Kryeministri për “Wall Street Journal”: Nuk do të ndërtojmë mure, sepse na i kërkojnë të tjerët”
Për kreun e qeverisë, Edi Rama, Europa po vepron për ego kombëtare si të ishte federatë, duke shtuar se përballimi i krizës së emigrantëve ishte një “katastrofë”. Në një intervistë për “Ëall Street Journal”, Rama theksoi se Tirana nuk ka pikasur ende emigrantë që kalojnë përmes Shqipërisë, por vendi është i përgatitur për një gjë të tillë. Por, ndërsa thotë se nuk do të ketë mur, nga ana tjetër, Rama shton se kufijtë nuk do të jenë as të hapur. “Hapja e kufirit nuk e zgjidh problemin”, tha Rama. Por, nga ana tjetër, shefi i ekzekutivit deklaroi se Shqipëria ka marrë të gjitha masat për t’iu përgjigjur fluksit të emigrantëve sirianë, të cilët ndodhen pak kilometra larg kufirit shqiptar, në pjesën greke. Sipas tij, Shqipëria nuk do të ngrejë mure se këtë e kërkojnë të tjerët. “Ne jemi një vend i vogël, krenar dhe nuk do të ndërtojmë mur se na e kërkojnë të tjerët”- tha Rama. Situata e krijuar me refugjatët sirianë që janë vendosur prej disa ditësh në afërsi të kufirit jugor të vendit e ka vënë Shqipërinë në një gjendje alarmi, ku strukturat e sigurisë kanë përforcuar masat e sigurisë për të mos lejuar penetrimin në vendin tonë përmes fluksit të refugjatëve, të elementëve që shfaqin rrezik për terrorizëm. Për qeverinë shqiptare, duke u nisur dhe nga ngjarjet e Brukselit, vendi ynë është gjithashtu, i rrezikuar nga terrorizmi, aq sa gjithë vendet e tjera, për sa kohë Shqipëria ka qenë në gjendje të eksportojë luftëtarë, ndaj dhe ekziston rreziku se këta luftëtarë mund të rikthehen mbrapsht. Por, pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare thekson se nuk ka asnjë vend për panik. Edhe pse deklaron se Shqipëria është përgatitur për çdolloj emergjence në kufirin jugor, vendi ynë ka kapacitete të limituara qoftë për nga pikëpamja buxhetore, qoftë infrastrukturore dhe solidariteti e humanizmi i shqiptarëve në përballimin e një fluksi të tillë refugjatësh që vijnë nga vendet në konflikt kushtëzohet nga kapacitetet që kemi. Tre ditë më parë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të bënte me dije se janë përforcuar masat e sigurisë në kufirin jugor; është hartuar një plan emergjence për përballimin e orëve të para dhe ditëve të para dhe po punojmë për të pasur një plan më të gjerë. Ndërkohë që ai tha se shqetësimi edhe i partnerëve ka qenë shmangia sa më shumë të jetë e mundur e rrjeteve që bëjnë trafikimin e qenieve njerëzore.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka garancinë edhe nga partnerët europianë dhe nga BE-ja se nuk do jemi vetëm në përballimin e kësaj situate, pasi për qeverinë shqiptare, kjo është një barrë që nuk mbahet e vetme “Jemi të thirrur në kauzë për shkak të arsyeve që kanë të bëjnë me gjeografinë, korridori i Ballkanit, por edhe për shkak të përgjegjësive që mbajnë në kuadër të rrugës sonë drejt BE-së”, deklaroi Tahiri. Gjatë seancës dëgjimore, ai deklaroi se po përgatiten për fluksin e refugjatëve, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë e rrezikut që mes refugjatëve mund të infiltrohen edhe persona të rrezikshëm.
Mendoni se është i mundur një fluks emigrantësh përmes Shqipërisë?
Teorikisht, po. Praktikisht është e vështirë. Nuk ka rrugë të lehta për të ardhur në Shqipëri dhe për të gjetur më pas një shteg për në Europën e Veriut.
Si do të përgjigjeni nëse do të ketë fluks?
Nuk më pëlqen të flas me nëse. Por, sigurisht ne kemi bërë përgatitjet tona. Kapacitetet e vendit janë shumë modeste dhe nuk do të mjaftojnë për t’i bërë ballë një fluksi të konsiderueshëm.
Ne jemi gati për t’iu bashkuar çdo përpjekjeje europiane dhe ky ka qenë pozicioni ynë edhe kur Shqipëria nuk ishte as destinacion teorik.
Ju ka propozuar ndokush deri tani që të ngrini një mur?
Ne nuk punojmë në këtë mënyrë. Ne jemi një vend i vogël, krenar dhe nuk do të ndërtojmë mur (thjesht) sepse të tjerët na e kërkojnë. Ne gjithashtu e dimë se as hapja e kufijve nuk do ta zgjidhë problemin.
Ministri i Brendshëm italian dhe Komisioneri i BE-së për Emigracionin ka vizituar Shqipërinë së fundmi. Çfarë kërkuan nga ju?
Kemi punuar shumë ngushtë me italianët që në fillim. Kemi një pozicion të përbashkët: Ne nuk i hapim kufijtë dhe nuk ngremë mure. Thjesht duam një zgjidhje europiane. Sa kohë që Europa sillet si federatë me ego kombëtare, shumë do të përpiqen t’ia lënë barrën pak vendeve. Kjo nuk do të funksionojë dhe ne nuk do të luajmë ndonjë rol heroik sepse ne e dimë që kjo nuk do të ishte zgjidhje.
A do ta merrni në konsideratë që të merrni disa emigrantë për të lehtësuar situatën në Greqi?
Nuk mund të ndihmojmë asnjë (nga ana jonë) sepse nuk kemi mjete që të lehtësojmë ndokënd. (Por) Nëse Europa ka një plan, ne do të luajmë rolin tonë dhe do të bëjmë çfarë të na kërkohet. Nëse do të ketë një plan për shpërndarjen, ne jemi gati të marrim numrin tonë dhe të ndajmë peshën e përgjegjësisë.
Kapacitetet
Nuk mund të ndihmojmë asnjë (nga ana jonë) sepse nuk kemi mjete që të lehtësojmë ndokënd. (Por) Nëse Europa ka një plan, ne do të luajmë rolin tonë
Trajtimi
Sa kohë që Europa sillet si federatë me ego kombëtare, shumë do të përpiqen t’ia lënë barrën pak vendeve. Kjo nuk do të funksionojë dhe ne nuk do të luajmë ndonjë rol heroik.