
Shqipëria ka humbur në miqësoren e sotme në Vjenë kundër Austrisë me rezultatin 2-1. Kuqezinjtë janë ndëshkuar që në minutën e 6-të, teksa Mark Janko shënon golin e parë pas një këmbënguljeje të tij në zonë, falë edhe mungesës së vëmendjes së mbrojtësve kuqezinj.
Kuqezinjtë kanë filluar të sulmojnë dhe sinjalin e parë e kanë dhënë me Abrashin, i cili pas një pasimi të Lenjanit nga e majta, godet në qendër të zonës, por topi “fluturon” mbi traversë.
Në minutën e 13-të, vendësit shënojnë dhe golin e dytë me anë të Harnik, i cili lihet i lirë në zonë nga Cana me shokë për një pozicion jashtë loje, por që u mbajt në lojë nga Agolli, me Berishën që mposhtet për të dytën herë brenda 7 minutash.
Sapo fillon pjesa e dytë, Shqipëria “zgjohet”: Lenjani driblon nga e majta dy kundërshtarë dhe del i vetëm përballë portierit austriak, të cilin e mposht me një supergol.

Kombëtarja e De Biazit merr zemër dhe hidhet në kërkim të golit të barazimit, por Austria mbrohet. Ndeshja vështirësohet edhe më shumë në minutën e 78-të për kuqezinjtë, pasi Kaçe merr kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Shopf dhe del jashtë me karton të kuq.
De Biazi bën disa zëvendësime në sulm, duke futur Sadikun dhe Çikalleshin, por pa asnjë rezultat. Austria fiton 2-1, teksa në fund mund të kishte shënuar dhe golin e tretë nëse Berisha nuk do të bënte një ndërhyrhe vendimtare.
26 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)