“Ndeshja e dronit”
Por rezultati i ndeshjes mund të apelohet vetëm nga UEFA
Federata Serbe e Futbollit ka bërë të ditur se nuk do të pajtohet me vendimin e dhënë nga CAS për ndeshjen Serbi-Shqipëri, që u ka dhënë 3 pikët kuqezinjve dhe praktikisht ka eliminuar nga turneu serbët. Fakti se rezultati i ndeshjes shkoi në favor të Shqipërisë dhe mbeti në fuqi heqja e tri pikëve ndaj Serbisë, ka inatosur serbët, të cilët këtë radhë kanë akuzuar Shqipërinë për ndikim politik. Ata kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen instancës së fundit të gjyqësorit që u ka mbetur, Gjykatës Supreme të Zvicrës, ku mund të ankimohen vendimet e CAS, edhe pse kryesisht për çështje procedurale. Por fakti se apelimet e bëra në CAS kanë qenë të ndara, bën që pala serbe të kërkojë detyrimisht edhe ndihmën e UEFA-s, e cila është e vetmja që në këtë çështje mund të apelojë rezultatin përfundimtar të takimit të 14-tetorit.
Deklarata
Pak orë pasi CAS i Lozanës dha vendimin e tij, Federata Serbe e Futbollit (FSS) doli me një deklaratë për shtyp duke sulmuar ashpër këtë organ juridik, të cilin e përshkroi si të ndikuar politikisht. Duke luajtur rolin e viktimës, pala serbe pretendonte se ishte dëmtuar pa të drejtë nga dhënia e ndeshjes në tavolinë për kombëtaren shqiptare. “Duke u përballur me vendimin e CAS në Lozanë, i cili përbën një precedent, ne guxojmë të themi se ai është një turp për ligjin dhe drejtësinë. Kishte dukshëm ngjyrime politike dhe kjo është skandaloze për futbollin europian dhe botëror. FSS dëshiron të theksojë se padrejtësia e CAS ishte selektive kundër Serbisë dhe futbollit serb”, shkruhej në këtë reagim.
Sipas palës serbe, droni mbetej “provokimi i paprecedentë” me një konotacion të qartë politik. FSS pretendon se simboli i shfaqur në banerin në dron ishte dënuar nga të gjithë në futbollin botëror dhe rajon, me përjashtim të CAS të Lozanës. “Ky vendim është i njëanshëm dhe sulmon të gjitha përpjekjet që FSS dhe shteti serb kanë investuar për të ndërtuar një atmosferë të mirë në rajon. Si mund të cilësohet “simbol patriotik” një flamur i cili është një halë në sy për shumë kombe në këtë rajon?”, shkruhej në këtë reagim ku pala serbe ngriti teorinë e komplotit ndërkombëtar kundër saj. “CAS simpatizoi me FSS dhe lojtarët, por në të njëjtën kohë deklaroi se kjo gjykatë nuk gjeti asnjë provë se lojtarët udhëtues refuzuan të vazhdonin ndeshjen, si dhe që një tifoz shqiptar drejtoi dronin. Ka dëshmi të gjyqtarit dhe delegatëve të UEFA-s, por për CAS ishte më e rëndësishme të merrej me politikë”, ishte shpërthimi i palës serbe që pastaj paralajmëronte për hapjen e “kutisë së Pandorës” për ndryshimin e rregullave të futbollit, pasi ishte ndryshuar një vendim ndeshjeje që mund të çonte drejt reklamimeve edhe për ngjarje të tjera.
Si rrjedhojë, Serbia bëri të ditur se për të gjetur drejtësi po mendonte të ankimonte në Gjykatën Supreme të Zvicrës. “Federata po merr në shqyrtim mundësinë që brenda 30 ditëve nga marrja e dokumentacionit nga CAS, të apeloja në Gjykatën Supreme të Zvicrës. FSS pret që edhe UEFA të bëjë të njëjtën gjë, jo vetëm sepse vendimet e organeve të saj kanë rënë, por edhe për të mbrojtur parimet bazë dhe rregullat e futbollit”, shkruhej në këtë reagim, ku i kërkohej në mënyrë absurde UEFA-s dhe anëtarëve të saj të rishikonte rolin e CAS në futbollin europian, edhe pse nuk është kompetencë e tyre, por e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Gjykata Supreme
Meqë CAS vepron nën juridiksionin e shtetit të Zvicrës, vendimet e tij mund të apelohen në Gjykatën Supreme të Zvicrës. Por këto apelime janë thuajse asnjëherë të suksesshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me trajtimin procedural brenda një çështje të marrë në shqyrtim. Deri tani, Gjykata Supreme e Zvicrës ka marrë në shqyrtim 7 çështje, duke përmbysur vendimin e CAS vetëm në një rast. Në vitin 1994, një palë humbëse përballë CAS vuri në dyshim paanshmërinë e kësaj gjykate, ashtu siç pretendon të bëjë Serbia. Por Gjykata Supreme e Zvicrës vendosi që CAS funksiononte si një gjykatë e mirëfilltë arbitrazhi pikërisht falë paanshmërisë së saj.
Apeli i dyfishtë
Pretendimet e Serbisë mund të bien të gjitha nëse UEFA nuk vendos t’i bashkohet apelimit në Gjykatën Supreme. Serbia kishte apeluar në CAS të Lozanës heqjen e tri pikëve për mosmarrje masash organizative dhe si rrjedhojë, në Gjykatën Supreme mund të kërkojë vetëm ndryshimin e këtij vendimi që nuk ndikon rezultatin në tavolinë për Shqipërinë. Si rrjedhojë, ajo ka kërkuar dje publikisht ndërhyrjen e UEFA-s dhe apelimin nga kjo e fundit, meqë ajo doli e humbur në CAS në çështjen direkte kundër FSHF-së për rezultatin e ndeshjes. Nëse UEFA vendos të mos bëjë apelim në Gjykatën Supreme, atëherë për Shqipërinë nuk ka asnjë ndikim direkt apelimi i Serbisë, pasi do të ndikonte vetëm pikët e ekipit të fundit në grup dhe jo ato të kuqezinjve.
Ky shkrim Federata Serbe kërcënon me apelim në Gjykatën Supreme të Zvicrës u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.