Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi gjatë një deklarate për mediat në Këshillin Kombëtar, të kësaj force politike, është shprehur mjaft i zhgënjyer nga vizita e ministrit të Jashtëm Bushati në Greqi, pasi nuk e ngriti publikisht çështjen çame, por vetëm në takimin e mbyllur me homologun e tij në Athinë.
“Ai duhej ta përmendte çështjen çame në deklaratën me homologun grek. Ruajtja dhe avancimi i standardit nuk mund të bëhet vetëm ne takime me diplomatët por edhe me opinionin publik,” deklaroi Idrizi. Kreu i PDIU është ndalur edhe te cështja e varrezave greke, duke rikonfirmuar vendimin se nëse nuk do të ndërtohen varrezat e shqiptarëve në Çamëri do të pengohet ngritja e atyre greke në Shqipëri.
“Fatkeqësisht diplomacia jonë çalon. Nëse pala greke pretendon për varre greke, qeveria jonë nuk vendosi përballë kërkesën për varret e partizanëve dhe viktimave të vrarë në Shqipëri Është problemi i palës shqiptare që nuk vendos reciprocitetin. Për sa kohë që eshtrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë të masakruar të mos prehen në varreza normale në Greqi, nuk do të lejojmë që të ngrihen varrezat e ushtarëve grekë ne territorin e Shqipërisë,” tha Idrizi. Në fund të deklaratat, Idrizi tha se deputetja Mesila Doda pasi largimit nga Partia Demokratike, i është bashkuar PDIU-së.
Doda gjatë fjalës së saj shpjegoi arsyet e bashkimit me PDIU, pse u largua nga PD dhe nismat e së ardhmes me partinë e re. “Prania ime në këtë sallë nuk është surprizë dhe e panatyrshme. Në vitin ’90 ishte vullneti për të ndryshuar realitetin e diktaturës dhe dhunës, dëshira për një atdhe më të mirë, por Shqipëria sot është e varfër dhe e gjymtuar.Rrugën që kam nisur me PDIU do ta gjykojë koha.
Me PDIU kemi ndërmarrë një sërë nismash për dekomunistizimin. Nisma më e fundit është për heqjen e dekoratave të komunizmit. Kryeministri nuk e ngriti komisionin për hapjen e dosjeve, futi në kalendarin grek, ligjin për dekoratat. Demokratët nuk u paraqitën në këshillin e legjislacionit për heqjen e medaljeve të komunizmit, duke harruar arsyen e krijimit dhe ekzistencës në politikë. Tre nismat ligjore që kemi paraqitur janë vetëm fillimi i punës, në vijim do të ketë nisma që ndalojnë rritjen e diktatorëve pak nga pak për ditë” tha Doda.
26 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)