Arrestime në Itali dhe Shqipëri, kapet futbollisti Guido Tepshi që drejtonte bandën bashkë me babanë dhe xhaxhain. Përgjimet, bosi-praktikantit: Kam prona 20 milionë euro!
Çështja
Futbollisti – Guido Tepshi, 24-vjeçari, që është djali i një sipërmarrësi nga Durrësi, i cilësuar si bosi i grupit, prej kohësh ishte në përgjim
Përgjimi – Në një nga bisedat ai u dëgjua të thoshte se synonte të bashkohej me forcat e policisë dhe më pas të bënte konkursin për t’u bërë gjyqtar
Transfertat – Anëtarët e grupit bënin një jetë modeste në Itali, por shpesh kanë dërguar shuma të mëdha parash në Shqipëri, ku një dërgesë shkonte në
Mariglen Mullai
Trafikantët e kokainës, që u kapën dje në Shqipëri, në Firence, ishin regjistruar në punë të rëndomta, kurse në Durrës kishin prona të paluajtshme dhe kompani private. Biznesi i vërtetë ishte ai i dërgimit të kokainës nga Holanda në Itali dhe investimi i milionave në aktivitete të ligjshme tregtare, në Durrës. Një prej tyre është edhe pronar i një anije mallrash. Kurse një tjetër, nga përgjimet rezulton se i thotë një “praktikanti”, se “kam pasuri të patundshme, me vlerë 20 milionë euro”. Në pranga ra futbollisti i Kastriotit të Krujës, Guido Tepshi, që ëndërronte të bëhej polic e më pas gjyqtar, babai i tij, Edmondi, xhaxhai Artur Tepshi dhe kushëriri, Luani, respektivisht 24, 52, 49 dhe 46 vjeç. Policia e Durrësit arrestoi edhe Kastriot Dyrmishin, 32 vjeç dhe 25-vjeçarin Laert Teneqexhi. Të gjashtë këta persona mbaheshin nën vëzhgim prej të paktën tre vitesh, që kur u vra Klaudio Rukaj, asokohe 23 vjeç dhe u plagos kushëriri i tij, Ilir Qokaj, 28 vjeç. Vrasja u cilësua si larje hesapesh, mes grupeve shqiptare për kontrollin e një rrjeti prostitucioni dhe prej asaj kohe, u vunë në përgjim disa persona.
Operacioni
Dje, Antimafia Italiane përfundoi operacionin “Ricarica 2013”, ku në dy shtete u arrestuan 12 persona dhe 7 të tjerë u lanë në arrest shtëpie”. Një anëtar i dyshuar i kësaj bande është në “arrest shtëpie” në Shqipëri, për krime të tjera, kurse një tjetër kërkohet në Gjermani. Policia e Durrësit vetëm sa ekzekutoi urdhër-arrestet dhe tashmë po kryhen procedurat e ekstradimit. Pjesa tjetër u arrestua në Firence, në bashkëpunim me agjentët në Luça, Perugia, Piza dhe Pistoia, ku janë përfshirë edhe forcat policore të Gjermanisë. Në Firence, të gjithë do të gjykohen si një grup i përbashkët kriminal. Sipas akuzës, mes korrikut të vitit 2013 dhe qershorit të 2014-s organizata kriminale kishte dërguar 15 kilogramë kokainë në Itali. Kryeprokurori i antimafies në Firence, Giuseppe Creazzo, në një konferencë për shtyp, tha se “vetëm këtë mëngjes, nga kërkimet kemi gjetur tre kg kokainë, dy armë dhe 30 mijë euro”.
Futbollisti
Guido Tepshi, 24-vjeçari, që është djali i një sipërmarrësi nga Durrësi, i cilësuar si bosi i grupit, prej kohësh ishte në përgjim. Në një nga bisedat ai u dëgjua të thoshte se synonte të bashkohej me forcat e policisë dhe më pas të bënte konkursin për t’u bërë gjyqtar. I lindur në Durrës, ai ka luajtur sezonin e fundit si mesfushor me tipare sulmuese për klubin Kastrioti në Krujë, ndërsa i kishte përfunduar kontrata. Ai vjen nga një familje sipërmarrësish, që merrej me transport dhe bashkë me pasuritë e patundshme, udhëhiqte tregtinë e kokainës në Itali, duke e koordinuar atë nga Shqipëria.
Struktura, përgjimet
Siç referon antimafia italiane, kokaina sillej nga Holanda dhe shpërndahej mes Empolit, Versilias, Pizas dhe Montecatinit. Anëtarët e grupit bënin një jetë modeste në Itali, por shpesh kanë dërguar shuma të mëdha parash në Shqipëri, ku një dërgesë shkonte në 300 mijë euro. Një nga të arrestuarit më të vjetër në moshë, ka thënë se “trafiku i drogës nuk u shpik këtu, ka qenë gjithmonë dhe do të jetë për brezat e ardhshëm. Dikush ka për të bërë atë, dhe ne e bëjmë”. Pajisjet e përgjimit, të vendosura nga policia në një “Mercedez”, kanë regjistruar bisedat mes njërit prej bosëve dhe një trafikanti të ri, i cili udhëzohej për sjellje korrekte. Më tej, ai mësohet se si të ruhet nga policia dhe ta mbajë jashtë familjen nga rreziqet. “Ke nevojë për pak stazh”- thotë një nga krerët”. Ai mburret se “unë kam pasuri të patundshme me vlerë 20 milionë euro”. Pastaj i shpjegon kuptimin e llojit të veçantë të “profesionit”, të cilin i riu është duke filluar. Këshilla përmban frazat: “E gjithë bota e bën këtë punë. Kjo është një industri në vetvete, vëllai. Si lotari dhe çdo gjë tjetër. Është një punë”. Droga sillej nga Holanda në Toskana të Italisë dhe paratë e fituara nga trafikimi i drogës, dërgoheshin Shqipëri, nëpërmjet fundeve të dyfishta të makinave. Gjatë hetimit, policia bëri një kontroll në tubat e ajrosjes së një mjeti tip “Mercedez Benz”, ku gjeti dhjetëra mijë euro. Në Itali ata bënin një jetë modeste dhe kishin nga një punë, për të justifikuar dhënien e lejeve të qëndrimit, teksa jetonin në disa shtëpi të fshatit San Miniato dhe Fucecchio. Njëri prej tyre, i cili është shpallur në kërkim në Gjermani, me paratë e drogës kishte blerë disa klube nate në Shqipëri. Hetimet e antidrogës nisën nga një vrasje në Fucecchio në vitin 2012, e cila u cilësua si larje hesapesh mes bandave shqiptare, për kontrollin e një rrjeti prostitucioni.
SKEDA FUTBOLLISTIKE
Guido Tepshi
Data e lindjes: 8 prill 1991 (24 vjeç)
Vendlindja: Durrës
Pozicioni: Mesfushor me tipare sulmuese
Klubi aktual: I lirë
Karriera
2008–2009: Teuta, 0 ndeshje
2009: Lushnja (borxh) 8, ndeshje
2009–2010: Bohemians Pragë, 0 ndeshje
2010–2011: Kastrioti Krujë, 17 ndeshje, 1 gol
2011: KS Lushnja (borxh), 6 ndeshje, 1 gol
2012: KS Kamza, 9 ndeshje, 1 gol
2012: Apolonia, 7 ndeshje
2013: Teuta, 3 ndeshje
2013–2014: Kastrioti Krujë, 15 ndeshje
Skuadra kombëtare
2009–2010: Shqipëria U19, 3 ndeshje
2010–2011: Shqipëria U21, 0 ndeshje
Ky shkrim Bosët e kokainës: Futbollisti i Krujës do të bëhej polic ose gjyqtar u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.