



Investigimi i “Fiks Fare”: Gjashtë muaj heqje patente, gjashtë mijë lekë gjobë për banorin nga Mjeda. Ja arsyet e penalizmit
Gjashtë muaj heqje patente, gjashtë mijë lekë gjobë dhe heqje e tri pikëve në patentë. Kaq i ka kushtuar një banori të fshatit Mjedë në Shkodër, urdhri i shefit të qarkullimit, i cili e pa mëngjesin e 15 marsit teksa çonte dy fëmijët e tij dhe nipërit në shkollë me makinë. Prova e përdorur për të gjitha shkeljet e mësipërme nga policia e qarkullimit rrugor të këtij qyteti është një fotografi, e cila nuk mund t’i jepet as kundërvajtësit, as gazetarëve, por që i përket një automjeti të ndaluar në të njëjtën ditë.
Denoncimi
Alfred Ukaj nga Shkodra, i cili mendonte se kishte të bënte me një rast abuzimi nga policia e qarkullimit rrugor e Qarkut të Shkodrës, iu drejtua emisionit “Fiks Fare”. Sipas tij, një postbllok i policisë rrugore të këtij qarku e ndaloi në datën 15 mars 2016. Ukaj po vinte nga Mjeda për në qytetin e Shkodrës, për të transportuar në shkollë fëmijët e familjes së tij. Transporti po bëhej me një makinë familjare të tipit 6 + 1. Postblloku i policisë e ndaloi atë në sheshin “Balshaj”, në hyrje të qytetit të Shkodrës. Shtetasit Alfred Ukaj i kërkohet të dorëzojë lejen e drejtimit dhe lejen e qarkullimit të mjetit, pa motivacion. Në dorëzim të këtyre të fundit, shtetasi shkon pas policit të qarkullimit rrugor Osman Hoxhllaku, i cili firmosi procesverbalin për pezullimin e lejes së drejtimit. Ukaj u shkon pas policëve që e ndaluan dhe vendos të filmojë bisedën me punonjësit e policisë, pamjet e të cilave u transmetuan mbrëmë nga “Fiks Fare”.
Bashkëbisedimi
Në bashkëbisedim mes punonjësve të policisë dhe zotërisë, punonjësit e policisë thonë se shefi i tyre e ka parë shtetasin Alfred Ukaj që transportonte fëmijë në makinën e tij dhe ka dhënë urdhër që mjeti të ndalohet. I vetmi shkak për ta ndaluar nga ana e punonjësve të policisë janë fëmijët që transportonte dhe se nuk i kishte në rregull rripat e sigurimit dhe sistemet e fiksimit. Gjatë bisedës me punonjësit e policisë, qytetari këmbënguli se fëmijët i ka të lidhur me rripa sigurimi dhe dy më të vegjlit janë të ulur në ndenjëset e fëmijëve. Policët i thonë se fëmijët janë nën moshën 12 vjeç dhe për këtë arsye duhet të kishin sistemet e fiksimit. Drejtuesi i mjetit i kundërshton, duke u sjellë si argument se është i gatshëm t’u paraqesë pasaportat e fëmijëve për të vërtetuar moshat, madje mund të hapin edhe çantat e shkollës për të parë se në cilën klasë vijojnë mësimin.
Telefonata me shefin
Gjatë bisedës me qytetarin, policët komunikojnë në telefon me shefin e tyre, të cilit i raportojnë se qytetari ka fëmijët e tij në makinë. Më pas ata diskutojnë me njëri-tjetrin, duke shfletuar Kodin Rrugor, për të gjetur një nen që të justifikonte masën administrative që po firmosnin. Pas kësaj bisede, qytetari me celularin e ndezur kthehet në automjetin e tij, ku qëndrojnë të ulur fëmijët dhe nipërit, të cilët presin për të shkuar në shkollë. Në pamjet që ai ka filmuar më pas në makinën e tij, dallohen fëmijët që ka në automjetin që drejtonte se, janë të ulur në sediljet përkatëse dhe janë të lidhur me rripat e sigurimit. Disa prej tyre, të cilët janë të moshës nën 12 vjeç, kishin dhe sisteme fiksimi.
Kalvari për të rimarrë lejet
Për të rimarrë lejen e drejtimit Alfred Ukaj paraqitet rregullisht në Komisariatin e Policisë së Shkodrës për ballafaqim me organin administrativ shtetëror. Nga data 17 mars 2016 deri në datën 23 mars të po këtij viti, për të nuk merret asnjë vendim. Ndërkohë, ai paraqitet rregullisht sipas orareve të caktuara nga vetë punonjësit e policisë. Për pesë ditë rresht ai paraqitet në sportelin e komisariatit të qarkullimit rrugor për të pyetur nëse do të mblidhet komisioni që do të shqyrtojë masën e vendosur ndaj tij. Çdo ditë përgjigjja në sportel është e njëjtë: Kthehu nesër! Më 24 mars 2016, organi administrativ shtetëror vendosi pezullim gjashtëmujor të lejes së drejtimit të mjetit, zbritjen e tri pikëve dhe 6000 lekë gjobë, për mosvënie të rripit të sigurimit dhe mospërdorim të sistemeve të fiksimit. Të gjitha këto masa administrative merren pa qenë prezent personi që ka bërë shkeljen. Komisioni, i përbërë nga tre anëtarë, e ka vlerësuar të drejtë procesverbalin e konstatimit nga policët, më 15 mars 2016.
Qarku Shkodër
“Fiksi” i drejtohet Drejtorisë së Policisë
Për rastin në fjalë, “Fiks Fare” iu drejtua Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, nga e cila mori dy përgjigje zyrtare. Në përgjigjen e parë, e cila është një njoftim për shtyp i datës 25 mars 2016, thuhet se shtetasi Alfred Ukaj është gjetur me shkelje dhe kjo shkelje është dokumentuar me foto, të cilat për efekt të privatësisë, i janë bashkëlidhur vendimit të organit administrativ shtetëror. Përgjigjja e dytë zyrtare që emisioni “Fiks Fare” mori nga e njëjta drejtori, më 29 mars 2016, sqaron se leja e drejtimit të mjetit pezullohet në rastet e shkeljes së Kodit Rrugor. Për rastet e pezullimit të lejes së drejtimit afati kohor është deri në 10 ditë, sipas nenit 214, pika 2 e Kodit Rrugor. Gazetarët e “Fiksit” kontaktuan me zëdhënësin e Policisë së Qarkut Shkodër, i cili ka në dorë fotot, por nuk pranon që të japë një kopje të fotografive, foto që i janë bashkëlidhur vendimit të OASH-së, pasi janë konfidenciale dhe nuk mund të shpërndahen. Nuk pranon që t’i jepen as kundërvajtësit. Ai, bashkë me gazetarët, shkojnë pranë automjetit për të parë nëse makina e shtetasit Alfred Ukaj korrespondon dhe është e njëjtë me makinën në foton që i është bashkëlidhur vendimit të OASH-së. Gjatë bashkëbisedimit, gazetarët konstatojnë se makina që ndodhet në foto nuk i ka pasqyrat në të njëjtën ngjyrë me makinën e Ukajt. Fotoja që ka zëdhënësi ka një stampë të verdhë që makina e qytetarit Ukaj nuk e ka. Madje, zëdhënësi i policisë pranon se makina në foto nuk është e njëjtë me makinën që verifikohet. Sipas tij, fotografia mund të jetë e një automjeti tjetër që i është pezulluar leja e drejtimit po në të njëjtën ditë. Gazetarët e “Fiks Fare” i kërkojnë zëdhënësit të njoftojë shefin e tij që makina e qytetarit të penalizuar nuk është e njëjtë me fotografinë që ai ka në dosje dhe zëdhënësi pranon se do ta njoftojë eprorin e tij për këtë gjë.