Nisin procedurat e ekstradimit për shtetasin Arben Frroku
I akuzuari për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj, u paraqit me emër tjetër
Policia e Holandës arrestoi dje Arben Frrokun, personin e shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi u arratis sapo Gjykata e Apelit e liroi nga akuza e vrasjes së ish-kryekomisarit Arben Frroku. Ende nuk dihen rrethanat e prangosjes së vëllait të ish-deputetit Mark Frroku, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, më 24 shkurt të vitit 2013. Gjithsesi, nga të dhënat e para mësohet se Frroku është ndaluar në provincën Shiphol, vend ku ndodhet edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Amsterdamit dhe është akuzuar për vënie në përdorim të dokumenteve dhe identiteteve të falsifikuara. Ai u paraqiti oficerëve të Interpol Amsterdamit një kartë identiteti me gjeneralitetet Renato Tsepa, por krijoi menjëherë dyshime. Interpol Haga njoftoi dje në orën 17:15 minuta Interpol Tiranën se kishte identifikuar dhe arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Frroku.
Prangat në Belgjikë.
Veprimet policore nisën pas deklaratës së ish–kryeministrit Sali Berisha në Parlament, i cili pak ditë më parë deklaroi se Frroku ishte arrestuar në Holandë. Policia Shqiptare ka kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje. Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Tsepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Policia e Shtetit tha zyrtarisht se “Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritetet e vendit tonë për partnerët holandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet Renato Tsepa, lindur në Korçë”. Pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve holandeze dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Identifikimi i tij është bërë përmes komunikimeve të Interpol Tiranës me atë të Amsterdamit. Dhe nga të dhënat e shkëmbyera ka rezultuar se i ndaluari është Arben Frroku, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Pritet që brenda pak ditësh, Arben Frroku të ekstradohet në Shqipëri. Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit më datë 29 qershor 2015, por pas këtij vendimi u konstatua largimi i tij nga Shqipëria. Kur Gjykata e Apelit dha vendimin për të rrëzuar Gjykatën e Shkallës së Parë, që dha pafajësi për Frrokun, ky i fundit ishte larguar nga Shqipëria prej 10 ditësh, më 19 qershor 2015, pa lënë asnjë gjurmë. Biznesmeni u shpall në kërkim ndërkombëtar dy ditë pas dënimit me burgim të përjetshëm. Frroku ishte në kërkim që prej vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që rrëzoi atë të Shkallës së Parë, e cila e shpalli atë të pafajshëm. Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka pasur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm sot pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin Renato Tsepa, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të gjykatës.
Provat për akuzën
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dyshime se vendimi po manipulohej dhe kërkoi nga gjykata edhe regjistrimin audio. Dyshimi ishte pikërisht tek argumentimet që u lexuan në gjykatë. Katër provat që u analizuan në vendim dhe më pas u rrëzuan të gjitha, ishin dëshmitari i mbrojtur, baruti në pallton e Frrokut, përgjimet dhe tabulatet telefonike. Akuza beson se, të paktën për dëshmitarin e mbrojtur, gjykata ka vepruar gabim, pasi nuk mund të konsiderohet nul rrëfimi vetëm se nuk kishte dalë në kamerën e lokalit. Gjykata pretendoi se Fatmir Vladi kishte shkuar katër minuta me vonesë në vendin e ngjarjes, ndërsa akuza nuk e kundërshton, ndërsa thekson se vetë Vladi ka thënë se ndodhej 15 metra larg dhe makina e autorëve i ka kaluar pikë plumbi para syve. Madje, ai thekson se fillimisht ka qetësuar bashkëshorten dhe më pas ka shkuar në vendin e ngjarjes. Akuza ngre edhe një pikëpyetje për vendimin e gjykatës. Ajo thotë se, si është e mundur që dëshmitari i mbrojtur gënjen, kur në fakt ai i ka thënë policisë targat e automjetit të vrasësve? Madje, pasi ka marrë sigurinë për jetën, ai ka thënë edhe emrin e personit që ndodhej në sediljen e shoferit. “Së pari, identifikuam motivin, së dyti, provuam mekanizmin e kryerjes së kësaj vrasjeje, si numrin e personave, mjetet e përdorura etj., së treti, provuam praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes, e konkretisht në rolin e ekzekutorit. Së katërti, rrëzuam alibinë e tij lidhur me qëllimin e ikjes në Greqi natën e ngjarjes dhe së pesti provuam mundësinë e largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit deri në momentin e kalimit të tij në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë – Korçë”, renditi asokohe prokuroria.
“Dritani prehet i qetë”
Kërcënimet në sallën e gjyqit
Gjatë seancave gjyqësore, Frroku ka replikuar me prokurorin e Krimeve të Rënda në sallën e gjyqit, duke thënë se “pesë mijë dëshmitarë të sjellësh në proces, nuk më implikojnë dot me vrasjen e Lamajt”. Përballë kësaj përplasjeje, gjykata ka vazhduar procesin me marrjen e dëshmive të katër dëshmitarëve, mes tyre Arianit Arapi, ish-shefi i Krimeve në Komisariatin e Kombinatit, ku ka shërbyer Lamaj, si dhe shtetasen Ilivera Luka, e cila një ditë pas ngjarjes ka dëshmuar te Krimet e Rënda detaje të rëndësishme të hetimit. Ish-shefi i Krimeve të Kombinatit deklaroi para gjykatës, se pak orë pas vrasjes së kolegut të tij, Dritan Lamaj, ai është kërcënuar me një mesazh në telefon, ku thuhet se “Dritani prehet i qetë, tani është radha jote”.