Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

PD miraton shefat e qarqeve, mbesin jashtë Topalli e Patozi

$
0
0

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje mbledhje te grupit parlamentar te Partise Demokratike, ku eshte vendosur organizimi i partise per zgjedhjet parlamentare te 2017./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha, speaks during a meeting of the parliamentary group of Democratic Party, DP.Pas pakënaqësive, Imami zhvendoset nga Vlora në Durrës. Ristani caktohet në Shkodër

Ish-ministrat – Ndryshe nga sa pritej, fushatën elektorale të Partisë Demokratike në qarqe do ta drejtojnë ish-ministrat e kabinetit “Berisha”, si: Genc Ruli, Genc Pollo, Ridvan Bode, Flamur Noka, Arben Imami, Edmond Spaho.

Topalli e Patozi – Në listën e drejtuesve në qarqe bie në sy lënia jashtë e ish-numrit dy në PD, Jozefina Topalli dhe ish-kreut të grupit parlamentar, Astrit Patozi, të cilët kanë qenë kritikë ndaj qëndrimeve të Bashës.

Paralajmërimi – Për drejtuesit që do të drejtojnë procesin e organizimit në bazë, kryetari Basha u kujdes të thotë se ata nuk do të jenë kryesuesit e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare. 

Herion Mesi

Partia Demokratike nis procesin e riorganizimit të strukturave të saj, duke shtuar të paktën 14 degë të reja në të gjithë vendin, duke bërë të mundur përshtatjen e numrit të degëve me numrin e bashkive në të gjithë vendin. Ky është vendimi i marrë dje nga kryesia e Partisë Demokratike, i cili do të bëhej publik nga vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes që u mbajt me dyer të mbyllura. Lidhur me këtë vendim, kreu i opozitës tha se kjo bëhet që strukturat e PD-së të jenë më afër qytetarëve, por ai nuk përjashtoi faktin se me këtë riorganizim u jepet fund pakënaqësive që u shfaqën për angazhimin e strukturave të PD në zgjedhjet lokale të 2015. “Përfundimi i analizës në terren do të shoqërohet edhe me krijimin e disa degëve të reja, të cilat në thelb kanë fuqizimin e çdo seksioni, grupseksioni dhe degëve të Partisë Demokratike. Do të kemi një shtim prej 14 degësh, pra janë 67 degë në territor nga të cilat 35 degë, në pjesën më të madhe për shkak të ndarjes do t’i nënshtrohen edhe një procesi zgjedhor. Kjo është një parti e cila nderon, respekton dhe përdor votën për çdo vendim”, tha Basha.

Krerët e qarqeve

Kryesia e PD-së ka përcaktuar edhe drejtuesit që do të drejtojnë procesin e organizimit zgjedhor në bazë, për të cilët kryetari Basha u kujdes të thotë se ata nuk do të jenë kryesuesit e listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare. Konkretisht, Kryesia përcaktoi krerët e grupeve të punës për 12 qarqe për fazën e parë përgatitore, ku dominon eksperienca gjatë viteve të opozitës dhe qeverisjes së demokratëve. Përbërjen e listës e argumentoi kryetari Lulzim Basha, i cili ka pasur si synim edhe shmangien e asaj që e quan konflikt interesi. Lista ka ngelur përgjithësisht ajo që kemi botuar një ditë më parë me përjashtim të Aldo Bumçit dhe Eduard Halimit, që janë zëvendësuar në momentet e fundit, vetëm pak çaste para nisjes së mbledhjes, me Jemin Gjanën dhe Sherfedin Shehun. Kështu, në krahasim me krerët e grupeve të punës në zgjedhjet e 2015-s, Arben Imami i planifikuar një ditë më parë për në Vlorë, Basha e ka deleguar në Qarkun e Durrësit, ndërsa Arben Ristani nga Vlora në Shkodër, Flamur Noka ikën nga Kukësi për të punuar në Vlorë, ndërsa në qarkun e tij verilindor, shkon nga Dibra, Sherefedin Shehu. Kryetar i grupit të punës në Dibër është Genti Strazimiri, ndërsa Ridvan Bode shkon në Berat, duke i lënë Elbasanin Edmond Spahos. Jemin Gjana do të punojë në Lezhë, ku për vite me radhë ka qenë Aldo Bumçi, i cili i bashkohet grupit të Tiranës që do udhëhiqet nga Edi Paloka. Tritan Shehu dhe Genc Pollo caktohen respektivisht në Gjirokastër dhe Fier. Ndërsa në Korçë grupin e kryeson Genc Ruli. Gjithashtu, Basha bëri me dije se fillimisht do të ketë emërim të sekretarëve të departamenteve të PD, disa prej të cilave janë zgjedhur. Kryetari i PD-së vuri në dukje se Kryesia konfirmoi emërimin e krerëve të rinj të të disa departamenteve, ku në krye të Departamentit të Sigurisë, Rendit Publik, Luftës kundër Krimit ku më parë ishte z. Bashkim Shehu, që u zgjodh kryebashkiak, me propozim të Bashës u miratua Enkelejd Alibeaj. “Në rrethana të njëjta, në krye të Departamentit të Pushteti Vendor dhe Administrimin të Territorit, z. Ardian Turku; Në krye të Departamentit të Pronave, z. Genti Maloku; në krye të Departamentit për të Përndjekurit Politikë, z. Tomorr Alizoti dhe të Departamentit për aksionin qytetar, z. Ervin Salianji”, theksoi kreu i PD-së. Gjithashtu, Basha bëri me dije se, kryesia vendosi të miratojë ngritjen e degës së PD në Londër, “pas shumë kërkesave të anëtarëve dhe demokratëve që jetojnë në këtë metropol”, tha ai. Kryesisë së PD-së iu propozua që të miratojë propozimin për përfaqësimin me 35% të të rinjve në listat zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. “Gjithashtu, kryesia diskutoi propozimin tim për kuotën prej 35 për qind të të rinjve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, diskutim që i paraprin një vendimmarrjeje nga Këshilli Kombëtar i PD”, tha Basha.

Programi i demokratëve

Gjatë komunikimit me mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-së, kryedemokrati Basha bëri me dije se Partia Demokratike ka mbyllur programin e saj të cilin do t’ua paraqesë qytetarëve për qeverisje, një vit përpara zgjedhjeve me qëllim që ai të diskutohet me të gjithë qytetarët shqiptarë. “Partia Demokratike e ka përfunduar alternativën, programin, një vit para zgjedhjeve, – tha Basha, – duke shënuar kështu një standard demokratik, europian, karshi qytetarëve, shqiptarëve. Programet, ofertat, zgjidhjet nuk lihen për çastin e fundit apo ditën e fundit apo orën e fundit të zgjedhjeve, sepse shansi pastaj është shumë i madh që të jenë rrena siç dolën rrena premtimet e Rilindjes për 300 mijë vende pune, për shëndetësi falas, për legalizim falas, për ulje taksash dhe energji më të lirë për shqiptarët. Sepse nuk iu dha shansi shqiptarëve të diskutojnë vërtetësinë, zbatueshmërinë e këtyre vendimeve. Me gënjeshtra s’mund të diskutosh me qytetarët, po Rama me Ilir Beqajn, rrensin numër një me rrensin nr. dy. Te çdo qytetar ne do të kemi mundësi të diskutojmë. Kryesia i ka hapur rrugë, zgjerimit dhe konsultimit masiv të programit të PD-së”, tha më tej Basha.

 

Krerët e PD-së në 12 qarqe

  • Shkodër – Arben Ristani
  • Kukës – Sherefedin Shehu
  • Lezhë – Jemin Gjana
  • Dibër – Gent Strazimiri
  • Durrës – Arben Imami
  • Tiranë – Edi Paloka
  • Elbasan – Edmond Spaho
  • Fier – Genc Pollo
  • Berat – Ridvan Bode
  • Korçë – Genc Ruli
  • Vlorë – Flamur Noka
  • Gjirokastër – Tritan Shehu

 

Krerët e rinj të Departamenteve të PD-së

  • Departamenti i Pushtetit Vendor dhe Administrimit të Territorit, Ardian Turku;
  • Departamenti për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj
  • Departamenti i Pronave, Genti Maloku;
  • Departamenti për të Përndjekurit Politikë, Tomorr Alizoti
  • Departamenti për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji

 

Vendimet që u morën dje nga Kryesia së PD-së:

Së pari, fuqizimin e strukturave të PD-së në funksion të zgjedhjeve të ardhshme dhe hapjen e degës së re të PD-së në Londër;

Së dyti, konfirmimin nga kryesia të emërimit të disa drejtuesve të rinj të departamenteve dhe sekretariateve

Së treti, më thelbësoren, përfundimin një vit përpara zgjedhjeve, të programit të PD-së.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>