Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Qeveria merr lirë borxhin, bonot e thesarit me interes 1.59%

$
0
0

 

Buletini_viti_2015_1-22Bankat, “të uritura” për letra me vlerë. Dje, u shitën 13.2 miliardë lekë bono 1-vjeçare

Bonot – Bonot 12-mujore u emetuan me një interes mesatar prej 1.59%, nga 1.67% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm

Obligacionet – Rënie më të madhe pësuan obligacionet 2-vjeçare. Ato u emetuan me një interes prej 1.9%, nga 2.3% që ishte më parë

Oferta – Interesi i bankave dhe i institucioneve financiare për blerje ishte i lartë. Oferta totale arriti në 20.75 miliardë lekë.

Zamir Alushi

Rënie rekord e interesave të bonove të thesarit dhe të obligacioneve të qeverisë. Në ankandet e zhvilluara dje në Bankën e Shqipërisë, për shitjen e bonove të thesarit me afat 12-mujor dhe obligacioneve 2-vjeçare, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, bankat rritën kërkesën duke synuar investimin pa risk në letrat me vlerë. Bonot 12-mujore u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 1.59%, nga 1.67% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Rënie më të madhe pësuan obligacionet 2-vjeçare. Ato u emetuan me një interes mesatar prej 1.9%, nga 2.3% që pati qenë interesi në ankandin e muajit të kaluar. Interesat e obligacioneve janë ulur me 3.1 pikë përqindjeje, brenda një viti. Në ankandet e djeshme, shuma e shpallur për financim ishte 13.2 miliardë lekë, ndërsa oferta totale arriti në 20.75 miliardë lekë. Në nëntor të vitit 2015, Republika e Shqipërisë arriti të afirmohet sërish pas 5 vitesh në tregjet ndërkombëtare të kapitalit duke emetuar Eurobond në vlerën 450 milionë euro me një normë interesi të favorshme (5.75%). Si pjesë integrale e strategjisë së qeverisë për uljen e kostos së borxhit është emetimi i Garancisë Pjesore të Bankës Botërore, si dhe rifinancimi me sukses i Eurobondit ekzistues gjatë vitit 2015. Këto instrumente kanë rritur likuiditetin në buxhetin e qeverisë dhe kanë ulur ndjeshëm presionin në tregun e brendshëm, duke i dhënë frymëmarrje burimeve të limituara të këtij tregu dhe duke krijuar kushtet e përshtatshme për përmirësimin e strukturës së borxhit të brendshëm. Në të njëjtën kohë, kjo praktikë ndikon në rritjen e stabilitetit të normave të interesit për periudhën në vijim. Nga ana tjetër, politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë është ndjekur nga ulja e normave të interesit të instrumenteve financiare në lekë. Kjo tendencë është forcuar më tej në tremujorin e katërt 2015, si pasojë e reduktimit të huamarrjes publike në tregjet e brendshme. Manovra për çlirimin e flukseve të mëdha të likuiditetit në tregun e brendshëm financiar, i ka dhënë efektet menjëherë. Sipas planit buxhetor për 2016-n, qeveria synon ruajtjen e balancës midis kostos dhe riskut, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve. Borxhi publik arriti në rreth 72.2% të PBB-së në fund të vitit 2015, me një rritje prej rreth 0.4 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Në terma të strukturës, si rezultat i fokusimit të qeverisë në financimin e deficitit nga burime të huaja, borxhi i mbajtur nga jorezidentët është rritur në rreth 34.0% të PBB-së, ndërsa ai i brendshëm është zvogëluar në 38.2%. Në përbërjen e borxhit të brendshëm, pati një rritje të peshës së borxhit afatgjatë dhe një zvogëlim të peshës së borxhit afatshkurtër. Për sa i përket mbajtësve të borxhit për vitin 2016, pritshmëritë janë pozitive në kuadër të diversifikimit të portofolit të borxhit. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë vitit të ardhshëm pritet një rënie në stokun e borxhit të mbajtur nga bankat kryesore dhe një rishpërndarje e kësaj peshe tek institucionet e tjera jo bankare dhe tek individët. Vitin e kaluar, pesha e bankave në borxhin e brendshëm u ul nga 61.53% në 58.2%. Edhe pesha e Bankës së Shqipërisë u ul nga 11.26% në 9.91% të totalit të borxhit tregut të letrave me vlerë. Institucionet financiare jo banka e rritën lehtë praninë e tyre në tregun e letrave me vlerë nga 15.11% në 16.98% të totalit. Rritja më e madhe në treg erdhi nga blerjet e individëve që u shtuan nga 11.92% në 14.83% të totalit. BSH ka ulur normën bazë të interesit dy herë gjatë vitit 2015, duke zbritur në nivelin 1.75% në fund të vitit, nga 2.25% në fillim të tij. Për të përforcuar përcjelljen e stimulit monetar, Banka e Shqipërisë ka rritur injektimin e likuiditetit. Gjatë vitit 2015, likuiditeti i injektuar ka qenë rreth nivelit mesatar 29.5 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 5 miliardë lekë nga një vit më parë dhe rreth 11 miliardë lekë kundrejt periudhës 2011-2013. Këto masa i kanë shtyrë investimet e bankave dhe institucioneve financiare drejt bonove, sepse kreditimi ka ende perceptim të lartë të rrezikut.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>