Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Kryeinspektori i Arsimit: Mbyllen 6 shkolla private dhe 21 kopshte e çerdhe

$
0
0

Intervista

Bashkim Muça: Situata ka ndryshuar ndjeshëm: Tashmë funksionojnë komisionet e disiplinës dhe të etikës

Shpresa Mezini

bashkim muca, kryeinspektori i ishaPas mbylljes së 12 shkollave të mesme private në muajin korrik të vitit 2014, MAS ka mbyllur edhe 6 institucione të tjera të arsimit parauniversitar jopublik. Lajmi konfirmohet nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, Bashkim Muça, në një intervistë për gazetën “Shqip”, ku sqaron se institucioni që ai drejton ka vendosur masa administrative gjobë dhe mbyllje të veprimtarisë edhe për 21 institucione të arsimit parashkollor, që ushtronin veprimtari të palicencuar. “Në dy vitet e fundit, ISHA-ja ka realizuar ndryshime thelbësore në procedurat e inspektimit, formatet e Inspektimit në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror kanë dhënë rezultate efikase në luftën ndaj informalitetit. Për herë të parë në këto dy vite janë aplikuar masa administrative me gjobë dhe mbyllje të veprimtarisë së institucioneve arsimore fiktive, ose të palicencuara”, shpjegon Muça. Mes të tjerash, kryeinspektori i ISHA-s thekson se ky institucion verifikon edhe ankesat e qytetarëve të paraqitura zyrtarisht apo nëpërmjet portalit, që fokusohen kryesisht në marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës apo të vlerësimit të dosjeve gjatë procesit të konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”.
Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka ushtruar inspektime në disa institucione të arsimit parauniversitar. Çfarë ka rezultuar nga këto inspektime?
Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA-ja) bazuar në Planin Vjetor, të miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit, ka fokusuar vëmendjen në inspektimet e plota të institucioneve të arsimit parauniversitar në drejtoritë arsimore rajonale (DAR/ZA-të) Tiranë (shkolla 9-vjeçare “Edith Durham”, shkolla 9-vjeçare “Ali Demi”), Durrës (gjimnazi “Leonik Tomeo”), Tepelenë (gjimnazi “Abaz Shehu”, shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi) me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor. Nga këto inspektime janë vlerësuar fushat kryesore të veprimtarisë si: Menaxhimi i shkollës, kurrikula e zbatuar, të nxënit dhe kujdesi ndaj nxënësit. Nga gjetjet e konstatuara na rezulton se drejtuesit e shkollave planifikojnë në mënyrë strategjike dokumentet e shkollës, si plani afatmesëm i zhvillimit të shkollës, të orientuara nga Strategjia e Zhvillimit të Arsimit Parauniveritar 2014-2020, si dhe duke pasur parasysh specifikat lokale dhe kontekstet e shkollave. Risi është fakti që shkollat janë të përfshira në procesin e zbatimit të kurrikulës së re me bazë kompetencën, duke filluar me klasat e para dhe të gjashta dhe duke vijuar me pilotimin në klasat e dyta dhe të shtata. Pjesë e vlerësimit të jashtëm të shkollës (inspektimit) është edhe klima dhe etika, si dhe kujdesi ndaj nxënësit, ku na rezulton se funksionojnë komisionet e disiplinës dhe komisionet etikës dhe sjelljes që trajtojnë problematikat që shfaqen në këto shkolla. Për secilin nga këto institucione, ISHA-ja ka bërë vlerësimin e performancës së shkollës bazuar në shkallët e vlerësimit.
Sa të monitoruara janë shkollat e mesme dhe 9-vjeçare nga autoritetet përgjegjëse shtetërore?
Institucionet e arsimit parauniversitar janë të monitoruara së pari, nga njësitë arsimore të rajoneve përkatëse DAR/ZA-të, dhe së dyti, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet dhe ISHA-së. Monitorimet përfshijnë një gamë të gjerë të veprimtarisë së shkollës si Matura Shtetërore, Provimet e Lirimit, Olimpiadat, Testimi Kombëtar i nxënësve të klasave të treta dhe të pesta, Testimi i Programit Ndërkombëtar të Arritjeve të Nxënësve PISA 2015, Procesi i votimit të mësuesve për përzgjedhjen e tekstit më të mirë, Regjistrimet e nxënësve në klasat e X të gjimnazeve, Shpërndarja e teksteve shkollore si dhe Kujdesi ndaj nxënësit.
Prindërit me mundësi ekonomike u drejtohen shkollave private, me pretendimin se janë më të sigurta për fëmijët e tyre. Pse mungon besimi për shkollat publike?
Ky konstatim nuk është i saktë. Përqindja e nxënësve që mësojnë në shkollat private është shumë e ulët në krahasim me ato të shkollave publike. Që do të thotë se niveli i besimit në shkollat publike është shumë i lartë. Kohët e fundit ka një rritje të përqindjes së numrit të nxënësve që u drejtohen shkollave publike. Po u jap një shembullin tim personal: dy fëmijët e mi mësojnë në shkollat publike (vajza në gjimnazin “Ismail Qemali” ndërsa djali në shkollën 9-vjeçare “Ali Demi”).
Videot e publikuara së fundmi në disa shkolla të sistemit parauniversitar dëshmojnë se ka mësues të dhunshëm. Ministria e Arsimit ka kërkuar raportime mujore nga drejtuesit e DAR-eve në shkallë vendi. A mendoni se kjo është mënyra për të eliminuar dhunën në shkolla?
Dhuna në shkolla është e papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht. Masat për raste të tilla janë të parashikuara në legjislacionin arsimor. Përgjegjësia për këto raste është individuale dhe Ministria e Arsimit me strukturat e saj ka marrë iniciativat dhe vendimet përkatëse. Të gjithë faktorët, ku përfshihen nxënësit, mësuesit, prindërit, media janë të mirëpritur të denoncojnë çdo rast dhunë në shkolla.
A ka MAS-i mekanizma për të testuar mësuesit në aspektin profesional apo edhe në atë të sjelljes dhe të komunikimit?
MAS-i, në dy vitet e fundit, ka realizuar përveç testimit periodik për kualifikimin e mësuesve, edhe një testim të posaçëm për identifikimin e nevojave për kualifikim të mësuesve pjesë e të cilëve ka qenë edhe situata kontekstuale për trajtimin e sjelljes së nxënësit në shkollë. Gjithashtu ekzistojnë mekanizma të plotë ligjorë, në nivel shkolle për të monitoruar dhe për të vlerësuar klimën në shkollë, si dhe për të marrë masa përkatëse.
ISHA, përveç të tjerash, ka verifikuar edhe disa nga rastet e denoncimeve në portalin stopkorrupsioni.al. Cili është fokusi kryesor i ankesave?
ISHA-ja ka qenë pjesë e verifikimit të ankesave të qytetarëve jo vetëm në portal, por edhe të çdo rasti tjetër ankimimi të paraqitur zyrtarisht. Kryesisht ankesat janë të fokusuara në marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës, për arsye të lëvizjes së normave mësimore, vlerësimit të dosjeve gjatë procesit të konkurrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”. ISHA-ja ka dhënë përgjigje për të gjitha ankimimet e ardhura zyrtarisht, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore.
Në muajin korrik të vitit 2014, MAS-i mbylli 12 shkolla të mesme private, që pavarësisht se të licencuara, nuk plotësonin kriteret e ligjshmërisë për të ushtruar këtë aktivitet. A janë ushtruar kontrolle të tjera në vazhdim?
ISHA-ja, në vijim të punës për inspektimin e zbatimit të kritereve të ligjshmërisë, në veprimtarinë e institucioneve të arsimit parauniversitar privat, përveç shkollave të sipërcituara, që janë mbyllur me propozimin tonë, ka inspektuar dhe propozuar mbylljen edhe të 6 shkollave të tjera të mesme private. Ministri i Arsimit dhe Sportit, mbështetur në këto propozime, ka urdhëruar mbylljen e veprimtarisë së tyre. Përveç kësaj, ISHA-ja ka vendosur masa administrative gjobë dhe mbyllje të menjëhershme të veprimtarisë për 21 institucione të arsimit parashkollor në qytetin e Tiranës, të cilat ushtronin veprimtari të palicencuar.
A mund të na tregoni me shifra rezultatet e arritura nga inspektimet e ISHA-s në dy vitet e fundit në institucionet e arsimit parauniversitar?
Në dy vitet e fundit, ISHA-ja ka realizuar ndryshime thelbësore në procedurat e inspektimit, formatet e Inspektimit në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror kanë dhënë rezultate efikase në luftën ndaj informalitetit. Për herë të parë në këto dy vite janë aplikuar masa administrative me gjobë dhe mbyllje të veprimtarisë së institucioneve arsimore fiktive, ose të palicencuara. Volumi i punës që lidhet me inspektimet dhe monitorimet është shumëfishuar. Vetëm gjatë vitit 2015, ISHA-ja ka realizuar: 18 inspektime të plota (7 kopshte, 7 shkolla të arsimit bazë, 4 të mesëm) në 12 DAR/ZA-të e vendit; 215 inspektime tematike në 96 kopshte dhe 38 DAR/ZA me fokus zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi; 106 inspektime të orientuara, për çështje, si: vlerësimi i zbatimit të kritereve të ligjshmërisë në shkollat social-kulturore të vendit; zbatimi i ligjshmërisë në shkollat jopublike dhe riinspektim në 10 shkolla për verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna; vlerësimi i procesit të hartimit dhe zbatimit të planit vjetor të shkollës, të planeve vjetore lëndore dhe i cilësisë në planifikimin e kurrikulës në institucionet arsimore parauniversitare për vitin shkollor 2015-2016; vlerësimi i cilësisë së procesit të hartimit të Kartës së Performancës së Shkollës; verifikimi i plotësimit të dokumentacionit shkollor në ruajtje të përhershme, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. 500 monitorime janë realizuar për: Zhvillimin e Provimeve të Maturës Shtetërore në të gjitha DAR/ZA-të; zhvillimin e Provimeve të Lirimit në 13 DAR-e; zhvillimin e olimpiadave të lëndës së matematikës në 13 DAR-e dhe lëndëve matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe informatikë në Tiranë; testimet kombëtare të klasave III dhe V në 22 DAR/ZA; zhvillimin e provimit PISA 2015; provimin e kualifikimit të mësuesve në të gjitha qendrat e provimit në Tiranë; votimin e mësuesve për përzgjedhjen e tekstit më të mirë; regjistrimin e nxënësve në klasat X, në gjimnazet e DAR-it Tiranë; shpërndarjen e teksteve shkollore; testimin e mësuesve në portalin “Mësues për Shqipërinë”; 178 shqyrtime të ankimimeve që kanë ardhur në rrugë zyrtare; 8 aktivitete dhe trajnime nga plani i zhvillimit profesional të stafit, sipas nevojave të identifikuara.
Cili është fokusi kryesor i aktivitetit tuaj në vijim?
Vlerësimi i cilësisë së sistemit arsimor, nëpërmjet zhvillimit të inspektimeve të plota është fokusi ynë kryesor. Gjithashtu monitorimi i provimeve të lirimit, Maturës Shtetërore, olimpiadave kombëtare si dhe testimit për kualifikimin e mësuesve do të jetë pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së ISHA-s deri në përfundim të vitit shkollor 2015-2016.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>