Kompania franceze, ‘Eurocopter’ u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të pezullojnë të gjitha fluturimet e helikopterit tjetër të blerë nga kjo kompani, deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit të helikopterit EC 145, që shkaktoi vdekjen e 2 pilotëve të forcave ajrore shqiptare.
Ndërkohë, prokuroria shqiptare ka nisur hetimet duke kërkuar edhe ndihmën e ekspertëve gjermanë për çkodimin e kamerës së helikopterit, me shpresë zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të tij një javë më parë në liqenin e Shkodrës. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes vijon hetimin administrativ për të zbuluar nëse gjatë fluturimit kanë zbatuar apo jo rregullat e fluturimit.
Helikopteri EC 145, i rrëzuar në Liqenin e Shkodrës, bashkë me një tjetër të të njëjtit lloj, ishin sjellë në Shqipëri në tetor 2015 dhe duhet të përdoreshin nga forcat ushtarake ajrore për situatat emergjente. EC145 përdorej nga Forcat Ajrore shqiptare prej 6 muajsh.
12 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)