Trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi, ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjet miqësore kundër Austrisë dhe Luksemburgut në prag të Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Tekniku do të grumbullojë vetëm Rashicën për ndeshjen ndaj Luksemburgut sa i takon aktivizimit të futbollistëve të rinj, pasi më parë do të luajë me kombëtaren e Shpresave së bashku me Rrahmanin, Latifin dhe Manajn në ndeshjet deizive eliminatore për “Euro 2017”.
“Janë testet e fundit që kemi, nuk kemi shumë ndeshje për të bërë verifikime. Dyhet të shohim gjendjen e Memushajt që ka pësuar një dëmtim me Peskarën, sot do të bëjë testin radiografik. Pastaj kemi Hysajn që ka humbur xhaxhain, pastaj Lilën që ka një ndeshje sot në Greqi me PAS Janina”, – tha De Biazi.
Më pas, trajneri kuqezi theksoi se “nëse do kisha mundësi do grumbulloja Rrahmanin, Manajn, Rashicën e Latifin, por nuk i kam planifikuar, sepse kanë dy ndeshje të rëndësishme me U-21. Vetëm Rashica do të jetë ai që do të grumbullohet me ne për këto teste miqësore. Zgjedhjet e mia janë në funksion të ekipit dhe jo në funksion të simpative të ndryshme individuale”.
Po ashtu, De Biazi ka pranuar gjatë konferencës për shtyp se nuk ka grumbulluar për këto ndeshje mesfushorin Alban Meha dhe sulmuesin hami Salihi, duke pohuar se zgjedhjet i bën në të mirë të kombëtares dhe skemave të tij të lojës.
Akuzave të drejtorit të përgjithshëm të Partizanit se trajneri nuk vjen të shikojë ndeshjet e skuadrës së kuqe në stadium, De Biazi iu përgjigj: “Unë jam mësuar të mos i fus hundët në punët e tjerëve, sikundër dua që edhe të tjerët të mos i fusin hundët në punët e kombëtares, edhe pse ajo është e të gjithëve. Unë bëj zgjedhjet e mia, ai bën punën e tij”.
Lojtarët e grumbulluar
Portierë: Etrit Berisha, Orges Shehi, Alban Hoxha.
Mbrojtës: Arlind Ajeti, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Mërgim Mavraj, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Ansi Agolli, Frederik Veseli.
Mesfushorë: Herolind Shala, Migjen Basha, Ledian Memushaj, Ergys Kaçe, Andi Lila, Odise Roshi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Taulant Xhaka, Armir Abrashi.
Sulmues: Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku, Bekim Balaj, Sokol Çikalleshi, Milot Rashica (i grumbulluar vetëm për ndeshjen ndaj Luksemburgut).
21 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)