Mesazhi. Sekretari Amerikan i Shtetit për politikanët kosovarë: Vazhdoni të ecni përpara. Reagon Isa Mustafa: Vizita e Kerry-t në Tiranë, edhe për Kosovën
Herion Mesi




Shtetet e Bashkuara të Amerikës shmangin influencimin e tyre në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen sot në Kosovë. Edhe pse u përfol se në vizitën që sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të zhvillohej dhe një takim informal në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, mes tij dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi kjo gjë nuk ka ndodhur. Shkak i këtij mostakimi është vetë kandidimi i Hashim Thaçit për postin e presidentit të Kosovës dhe për këtë arsye, shefi i diplomacisë amerikane preferoi që të shmangë çdo ndikim të mundshëm në përzgjedhjet që do të bëjë Kuvendi i Kosovës të pasuesit së Atifete Jahjagës në krye të shtetit. Por edhe pse “refuzoi” një takim me kandidatin për president, sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë do ta gjente momentin për t’i përcjellë Kosovës mesazhin e popullit dhe qeverisë amerikane. Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, pasi doli nga Muzeu Historik, ku zhvilloi një takim me një grup të shoqërisë civile, Kerry theu protokollin duke iu afruar turmës që ndodhej pak metra më tutje, ku ishin mbledhur qytetarët shqiptarë. Por në mesin e tyre gjendej edhe një qytetar nga Kosova, i cili kishte ardhur në Tiranë për vizitën e zyrtarit amerikan dhe Kerry do ta shfrytëzonte këtë mundësi për t’i dhënë qytetarit kosovar edhe një porosi për vendin e tij, të cilin e ftoi që të vazhdojë përpara në rrugën e nisur. “Kënaqësi që pata mundësinë t’ju vizitoj. Admirojmë gjithçka që po punoni. Faleminderit shumë, shumë, shumë faleminderit për mikpritjen e ngrohtë. Faleminderit Kosova! Meqë jeni nga Kosova, dua të jap një mesazh për popullin tuaj: Vazhdoni të ecni përpara. Faleminderit!”, u shpreh sekretari Kerry. Dhe pas këtij mesazhi që i dha qytetarit nga Kosova, kryediplomati amerikan u drejtua për në aeroportin “Nënë Tereza”, për të përmbyllur pas katër orësh vizitën e tij zyrtare në vendin tonë.
Reagimi i Mustafës
Për aleatin e Hashim Thaçit në koalicionin qeverisës, Isa Mustafa, vizita e djeshme e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Shqipëri, është një mundësi e mirë për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për vendet e rajonit. Në një prononcim dhënë dje për “Top Channel”, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se vizita e sekretarit amerikan do të ketë efekt në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të qeverisë amerikane me atë të Shqipërisë. “Unë e konsideroj një vizitë tepër të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo, sepse flet për kujdesin që SHBA-ja ka për këtë rajon, për zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik, integrimet tona euroatlantike. Por, po ashtu edhe për thellimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me këto vende. Sa i përket Kosovës, ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë atë që qeveria amerikane e populli amerikan kanë bërë për ne. Kemi nevojë që ta thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin. Jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur kohët e fundit, lidhur me angazhimin e sektorit privat amerikan në sektorin e energjisë në Kosovë, ndaj dhe presim edhe investime të tjera. Unë e konsideroj lart dhe e vlerësoj lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për këtë rajon. Konsideroj se, vizita e tij do të ketë efekte në thellimin e bashkëpunimit të qeverisë amerikane me qeverinë e Shqipërisë, por edhe me qeverinë e Kosovës”, tha Mustafa. Edhe pse Kerry, gjatë takimeve të tij me krerët e shtetit shqiptar shmangu ndonjë deklaratë për Kosovën, Mustafa theksoi se këto mesazhe ai i ka dhënë gjatë vizitës që zhvilloi tre muaj më parë në Prishtinë dhe, sipas tij, që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar në realitetin politik të Kosovës. “Unë mendoj se mesazhin ne e kemi marrë shumë qartë, kur ka qenë këtu zoti Kerry. Asgjë nuk ka ndryshuar nga pikëpamja e gjendjes, por edhe nga pikëpamja e cilësisë së mesazhit, sepse ka qenë një mesazh shumë i fuqishëm, i cili ka dhënë orientimet sesi ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe çfarë është zotimi e përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ne”, tha Kryeministri i Kosovës. Ndërkohë ai shtoi se, Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të kultivojnë raportet me Shtetet e Bashkuara, si aleati më i fuqishëm i shqiptarëve në botë.