Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Biseda që i vuri prangat gjyqtarit Hoxha: Ke një ‘gjashtëshe’…

$
0
0

Dosja. Nevruz Hajde (sekseri) u takua me djalin e gjyqtarit, për gjyqin me familjen Jazexhiu. Prokuroria sekuestron shumën prej 600 mijë lekësh

Ibrahim HoxhaNjë gjyqtar në Gjykatën e Tiranës është arrestuar me urdhër të kolegëve të tij prokurorë. Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kishte indicie të forta se Ibrahim Hoxha merrte ryshfet, ndërsa filloi një hetim të plotë, duke mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim disa persona, derisa çështja u kopsit. Burime nga akuza qendrore pohojnë se kanë disa përgjime, ku një prej të cilëve flet pikërisht për “një gjashtëshe”, që do i jepet gjyqtarit, me qëllim favorizimin në një proces civil.

Dosja e akuzës

Sipas dosjes, në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, me koordinimin në terren të Policisë së Shtetit, mbrëmjen e 2 majit është kryer arrestimi në flagrancë i gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit…”. “Së bashku me gjyqtarin, është arrestuar në flagrancë edhe i biri i tij, Ledjon Hoxha, si edhe shtetasit Dritan Jazexhiu dhe Nevruz Gajde. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se gjyqtari kishte në shqyrtim një proces civil prone, ku njëra nga palët ishte shtetasi Jazexhiu. Ky i fundit, me qëllim marrjen e një vendimi në favor të tij, ka kontaktuar me shtetasin Novruz Gajde, i cili kishte njohje me gjyqtarin Ibrahim Hoxha”, thuhet në dosje. Sipas saj, në mesditën e datës 2 maj 2016, Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një ”gjashtëshe”, duke e lidhur këtë me procesin civil në të cilin ishte palë shtetasi Jazexhiu. “Pas këtij komunikimi, i dyshuari Novruz Gajde takohet me të dyshuarin tjetër, Dritan Jazexhiu, në lokalin e këtij të fundit dhe shkëmbejnë një sasi parash. Pasditen e së njëjtës ditë, pas një komunikimi me gjyqtarin, i dyshuari Gajde takohet në një automjet me të dyshuarin Ledjon Hoxha. Pasi janë ndarë, në mjetin e Ledjon Hoxhës ndërhyn Policia, e cila po i mbante nën vëzhgim lëvizjet e tyre dhe nga kontrolli gjen në mjet 600 mijë lekë (të reja). Ai është arrestuar në flagrancë, si person i dyshuar për veprën penale të ‘ushtrimit të ndikimit të paligjshëm’”, pohojnë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, në vijim të veprimeve hetimore, nga ana e policisë janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit Ibrahim Hoxha, i dyshuar për ”korrupsion pasiv të gjyqtarit…”; Novruz Gajde, i dyshuar për veprën penale të ”Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm…”; dhe Dritan Jazexhiu, i dyshuar për veprën penale të ”Korrupsionit aktiv të gjyqtarit….”.

Përgjimet

Në regjistrimet dhe vëzhgimet e policisë dhe të prokurorisë, janë regjistruar disa biseda ambientale dhe telefonike, por edhe vëzhgime të tjera. Nëpërmjet tyre është konfirmuar edhe fakti se gjyqtari do të merrte shumën e 600 mijë lekëve të reja, përpara dhënies së vendimit. Ndërkaq, pas dhënies së vendimit që pritej të jepej ditën e djeshme, Hoxha do të merrte edhe 200 mijë lekë të tjera. Në një bisedë telefonike, Dritan Jazexhiu dhe Novrus Gajde, janë regjistruar flisnin për faktin se paratë duheshin përpara vendimit dhe një pjesë pas tij. “Ky i do lekët përpara vendimit. Do një gjashtëshe. Pas vendimit do një dyshe. Ti e di ky i ka qejf xhixhat”, mësohet se i ka thënë Novruz Gajde shtetasit Jazexhiu. Më pas, Jazexhiu i thotë se “A ia dhe paratë gjyqtarit?”, dhe Gajde i përgjigjet, “ja do t’ia jap djalit”. Sipas akuzës, kjo situatë është ndërprerë, pasi vetë Dritan Jazexhiu, ka mbërritur në vendin ku po jepeshin paratë, dhe ka qenë i pranishëm. Burimet e policisë thonë se vetë Jazexhiu, nuk ka pasur besim te Gajde që do t’i jepeshin djalit të gjyqtarit paratë. Nga ana tjetër, vetë djali i gjyqtarit po ashtu nuk ka pasur besim se sekseri Gajde do t’ia jepte paratë aq sa ishin kërkuar. Në këtë kohë kanë ndërhyrë edhe efektivët e policisë, duke bërë arrestimin e të tre personave të dyshuar dhe më pas edhe të gjyqtarit Hoxha.

Dëshmitë në polici

Gjyqtari Ibrahim Hoxha, djali i tij, Ledion Hoxha, me profesion jurist, sekseri Novruz Gajde dhe Dritan Jazexhiu janë justifikuar para prokurorisë. Ata janë përpjekur të përdorin si alibi për marrjen e parave, blerjen e një veture. Megjithatë, Novruzi dhe djali i gjyqtarit kanë rënë në kundërthënie për modelin e veturës. Fillimisht është pyetur gjyqtari Ibrahim Hoxha. Në prani të dy avokatëve, gjyqtari ka pranuar se kishte pasur ndërhyrje nga miku i tij, Novruz Gajde, për të ndihmuar në një çështje, me të interesuar Dritan Jazexhiun. Po ashtu ai ka pohuar se është takuar, por ka pohuar se pavarësisht kësaj nuk ka pranuar të bëjë pazare. Më tej ai ka pranuar se njihet me Gajden që prej 25 vitesh nga koha, kur ishte oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Beratit dhe Gajde ishte polic i thjeshtë. Madje, gjyqtari ka pohuar se i kishte premtuar këtij të fundit për të ndërhyrë me qëllim për ta rikthyer në polici. Ndërkaq, hetuesit më pas pyetën djalin e gjyqtarit. Ai ka pohuar se nuk bëhej fjalë të ketë kërkuar apo të ketë marrë para me qëllim ndikimin në ndryshimin e vendimit nga babai i tij. Në lidhje me paratë juristi Ledion Hoxha, ka pohuar se i kishte marrë pasi donte t’i shiste veturën e tij, Novrus Gajdes, një veturë luksoze “Mercedez- Benz”, me vlerë rreth 15 mijë euro. Nga verifikimi rezulton se në dokumente mjeti ishte i djalit të xhaxhait të Hoxhës. Kur është pyetur Gajde ka pohuar se donte të blinte një autoveturë “Volkswagen Sharan”. Më pas është pyetur Dritan Jazexhiu, i cili ka mohuar t’i ketë dhënë para, Novrus Gajdës, për të ndërhyrë te gjyqtari Ibrahim Hoxha. Por më tej ai ka pohuar se kishte takuar Gajden.

 

Prokuroria

Nis hetimi pasuror ndaj gjyqtarit Ibrahim Hoxha

Prokuroria dhe policia kanë nisur një hetim pasuror ndaj gjyqtarit Ibrahim Hoxha. Sipas burimeve të policisë, vetura “Mercedez- Benz”, e sekuestruar djalit të gjyqtarit, Ledion Hoxha, mësohet se kalon vlerën e 15 mijë eurove. Ajo ishte regjistruar në emër të djalit të xhaxhait të tij. Madje në momentin e bllokimit të policisë, djali i gjyqtarit, është përpjekur të shmangë këtë veprim, duke argumentuar se mjeti ishte i djalit të xhaxhait të tij. Pas verifikimit, policia ka zbuluar se në 6 muajt e fundit të gjitha gjobat që i ishin vendosur kësaj makine nga policia rrugore, ishin në emër të Ledion Hoxhës. Ndërkaq, hetuesit zbuluan po ashtu se Hoxha, kishte edhe një veturë tjetër sportive, regjistruar në emër një personi tjetër. Ndërkaq, burime të policisë thanë se gjyqtari Ibrahim Hoxha, kishte edhe një lidhje tjetër me Dritan Jazexhiun, personi që do të përfitonte nga vendimi gjyqësor këtë të martë në orën 09:30. Jazexhiu ishte arrestuar pak muaj më parë nga policia, për vjedhje energjie. Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 2 vjet burg. Por gjyqtari në një proces që vijon, e ka lënë atë me masën detyrim paraqitjeje.

 

PRECEDENTËT – Kohët e fundit janë arrestuar disa gjyqtarë dhe prokurorë. Para pak muajsh, u arrestua prokurori Haxhi Giu për ryshfet. Më parë, ishte ndaluar prokurori Rasim Dodaj, ndërsa në pranga përfundoi edhe Petrit Vukaj. I pari hetohet me masën arrest me burg dhe dy të tjerët, hetohen në gjendje të lirë. Ndërkohë, më parë janë arrestuar një gjyqtar në Pukë dhe një në Lezhë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>