Pas shkrirjes së komunave, Haxhimali: Nga 10 mijë, 1/3 e punonjësve gëzojnë statusin
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri u zhvilluan duke iu referuar ndryshimeve të fundit administrativo-territoriale të vendit nga mazhoranca qeverisëse, por panorama e reformës territoriale mbetet e turbullt, për shkak të mangësive në ndryshimet ligjore, të domosdoshme për të bërë të zbatueshme plotësisht këtë reformë. Është ky gjykimi i Shoqatës së Komunave, e cila po monitoron këtë reformë deri në momentin që organet e reja ekzekutive dhe legjislative vendore të konstituohen. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali, në një prononcim për gazetën “Shqip”, ngre shqetësimin se rreziku më i madh që do të vijë nga implementimi i kësaj reforme mbetet ai i shkurtimeve të vendeve të punës në administratën e pushtetit lokal, ku Haxhimali thekson se më shqetësuese është mungesa e një plani konkret nga ana e qeverisë për këtë kategori. “Është krejt normale dhe e pritshme që çdo reformë, krahas të mirave të pritshme publike, ka dhe anët e saj negative. Për rastin në fjalë, risku i shkurtimeve të vendeve të punës në ish-komuna, por edhe bashki, është i madh. Në një farë mënyre kjo është e pritshme, por ajo që është shqetësuese është mungesa e një plani të qartë masash e shoqëruar me akte nënligjore apo paketa ndihmuese për këtë kategori që u shkurtohet vendi i punës, përpos faktit që Kodi i Punës dhe ligji për statusin e nëpunësit civil mos të jenë përjashtues”, shprehet ai. Duke vijuar më tej, përfaqësuesi i Shoqatës së Komunave thekson gjithashtu se ka një mungesë transparence dhe një lojë jo shumë të ndershme nga qeveria kur thotë se kemi modele të gatshme për njësitë administrative e zyrat me një ndalesë në këto njësi, çka, sipas tij, tregon që qeveria dikton qeverisjen vendore, gjë e cila bie ndesh me Kartën Europiane, ku thuhet se është njësia e qeverisjes vendore dhe këshilli që vendosin vetë për mënyrën e organizimit të saj. “Dhe e dyta, qeveria të mos ndërhyjë në fondin e destinuar për burimet njerëzore të njësisë vendore deri në fund të këtij viti. Pra, buxhetet e planifikuara për burimet njerëzore për vitin 2015 të mos preken nga qeveria, por ato të jenë në dispozicion të bashkisë dhe këshillit. Kohë kjo e mjaftueshme për organet e reja të bashkive që të bëjnë strukturën e re të bashkisë dhe njësive administrative dhe përgatitjen e buxhetit për 2016-n”, shprehet Haxhimali. Nisur nga ky shqetësim, ai u kërkon qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e reformës së re administrativo-territoriale që të bëjnë publik numrin e punonjësve nëpër të gjitha bashkitë dhe komunat aktuale pasi, siç thotë ai, nuk ka asnjë inventar për këtë kategori punonjësish që, siç thotë ai, janë rreth 10 mijë punonjës në administratën vendore, nga të cilët afro tre mijë trajtohen me statusin e nëpunësit. “Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse, meqë kërkojnë të bëjnë faktorin në implementimin e reformës, së pari duhet të bëjnë publik numrin aktual të punonjësve nëpër bashki e komuna, pasi nuk ka një inventar të qartë, të kategorizuar me status të nëpunësit civil, me Kodin e Punës dhe shërbimesh komunale. Në dijeninë time janë afro 10 mijë punonjës në total që punojnë në administratën lokale dhe nga këto 1/3 gëzojnë statusin”, u shpreh Haxhimali. Ndërkaq, lidhur me shkrirjen e komunave, drejtori i Shoqatës së Komunave e cilëson si një gjë të mirë faktin që komunat si funksion do të ekzistojnë, por ai shprehet se do të ishte më mirë që këtyre zyrave t’u jepeshin më shumë kompetenca në zgjidhjen e problemeve të banorëve të këtyre zonave. “Unë do të preferoja që këto zyra të kishin më shumë kompetenca në zgjidhjen e problemeve dhe dhënien e shërbimeve me karakter lokal dhe, sipas rastit, do të doja të jenë sa më operative dhe të mos jenë thjesht mbledhëse të ankesave, pasi do të bien në spiralen e burokracive dhe për pasojë do të ketë zgjidhje të vonuara dhe gravitacion konfliktesh të çfarëdo natyre. Dhe këtu është e paqartë se si do jetë organigrama e njësisë vendore, por dihet që do të ketë në vend të kryetarit një administrator të emëruar”, u shpreh Haxhimali. Për këtë, ai thekson se shoqata që ai përfaqëson i ka bërë një propozim konkret qeverisë, që të caktohej me ligj numri i punonjësve të njësive të reja administrative në ish-komuna. “Ne i propozuam qeverisë që të caktohej me ligj numri i punonjësve në njësitë administrative, duke marrë si kriter popullsinë, një punonjës për 1000 banorë, me diskrecion +- 30% dhe një shtesë sipas natyrës së shërbimeve që do të ketë njësia administrative”, tha Haxhimali.
Ky shkrim “Qeveria të përcaktojë numrin e administratës për 61 bashkitë” u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.