Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Drejtësia, ndërkombëtarët rinisin negociatat

$
0
0

Vlahutin-LuManja: Sinjale për mbledhjen e komisionit. Palët, shpresë te komisioneri Hahn

ARTEMISA HOXHA

Kushti i vendosur nga opozita për rikthimin në tryezën e dialogut politik për reformën në drejtësi ka risjellë dhe një herë në skenë ndërkombëtarët, të cilët kanë rinisur misionin e tyre. Vlahutin dhe Lu, dy ambasadorët e BE dhe SHBA, kanë nisur sërish negociatat mes palëve për zgjidhjen e ngërçit të krijuar, pas kushtit të vendosur nga opozita. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, burime pranë Komisionit të Reformës në Drejtësi kanë bërë me dije se mbledhja mund të zhvillohet në çfarëdolloj ore, kur të kthejë përgjigje opozita, e cila ka ndryshuar qëndrimin e saj së fundmi, duke iu rikthyer edhe një herë kushteve. Dje, deri në orët e vona të darkës, asnjë nga deputetët e opozitës nuk ka njoftuar për një pjesëmarrje të tyre në komision, çka ka bërë që anëtarët e mazhorancës ta lënë mbledhjen e radhës në dorë të kolegëve të djathtë. PD ka kushtëzuar pjesëmarrjen në komision me dërgimin e dy mandateve të deputetëve Leskaj e Suli në Gjykatën Kushtetuese. Por socialisti Ulsi Manja, anëtar i këtij komisioni, deklaroi dje se “mazhoranca dhe opozita po negociojnë për rinisjen nga puna të tryezës në reformën e drejtësisë dhe sinjalet janë që komisioni të mblidhet nesër”. Ai bëri të ditur se bisedimet po realizohen ndërmjet dy drejtuesve të komisionit të posaçëm, Fatmir Xhafa dhe Eduard Halimi. “Besoj se nesër do të ketë zhvillime pozitive. Nëse do të ketë vullnet politik nga opozita, unë jam i bindur se s’ka asnjë arsye që drafti të vonohet e të mos i drejtohet seancës për t’u votuar”, u shpreh Manja. Sipas tij, drafti është gati dhe se duhet të votohet në Kuvend javën e parë të muajit prill. Ndërsa bëhet e ditur se mazhoranca nuk do ta mbledhë komisionin e posaçëm pa praninë e opozitës në tryezë. “Tryeza duhet të fillojë aty ku u la. Nuk e kuptoj arsyen pse nuk vazhdoi me të njëjtin ritëm si ditën e parë tryeza e komisionit. Natyrisht që opozita do të bëjë politikë, por ka zgjedhur me reformën në drejtësi, targetin e gabuar për t’u marrë me retorikë politike. Ne kemi bërë një marrëveshje që pika e përbashkët për këtë reformë do të jenë sugjerimet e Komisionit të Venecias. Jam optimist se tryeza do të fillojë aty ku u ndërpre. Deri tani nuk kemi as sinjale negative, që s’do vijnë te tryeza. Besojmë se ata do të kthehen në tryezë. Kemi bërë lëshimet përkatëse, por pa cenuar amendamentet e përmbajtjes kushtetuese për t’i hapur rrugë reformës. Një nga pikat që ka mbetur për t’u diskutuar është çështja e votimit për 2/3 ose 3/5, është lënë si pikë e fundit”, pohon Manja.

Vizita e Hahn

Partitë kishin premtuar që brenda marsit të miratohej paketa kushtetuese si pjesë e reformës në drejtësi, por kjo nuk u arrit. Ky dështim i politikës shqiptare, pritet të reflektohet dhe në tryezën e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, ku në Tiranë do të jetë i pranishëm dhe komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn. I ndodhur përpara faktit që politika shqiptare, siç ndodh shpesh, nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, komisioneri Hahn ka parashikuar në axhendën e tij, edhe 4 takime shumë të rëndësishme. I pari me Kryeministrin Rama, ai do të dalë dhe në konferencë për shtyp pas përfundimit të punimeve të tryezës së Dialogut të Nivelit të Larte. E mërkura për komisionerin Hahn nis me një mëngjes pune me anëtarët e Delegacionit të BE-së në Tiranë për të vijuar më pas me një takim 45 minuta me kreun e opozitës, Lulzim Basha, në zyrën e këtij të fundit. Ndërkohë që Komisioni për Reformën në Drejtësi ishte planifikuar që të riniste diskutimet dje, pikërisht në shqyrtimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, i cili i ndan palët në disa çështje të rëndësishme, siç është ajo e mënyrës së votimit për krerët e institucioneve të gjyqësorit në vend, funksionimin e institucioneve të reja në vend pikërisht në sistemin gjyqësor apo dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me kompetenca të zyrtarëve të lartë të këtyre institucioneve.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748