Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Kufoma e Dajtit u torturua para se të qëllohej me dy plumba në zemër dhe në kokë

$
0
0
Kufoma ne Dajt (1) Kufoma ne Dajt (2) Kufoma ne Dajt (3)

Priskë, Tiranë. Bariu gjen një kufomë të dekompozuar. Viktima 35 deri në 40 vjeç, ishte goditur me sende të forta para se të vritej. Dyshime për larje hesapesh. I merren shenjat e gishtërinjve, analizë ADN-je dhe panorameksi i gojës (grafi dhëmbë e dhëmballë). Nuk është Stafuka i Fushë-Krujës

Kufoma – Kufoma e seksit mashkull është nga 35 deri në 40 vjeç dhe kishte një gjatësi prej 1 metër e 80 centimetrash

Shenja gishtash – Pranë Policisë Shkencore janë dërguar shenjat e gishtërinjve të kufomës, për të mësuar nëse është proceduar më parë për ndonjë vepër penale

Mariglen Mullai

Qeni i një bariu në Dajt nuhati kufomën e një burri dhe kur çobani zbuloi gropën gjeti mbetjet e viktimës, pasi mendohet se ka vdekur para gjashtë muajsh nga torturat dhe dy plumba. Zbulimi u bë pasditen e së dielës në afërsi të fshatit Priskë, teksa ende nuk ka asnjë të dhënë rreth identitetit të këtij personi. Pranë Mjekësisë Ligjore janë paraqitur rreth 10 familjarë të personave që janë shpallur të zhdukur, por nga këqyrjet paraprake të kufomës, asnjëri prej tyre nuk ka pohuar se bëhej fjalë për të afërmin përkatës. Për të mundësuar identifikimin po kryhet ekspertiza e plotë, si e ADN-së ashtu edhe e dhëmbëve. Paraprakisht, mjekoligjorët dyshojnë se është torturuar dhe më pas është qëlluar në zemër dhe kokë me dy plumba pistolete. Një ndër pistat më të besueshme, ku është orientuar hetimi, është ajo e vrasjes për larje hesapesh. Marrja e informacionit dhe vrasja për pazaret e drogës mendohet se është dinamika e kësaj ngjarjeje. Specialistët kanë marrë nga kufoma shenja gishtërinjsh, të cilat i dërguan për ekzaminim pranë Policisë Shkencore, për të mësuar nëse bëhej fjalë për ndonjë person me precedentë të mëparshëm penalë.

Gjetja e kufomës

Një bari që po kulloste bagëtinë në rrugën e fshatit Priskë, afër malit të Dajtit, në Tiranë, me të parë që qeni nuhaste dhe lehte te një vend ku dheu ishte i hedhur, vendosi të gërmonte aty. Trupi gjysmë i dekompozuar nuk ishte varrosur shumë thellë dhe sapo bariu nisi gërmimin, hasi në trupin e tij. Më tepër dekompozim kishte marrë pjesa e kokës, ndërsa ishte vetëm me mbathje dhe asnjë rrobë tjetër në trup. Kufoma e seksit mashkull nga 35 deri në 40 vjeç kishte një gjatësi prej 1 metër e 80 centimetra. Përpos tij, në varrin e sajuar, nuk ndodhej asnjë send tjetër. I alarmuar nga ajo çka gjeti bariu njoftoi 129-n dhe lajmërimi i Sallës Operative mundësoi dërgimin e ekspertëve të Komisariatit Nr. 4 dhe Mjekësisë Ligjore, drejt vendit të ngjarjes. Kufoma u transportua menjëherë drejt morgut të kryeqytetit, ku nisi ekspertiza paraprake. Specialistët kanë përcaktuar paraprakisht se vdekja ka ardhur nga goditjet me plumba dhe kur është torturuar ishte ende gjallë.

Ekspertiza: U vra

Ç’ka dallonte në trupin e pajetë ishte një shenjë e madhe në pjesën e pasme të kokës, për të cilën burimet nga Mjekësia Ligjore i thanë gazetës “Shqip” se është shkaktuar nga goditje me sende të forta. Nga një analizim paraprak, bazuar mbi këqyrjen e kufomës, dyshohet se viktima është goditur me grushte, shkelma apo sende të forta gjatë transportit për në Dajt. Siç duket, rasti është thuajse identik me zhdukjen dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës. Më tej, burimet citojnë se plagët në kokë janë shkaktuar para vrasjes, teksa vdekja i ka ardhur nga dy plumbat fatalë, një në kokë e një në zemër. Për të mbuluar çdo gjurmë, autorët e kanë groposur kufomën rreth 50 metra larg rrugës së fshatit Priskë dhe po të mos ishte për qenin e bariut, ai ende nuk do të ishte gjetur.

Puna për identifikim

Për shkak se në trup nuk kishte asnjë rrobë tjetër përveç të brendshmeve, mjekoligjorët përcaktuan fillimisht elementet bazë si gjatësia dhe mosha, teksa nisën procedurat për identifikim. Kur shkuan në morg familjarët e Enver Stafukës (i rrëmbyer në Durrës), ekspertët kërkuan një panorameks të gojës (grafi dhëmbë e dhëmballë). Por krahasimi nxori që nuk bëhej fjalë për të, shtuar edhe fakti se nuk përputhej gjatësia. Edhe familjarëve të këngëtarit Renato Hamza, nga Elbasani, iu kthye e njëjta përgjigje, pasi u mësua paraprakisht se nuk bëhej fjalë për të. Në sitë po kalojnë edhe materialet që kanë sjellë disa familjarë të personave të tjerë që janë shpallur të zhdukur. Po krahasohen panoramekset e tyre dhe, nga ana tjetër, është dërguar për t’u kryer edhe analiza e ADN-së. Nga ana tjetër, mësohet se kufomës është arritur t’i merren shenjat e gishtave për të bërë krahasimin e tyre me kartelat daktiloskopike në regjistrin penal, për të evidentuar nëse rezulton person i skeduar, çka do të ndihmonte në identifikimin e tij. Të gjitha drejtorive të policive në qarqe u është kërkuar informacion rreth denoncimeve për persona të zhdukur në harkun kohor të nëntë muajve të fundit, në mënyrë që familjarët e këtyre shtetasve t’u bëhet paraqitja për njohjen e kufomës. Të njëjtat burime pranë Mjekësisë Ligjore shtuan se në bashkëpunim me Policinë Kriminale, po kryhen veprimet e duhura që kanë të bëjnë kryesisht me karakteristikat trupore. Nga ana tjetër, mësohet se pranë Policisë Shkencore janë dërguar shenjat e gishtërinjve të kufomës, për të mësuar nëse është proceduar më parë për ndonjë vepër penale. Më tej, i kërkohet çdo familjari që ka denoncuar humbjen e njerëzve të dashur, që të paraqiten pranë Mjekësisë Ligjore.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>