Vazhdon përplasja mes kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe presidentit Nishani për ngritjen e parkut e lodrave te Liqeni Artificial.
Veliaj ka përsëritur se nuk zmbrapset nga asnjë për të finalizuar projektin e bashkisë për parkun e lodrave, madje siç theksoi as “nga Nishani dhe deputetët me patllake. Ai ka thënë se nuk i bën fresk “një presidenti të diskretituar dhe qesharak”, por është i gatshëm të “punoj për fëmijët e Tiranës.
Por pak më vonë, në një takim të njoftuar me parë me Shoqërinë Civile, presidenti Nishani i është kundërpërgjigjur Veliajt, duke i kujtuar se “është vandalizëm të prishësh parkun e liqenit”. Ai ka inkurajuar aktivistët të vijojnë rezistencën për të mos lejuar ngritjen e këtij parku.
Veliaj: Nuk zmbrapsem nga Nishani dhe deputetët me patllake
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar një dëgjesë publike me banorët e njësisë administrative numër 10 për projektin e sheshit “Skënderbej”. Veliaj ka hedhur një sërë akuzash në drejtim të presidentit të Republikës Bujar Nishani për mbështetjen që ky i fundit u dha aktivistëve të shoqërisë civile për Parkun e Liqenit.
Ai e ftoi Nishanin të shkojë fillimisht te pallati 17-katësh te diga e liqenit dhe më pas të merret me Parkun. Kryebashkiaku u shpreh i vendosur për ta përfunduar Parkun dhe shumë projekte të nisura.
“Nuk do të zmbrapsem as nga presidenti dhe as nga deputetët me patllake, deklaroi Veliaj. – Këndin e lodrave e bëjmë edhe te parku i Presidentit po ta lirojë ai. Nëse fëmijët e presidentit rriten në parkun e liqenit, çdo fëmijë duhet të ketë akses në parkun e liqenit. Në qytetin që ne do të ndërtojmë, jemi të gjithë të barabartë”, tha Veliaj.
Duke folur për vizitën e kreut të shtetit te Parku i Liqenit Artificial, Veliaj u shpreh: “A do të shkojë Presidenti te pallati 17-katësh te diga? Nuk besoj sepse aty është pronari i shtëpisë ku rri Saliu e shpura e tij. Aty kanë prerë 274 pemë për atë pallat. Dhe thotë se kjo është e padrejtë. Kush është i pari i sistemit tonë të drejtësisë? Presidenti. Kur ishte hera e fundit që takoi një hallexhi në gjykatë? Kur është shprehur për gjyqin e Gërdecit apo 21 Janarit? Ai nuk do dhe nuk ka pasur qëllim që të hyjë në atë pjesë të historisë që ne të themi “Bravo i qoftë”. Nuk i bëj fresk një presidenti të diskredituar, të rëndomtë dhe qesharak, por punoj për fëmijët e Tiranës”, deklaroi Veliaj.
Nishani: Ky është një vandalizëm
Ashtu siç ishte paralajmëruar, presidenti Bujar Nishani ka zhvilluar një takim me shoqërinë civile në Parkun e Liqenit në Tiranë pranë vendit ku bashkia ka nisur punën për ngritjen e këndit të lojërave për fëmijë. Por këtë herë, kreu i shtetit, ka lënë mënjanë tonet e ulëta dhe ka sulmuar kreun e Bashkisë Erion Veliaj.
“Është vandalizëm të prishësh parkun e liqenit. Lëvizja qytetare shkon përtej parkut. Inkurajoj Shoqërinë Civile të vazhdojë protestat dhe të mbështetet nga qytetarët. Nuk është hera e parë që vandalët më akuzojnë”, – tha ai.
Nishani i ka ftuar aktivistët që të luftojnë “që të mos vritet shpresa. Rezistenca nuk është e imja por e popullit. Tirana po kthehet në një qytet kaosi. Gjelbërimi në Tiranë po i lë vendin betonizimit. Institucionet dhe individët nuk zëvendësojnë ligjet”.
13 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)