Pyetja – “Nëse partia fiton zgjedhjet parlamentare dhe kryetari i saj është Kryeministër, a quhet legjitim vazhdimi i mandatit si kryetar partie? Po apo jo”, është pikërisht kjo pyetja që do të jetë në fletën e votimit.
ARTEMISA HOXHA
Debati i zhvilluar në përfundim të mbledhjes së Kongresit, i cili votoi për zhvillimin e një referendumi në parti në lidhje me legjitimitetin e mandatit të kryetarit të partisë, ku protagonistët kryesorë ishin Edi Rama dhe Ben Blushi, u spostua edhe në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist. Ka qenë deputeti Blushi, i cili i ka kërkuar Ruçit të dijë për teknikalitetet, përfshirë pyetjen së cilës baza socialiste do t’i japë përgjigje sikurse a do të ketë fushatë nga kërkuesi i referendumit. Ruçi mësohet të jetë përgjigjur se nuk do të ketë fushatë dhe se çdokush është i lirë të zhvillojë një të tillë nëse dëshiron, duke thënë në të njëjtën kohë edhe pyetjen zyrtare për të cilën anëtarësia do të votojë në Referendumin e 9 prillit. “Nëse partia fiton zgjedhjet parlamentare dhe kryetari i saj është Kryeministër, a quhet legjitim vazhdimi i mandatit si kryetar partie? Po apo jo”, është pikërisht kjo pyetja që do të jetë në fletën e votimit. Edhe pse pyetja ishte e drejtuar për kreun e partisë, Edi Rama, ai nuk ka folur në mbledhje, ndryshe nga një mbledhje më parë, ku mes tij dhe Blushit nuk kanë munguar tonet e ashpra dhe tensionet në komunikim. Kjo përgjigje ka ardhur pikërisht nga pyetja e Blushit, por njëherësh edhe të deputetëve që kanë kërkuar zgjedhje në parti. Deputetja Arta Dade i ka kërkuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçit, të informohet mbi të. Përgjigjja e Ruçit ka qenë e prerë, u miratua në Kongres dhe s’ka vend për paqartësi. “Për aq kohë sa anëtarësia është thirrur të japë një mendim në referendum, PS nuk ka përse bën fushatë. Por, kush të dojë të ndërmarrë një fushatë, është i lirë ta bëjë”, – ka thënë ai. Ndërkohë që deputetja e Shkodrës, Mimoza Hafizi, mësohet se ka kërkuar sqarime pse u votua në parim dhe jo nen për nen, por ka marrë si përgjigje se kështu është votuar gjithnjë. Po në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, edhe deputetja Valentina Leskaj është shprehur se është kundër Referendumit, duke iu bashkuar tre ministrave të tjerë Saimir Tahirit, Lindita Nikollës dhe Ditmir Bushatit të cilët e shikojnë çështjen e Referendumit më shumë si një debat artificial sesa diçka që i shërben partisë që ka ardhur në pushtet falë zgjedhjeve.
Largimet nga Asambleja
Në listën e kandidatëve për Asamblenë Kombëtare mungonin emra të njohur si Et’hem Ruka, Maqo Lakrori, Ndre Legisi, Ilir Zela, Luan Hajdaraga, Mezan Malaj, Suzana Hakrama e Petrit Ago. Një pjesë e tyre njihen si pjesë e të ashtuquajturit grupi ‘Blushi’, gjë që ngriti dyshimet për një spastrim të kundërshtarëve të Ramës, të cilët dolën hapur për zgjedhjet në parti. Emra të tjerë që nuk janë zgjedhur nga delegatët janë; Adriana Berberi, Agron Dibra, Artan Shkëmbi, Bashkim Zeneli, Besnik Dervishi, Ilir Zela, Keti Bazhdari, Kiço Londo, Ndriçim Hysa, Petrit Malaj apo Theodhori Sallaku. Listës së fituesve i mungon edhe emri i drejtoreshës së Tatimeve, Brisida Shehaj, ndërkohë që vëllai i saj është anëtar i ri në Asamble. Gjithsei nga 174 emrat e anëtarëve të rinj të Asamblesë të votuar mbrëmjen e 19 marsit, nga të gjitha listat e qarqeve, më interesantja është ajo e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës. Kështu nëpërmjet listës të Tiranës, janë futur në asamble një numër i konsiderueshëm figurash të njohura publike, që mbajnë pozicione zëvendësministrash, drejtorësh e administratorë njësish. Më konkretisht, pjesë e listës është bërë Elona Gjebrea, zëvendësministre e Brendshme; Eridian Salianji, zëvendësministër i Drejtësisë; Stefan Cipa, zëvendësministër i Brendshëm; Alfred Dalipi, zëvendësministër i Zhvillimit Urban.
Debatet në grupin e PS-së
Blushi: Ju mund të na shpjegoni se cilat janë teknikalitetet e Referendumit. Ne nuk dimë as pyetjen që baza socialiste do të shkojë për referendum më 19 prill. A do të ketë fushatë për këtë Referendum?
Dade: Nuk mund të vazhdohet me referendumin për sa kohë statuti është votuar në parim dhe jo nen për nen.
Ruçi: Për aq kohë sa anëtarësia është thirrur të japë një mendim në referendum, PS nuk ka përse bën fushatë. Por, kush të dojë të ndërmarrë një fushatë, është i lirë ta bëjë. Sa për pyetjen e bëmë të qartë në kongres, por po e përsërisim ashtu siç e parashikon neni 74. Nëse partia fiton zgjedhjet parlamentare dhe kryetari i saj është Kryeministër, a quhet legjitim vazhdimi i mandatit si kryetar partie? Po apo jo…
Hafizi: Unë e ngrita si pyetje edhe në kongres, por po e ngre sërish këtu, pse nuk u votua statuti i ri nen për nen, por vetëm në parim?
Ruçi: Ashtu është votuar përherë, tashmë nen për nen e miraton grupi i punës.
Kokëdhima (lexon procedurën e çuarjes së mandatit në Kushtetuese): Nga ju kolegë dua një përgjigje korrekte, përse mandati im u dërgua në Kushtetuese? Nuk ndodhi kështu me kolegun tjetër… Ka një shpjegim kur ju as nuk më lajmëruat??
Baraj: Unë dua t’i kujtoj kolegut Kokëdhima 21 janarin, ku unë votova pro heqjes së imunitetit për t’u vënë përballë drejtësisë. Këtë shembull duhet të ndiqte dhe kolegu ynë, ta linte vetë mandatin…
Ruçi: Rendin e ditës të seancës plenare e përcakton Ilir Meta. Unë të shpjegova sipas rregullores, më tej llogari kërkojini kryeparlamentarit.