë rast, KLSH-ja ka bërë të ditur se nga auditimi mbi ligjshmërinë e arsyeve të skualifikimit, u konstatua se Autoriteti Kontraktor nuk ka kërkuar sqarime, në mënyrë që pas marrjes së tyre të gjykonte për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e kësaj oferte. Rezultoi se kërkesat për skualifikim janë të paargumentuara dhe të pambështetura ligjërisht, sepse kontrata që prokurohet nuk është kontratë shërbimi, por është kontratë e mirëfilltë pune. Për këtë rast, kallëzimi penal për ish-kryetarin e kësaj bashkie dhe një punonjës të saj, përveç akuzës për “shpërdorim të detyrës” i shtohet edhe akuza për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Në të njëjtën kohë, po për Bashkinë e Memaliajit, KLSH-ja ka rekomanduar edhe dhënien e masës disiplinore ndaj gjashtë punonjësve të administratës, kjo për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e procedurave të prokurimit, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën kompleksive prej 5.115 mijë lekësh.
Pogradeci
Kontrolli i Lartë i Shtetit nga auditi në terren për administratat e bashkive, ka evidentuar raste të shkeljeve edhe në Bashkinë e Pogradecit. Për administratën e kësaj bashkie, KLSH-ja ka paditur gjashtë zyrtarë të bashkisë, të cilët i shkaktuan shtetit një dëm prej 160 mijë eurosh. Nga auditi i kryer nga ana e KLSH-së rezulton se këta persona, përmes shkeljeve të shumta, i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 22,9 mln lekësh ose 160 mijë euro. Konkretisht, KLSH-ja ka paditur tre kryeinspektorë dhe tre specialistë të njësisë së prokurimit të Bashkisë Pogradec, ndërsa në total ka rekomanduar dhënien e masës disiplinore ndaj 38 punonjësve të administratës së kësaj bashkie, për shkak të parregullsive të shumta. Me akuzën për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, janë kallëzuar S. Ll., F. B. dhe E. L., që në cilësinë e specialistëve të njësisë së prokurimit në Bashkinë Pogradec, kanë bërë shkelje flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, kanë sjellë mospërdorimin me efektivitet, ekonomicitet dhe eficiensë të fondeve publike në vlerën prej 4 796 530 lekësh. Gjithashtu, kallëzim penal është bërë edhe për K. Gj., A. M. dhe G. Sh., me detyrë kryeinspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Vendor Pogradec, për periudha të ndryshme, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, të cilët kanë favorizuar duke shmangur pagesën e gjobës prej 3 184 815 lekësh, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundërligjshme, ndaj një subjekti privat.
Ky shkrim KLSH, audit bashkive, padi për ish-kryebashkiakun e Memaliajit dhe 6 punonjësve në Pogradec u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.