Kancelarja, takim me Ramën dhe Nishanin. Më pas, udhëtim drejt Serbisë dhe Bosnjës
Kancelarja Angela Merkel do të pritet me të gjitha nderimet nga Tirana zyrtare, si dhe do të shoqërohet nën masa të rrepta sigurie. Vizita e Kancelares gjermane shihet si një rritje e vëmendjes së një prej shteteve më të fuqishme të BE-së, pas zbehjes së procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Turi i gruas së hekurt në Ballkan, Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë realizohet një muaj përpara mbajtjes së Samitit të Vjenës, i cili është i dyti pas atij të Berlinit, i ndërmarrë me iniciativën e Merkelit për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Ballkanit. Cilat do të jenë mesazhet e Kancelares Merkel në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë? Analistët mendojnë se më vështirë ajo do ta ketë në Sarajevë, por probleme të mëdha ka dhe në Beograd e Tiranë. Sipas “Deutche Welle”, papunësia e lartë, korrupsioni i gjerë dhe elitat autoritare politike – janë disa nga gjërat e përbashkëta të Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Në sondazhe thuhet se BE-ja po humb atraktivitetin në këto vende. Kjo ka të bëjë edhe me paralajmërimet nga Brukseli, se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE. Loja gjeopolitike? Ballkani me shekuj të tërë konsiderohet si një fuçi baruti. Kjo metaforë fiton në peshë në kohët e tanishme të tendosjeve të shtuara mes Perëndimit dhe Rusisë. Vizita e Kancelares gjermane ka për synim, ndër të tjerash, edhe kufizimin e influencës ruse në Ballkan, mendon Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit të BE-së në Bundestag. “Vendet duhet të vendosin vetë se në ç’drejtim duan të shkojnë. Vlerat, të cilat i respektojmë ne në BE, dallojnë nga ato të cilat i respekton Rusia dhe qeveria e zotit Putin”, thotë Krichbaum. Me këtë vizitë, Kancelarja Merkel do të dëshmojë “rëndësinë e Ballkanit për Gjermaninë dhe BE-në”, mendon Dusan Reljiç, drejtues i Zyrës së Fondacionit gjerman për Shkencë dhe Politikë, në Bruksel. Merkeli do t’u tregojë “lojtarëve të mëdhenj” në Lindje – para së gjithash Rusisë, por edhe Kinës dhe Turqisë, se Bashkimi Europian edhe më tej është spiranca e këtij rajoni. Reljiç mendon se për shkak të krizës në Greqi, i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një vend “turbulent” për investime. Kancelarja me këtë vizitë mund ta zbutë këtë përshtypje. Vëzhguesit thonë se Merkeli në Tiranë do ta ketë më të lehtë se në Sarajevë apo Beograd. Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria “është një faktor stabiliteti në Ballkan”, thotë Dushan Reljiç. Ai pret që Merkeli të kërkojë në mënyrë diskrete nga Kryeministri Edi Rama që të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë. “Berlini me siguri që do të kërkojë edhe ndonjë zgjidhje për numrin e shtuar të azilkërkuesve nga Shqipëria”, mendon Reljiç. Partia CSU dhe disa politikanë të tjerë kanë kërkuar kaherë që edhe Shqipëria të renditet në radhën e vendeve me prejardhje të sigurt, që do të thotë se personat nga këto vende nuk kanë kurrfarë shansi për azil në Gjermani.
Dade
Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Arta Dade, duke folur për DW-ve, shprehet se “vizita e Kancelares Merkel është mjaft e rëndësishme jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe Gjermani – Shqipëri, por edhe në kuadrin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Sikurse dihet, Konferenca e Berlinit me nismën e zonjës Merkel, i ka dhënë një nxitje të re bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe punës, që secila qeveri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor bën për përmbushjen e standardeve të përcaktuara në axhendën europiane”. Ajo shton se shpreson që së shpejti Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim të plotë në BE.
Ambasadori Kuko
Ambasadori shqiptar në Gjermani, Artur Kuko, thotë se vizita e Merkelit në Tiranë rikthen vëmendjen e shtetit më të fuqishëm të BE-së ndaj Shqipërisë. “Kjo është vizita e parë e një kancelareje gjermane në Shqipëri pas asaj të kancelarit Schroeder në vitin 1999, dhe në këtë prizëm mund të konsiderohet si një vizitë historike. Është një vizitë që e sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes së opinionit europian, pavarësisht zhvillimeve të tjera që kanë marrë dhe do të vijojnë të marrin vëmendje për zhvillimet jashtë Shqipërisë. Është një vizitë që tregon vëmendjen që i kushton Gjermania Federale jo vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kuko për “Top Channel”. Diplomati shqiptar në Berlin mendon se zhvillimet më të fundit në Greqi, me referendumin dhe ato që e pasuan atë, nuk do të ketë asnjë ndikim në vizitën e gruas së hekurt të Europës në rajonin tonë.
Axhenda e Merkel
14:15 Nis ceremonia zyrtare e mirëseardhjes
15:40 – 16:10 Konferenca e përbashkët për shtyp
16:15 – 16:45 Takimi me Presidentin Bujar Nishani
17.00 – 18.00 Kryeministri i Shqipërisë, Rama, dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Merkel, i drejtohen me fjalime Konferencës Ekonomike
Deri në 700 policë në rrugë, oraret e bllokimit të akseve
Rrugët që do të bllokohen në Tiranë
Siguria e Kancelares Merkel do të garantohet nga qindra policë, në bazë të një plani të mirorganizuar, ndërsa disa akse rrugore do të bllokohen ditën e sotme. Policia njoftoi zyrtarisht se në disa segmente rrugore do të ketë bllokime të qarkullimit të mjeteve dhe kufizime. Kështu, nga ora 10:30 deri në 14:30, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga Rinasi për në Kashar, ndërsa sensi tjetër do vazhdojë normalisht. Nga ora 13:30 deri në 14:30 segmenti rrugor nga superstrada Vorë–Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi Kamzë dhe rrugët dytësore, do të jenë të bllokuara. Në vazhdim, do të mbahet i bllokuar segmenti rrugor nga mbikalimi Kamzë –sheshi “Shqiponja” dhe Rruga e Durrësit. Nuk do të lejohet qarkullimi në sheshin “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza”, ndërsa në rrugët lidhëse me to nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, si edhe do të bllokohet në momente të caktuara. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, që sot, nga ora 12:00 deri në orën 19:00, të shmangin qarkullimin me mjet në këto akse rrugore. Ndërkaq, në lidhje me sigurinë e delegacionit që shoqëron Angela Merkel, burime të policisë thanë se do të jetë në dispozicion një numër nga 500 deri në 700 efektivë policie nga “Shqiponjat” komisariatet, FNSH-ja etj. Një numër i konsiderueshëm civilësh do të monitorojnë situatën, teksa snajperët në lartësi do të mbajnë nën vëzhgim lëvizjet. Besohet që një helikopter i Forcave të Armatosura do të patrullojë ajrin, kurse katër efektivë të gardës gjermane janë parashikuar për shoqërimin e Kancelares. Garda e Republikës, prej javësh e ka përpiluar planin e masave të sigurisë.
Tabela
Nga ora 10:30 – 14:30 nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga Rinasi për në Kashar (sensi tjetër do të vazhdojë normalisht).
Nga ora 13:30 – 14:30 segmenti rrugor nga superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi Kamzë dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.
Në vazhdim, segmenti rrugor nga mbikalimi Kamzë – sheshi “Shqiponja” – Rruga e Durrësit.
Segmenti rrugor sheshi “Skënderbej” – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.
Nga ora 12:00 deri në orën 19:00, qytetarët të shmangin qarkullimin me mjete në këto akse rrugore.
Ky shkrim Merkel në Tiranë me mesazhe për Ballkanin u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.