Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Ish-kolegu i Çopës: Biseda me prokurorin

$
0
0

makina e djegur_1

Oficeri i SHISH, H. B., rrëfen sesi e priti Sokol Nishani, kur i tregoi mesazhin kërcënues: U takuam në zyrën e tij në fund të muajit prill, jam gati të përballem me të

Kërcënimi me SMS – “O spiun, pse s’na dole në takim. Ne e dimë mirë se çfarë ke bërë ti dhe kot fshihesh. Një ditë do t’i paguash të gjitha ama. Do ta bëjmë si atij shokut tënd të ngushtë”

Hetimet e Shërbimit – Ish-oficeri H. B. ka shprehur shqetësimin edhe tek ish-kolegët e SHISH-it. Shërbimi ka nisur menjëherë hetimet, por deri tani nuk ka informacion për ata që e kërcënuan

Bledi Gilaj

Denoncimi i ish-oficerit të SHISH, H. B., koleg me Isa Çopën, nëndrejtorin e SHISH për Durrësin, i cili u gjet i djegur katër vite më parë në Currila, ka sjellë reagimin e policisë dhe prokurorisë, që kanë nisur menjëherë verifikimet mbi këtë rast flagrant. Nga ana tjetër, ish-agjenti i shërbimit sekret ka rrëfyer detajet e takimit të tij me prokurorin Sokol Nishani, i realizuar në fund të muajit prill, ndërkohë që vetë numri dy i akuzës së Durrësit kishte deklaruar më parë se nuk e njihte oficerin e SHISH. Për këtë arsye, H. B. është shprehur se është i gatshëm të përballet me prokurorin dhe që për këtë rast ka dijeni edhe kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika.

 

Dëshmia e H. B. për dy takimet

I kontaktuar nga “Shqip”, ish-oficeri i SHISH (emri i të cilit nuk publikohet për arsye hetimore), ka rrëfyer se takimi me prokurorin Sokol Nishani ka ndodhur në fund të muajit prill dhe që atëherë ai nuk ka kryer asnjë veprim për rastin e tij. “Mesazhet kërcënuese kanë filluar të më vijnë që në gusht të vitit të kaluar. Fillimisht kam tentuar të kontaktoj në telefon me personin që dërgonte mesazhet, por asnjëherë nuk më kanë folur. Më pas, i ndodhur në një situatë, ku gjithçka lidhej me vrasjen e kolegut tim Isa Çopa, kontaktova me një nga ish-eprorët e mi në SHISH, që sot punon në zyrën pranë kreut të SHISH. Takimin e parë, që i kam treguar për mesazhet, e kam bërë në fund të muajit shkurt. Gjatë takimit i tregova mesazhin që kisha në telefon, të cilin e fotografoi dhe më tha se do të vinte në dijeni edhe drejtorin (Visho Ajazi Lika). Pas kësaj, SHISH më ka thirrur sërish në takim dhe më ka orientuar që të paraqitesha në prokurori, pasi do ishte edhe më e lehtë për të hetuar në bashkëpunim për këtë rast. Në fund të muajit prill kam shkuar në zyrën e prokurorit Sokol Nishani, që tashmë mban funksionin e zëvendësprokurorit të Durrësit. Me të kam njohje të vjetra, që në vitet 1985-1986, kur kemi punuar bashkë në Tropojë, madje ka pasur shumë bashkëpunime mes nesh. Në zyrë i kam shpjeguar se më kishte ardhur një mesazh kërcënues dhe ai e mori si diçka kalimtare. Në ato kushte, unë e vura në dijeni se mesazhi kishte lidhje me ish-kolegun Isa Çopa, (Nishani ka drejtuar hetimet për vdekjen e Çopës), por ai refuzoi që unë të bëja kallëzim. Madje më tha se nuk kemi pse regjistrojmë një kallëzim të tillë, pasi nëse të vjen ndonjë mesazh tjetër, atëherë do të hetojmë. Përgjigjja e tij më la të shtangur, kështu që pa ndenjur shumë me të, dola jashtë, duke i thënë se nuk kisha shkuar se frikësohesha për vete, por të paktën mund të ishte ndonjë e dhënë e mirë për hetimet për Çopën”, ka shpjeguar H. B për gazetën “Shqip”.

 

Policia, në shtëpinë e oficerit të SHISH

Mësohet se menjëherë pas publikimit të këtij rasti, policia i ka shkuar në shtëpi, për të kontaktuar me të, duke mundur ta identifikojë se kush ishte, pavarësisht se në gazetën “Shqip” ishte publikuar vetëm me iniciale dhe se prokurori i çështjes pretendon se nuk ka njohje me të dhe nuk e di se kush është ky person. Vetë ai ka rrëfyer se policia i ka shkuar dje paradite në shtëpi dhe ka kontaktuar me familjen e tij. Punonjësit e policisë, pa i dhënë asnjë shpjegim familjes së tij, kanë kërkuar takim me H. B. por ky nuk ndodhej aty, pasi ishte në një vend tjetër. Sa i përket deklaratës së prokurorit Nishani se nuk ka njohje me oficerin, ai është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se është i gatshëm të ballafaqohet me të. “Unë jam i gatshëm të shkoj edhe në polici, por edhe të ballafaqohem me prokurorin që të tregoj të vërtetën time”, ka deklaruar ish-oficeri i SHISH, ndërsa verifikim për këtë rast mësohet se ka nisur edhe Prokuroria e Përgjithshme, megjithëse dje nuk ka bërë ndonjë reagim zyrtar. Gazeta “Shqip” publikoi një ditë më parë faktin se ish-kolegu i Çopës është kërcënuar me jetë nga persona që mendohet se kanë kryer edhe ekzekutimin e parë. Ish-oficeri i SHISH-it, i cili me kërkesën e vet ka dalë në lirim menjëherë pas krimit misterioz, që ende sot mbetet i pazbardhur, mësohet se është kërcënuar nëpërmjet mesazheve telefonike, ndërkohë që Prokuroria e Durrësit nuk ka pranuar të regjistrojë kallëzimin e tij.

Ky shkrim Ish-kolegu i Çopës: Biseda me prokurorin u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>