Presidenti i Republikës në një konferencë të posaçme për shtyp, ka denoncuar dhunën terrorizuese, që sipas tij kryetari i bashkisë, Erion Veliaj ushtroi dje mbi gjykatën e Apelit Administrativ dhe gjyqtarëve në ushtrim të detyrës.
Duke iu referuar protestës së organizuar ditën e djeshme nga kryebashkiaku Erion Veliaj përpara Gjykatës së Apelit Administrativ me pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe zyrtarëve të majtë kundër vendimit që pritej të merrej lidhur me çështjen e kompleksit të pallateve te Diga e Liqenit, Nishani u shpreh se dënon me forcë këtë sulm, që sipas tij jo vetëm është një sulm i instrumentalizuar politikisht, por edhe i realizuar ndaj një pushtetit të pavarur.
“Një çështje për të cilin dua të shpreh shqetësimin tim dhe të ndërkombëtarët lidhet me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës dhe njerëz të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, – tha Nishani. – E dënoj me ashpërsinë më të madhe. Jo vetëm se është një sulm i instrumentalizuar politikisht, por edhe i realizuar ndaj një pushtetit të pavarur. Vlerësoj qëndrimin e ministrit të Drejtësisë dhe besoj se kjo ministri do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit”.
“I kërkoj kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve. Prokurorit të Përgjithshëm zyrtarisht dhe publikisht i kërkoj të nisë hetimet për dhunën e ushtruar dje ndaj gjyqtarëve, – vijoi keu i shtetit. – I kërkoj gjyqtarëve të marrin kurajë e të mbrojnë republikën, që është përgjegjësi themelore e institucione të pavarura, i kërkoj qytetarëve të ruajnë shpresën për të vrarë të keqen”, u shpreh kreu i shtetit.
Një tjetër çështje të cilën kreu i shtetit e ka ndarë me mediat gjatë konferencës për shtyp, ishte një deklaratë e bërë nga kryebashkiaku Erion Veliaj në emisionin ‘Opinion’, ku ai akuzonte presidentin e republikës se kishte grabitur pronën e kishës katolike në Elbasan.
Nishani ka bërë me dije se e ka paditur për shpifje ndaj shtetit, përmes kreut të tij, kreybashkiakun Veliaj, ndërsa i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë, që me ‘përgjegjësi kushtetuese, ligjore, ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë presidentin si hajdut dhe ta dënojë, ose përdhosësin përmes shpifjes, shteti shqiptar ta dërgojë para ligjit.
“Unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Presidentit të Republikës një hajdut. Drejtësia duhet ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin si hajdut dhe ta dënojë atë në bazë të krimit, ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim”.
12 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)