Vlerësim për reformën e energjisë. Kritikë për të ardhurat
Misioni
Bisedimet – Delegacioni vizitoi Tiranën gjatë periudhës 17-30 qershor 2015, për shqyrtimin e pestë të Marrëveshjes së Fondit
Rënia – “Mosrealizimi i të ardhurave, për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe të dobësive në administrimin tatimor”
PBB – “Shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të vazhdojë rimëkëmbjen e moderuar në 2015-n, duke arritur 2,5% deri në 3%
Programi – Sipas FMN-së, në përgjithësi, programi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të ketë progres.
Kreditimi – Sipas FMN-së, rritja e kreditimit po rigjallërohet, por vazhdon të mbetet e ulët”
Inflacioni – Inflacioni pritet të mbetet i ulët, për shkak se prodhimi vazhdon të jetë nën potencial
Zamir Alushi
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i drejtuar nga Nadeem Ilahi, shtyn në një afat të pacaktuar nxjerrjen e deklaratës përfundimtare, pas bisedimeve me palën shqiptare. “Diskutimet do të vazhdojnë për ta përfunduar shqyrtimin e pestë të EFF-së”, kështu nënvizohet në deklaratën e FMN-së që u shpërnda mbrëmë nga zyra e misionit, ku lihej e hapur çështja e miratimit të këtij dokumenti që i dërgohet për miratim Uashingtonit, para disbursimit të këstit të radhës. Delegacioni vizitoi Tiranën gjatë periudhës 17-30 qershor 2015, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e pestë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë. Në fund të vizitës, Ilahi bëri deklaratën ku theksohen disa mosrealizime, që mund të jenë bërë shkak për shtyrjen. “Ka pasur një mosrealizim në të ardhurat fiskale për periudhën janar-maj, në krahasim me buxhetin, për shkak të rënies së çmimeve dhe prodhimit të naftës dhe për shkak të dobësive në fushën e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet dhe në fushën e administrimit tatimor”, nënvizon deklarata. “Autoritetet na kanë bërë të ditur angazhimin e tyre për të arritur objektivin e deficitit fiskal për vitin 2015. Konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016, për të siguruar që Shqipëria të ecë në rrugën e saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë në kohë të borxhit”, shprehet Ilahi. Në lidhje me Bankën e Shqipërisë, Ilahi deklaron se, politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, në përputhje me mandatin për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. “Rritja e kreditimit po rigjallërohet, por vazhdon të mbetet e ulët, e prekur nga niveli i lartë i kredive problematike dhe dobësitë në fushën e ekzekutimit të kontratave”, thekson Ilahi. Qeveria, së bashku me Bankën e Shqipërisë, po hartojnë një strategji gjithëpërfshirëse për të zgjidhur çështjen e kredive me probleme. Ndërkaq, zbatimi i reformës në sektorin energjetik, sipas Ilahit, ka qenë i mirë dhe do të lehtësojë barrën mbi financat publike këtë vit. “Vjedhja e energjisë elektrike është zvogëluar ndjeshëm dhe reformat në shoqëritë shtetërore të energjisë elektrike po ecin sipas planit. Mbajtja e angazhimit për reformën është kritike për të siguruar që sektori nuk do të varet më nga mbështetja buxhetore”, thekson Ilahi. Misioni i FMN-së vëren se, në përgjithësi, qeveria i ka zbatuar reformat. “Programi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të ketë progres”, nënvizon deklarata. Lidhur me rritjen ekonomike, FMN bën një rishikim në ulje. “Shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të vazhdojë rimëkëmbjen e moderuar në vitin 2015, duke arritur 2,5 deri në 3%. Rritja ekonomike do të nxitet nga rimëkëmbja e qëndrueshme e kërkesës së brendshme, vazhdimi i investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe nga një rritje graduale e huadhënies bankare. Inflacioni pritet të mbetet i ulët, pjesërisht për shkak se prodhimi vazhdon të jetë nën potencial”, deklaron Ilahi. Në këtë mënyrë, qeveria nuk ka arritur të bindë FMN-në se të ardhurat janë rritur. Ministria e Financave arriti që të kompensojë në total mungesën e realizimit të planit në Dogana dhe Tatime duke mbledhur disa të ardhura shtesë jo tatimore nga institucionet buxhetore. Por, kjo nuk mund të mbulonte dështimin. Në këtë situatë, qeveria është vënë në vështirësi pasi rritja e taksave dhe tatimeve me paketën fiskale 2015 nuk po jep rezultat. Pikëpamja e FMN-së, e shprehur nga Ilahi, është se qeveria duhet të zgjerojë bazën e tatimpaguesve, të reformojë financat dhe administrimin. Nga ana tjetër, mungesa e të ardhurave, do ta shtyjë FMN-në që të kërkojë nga qeveria në fund të vitit një rritje të re taksash. Çfarë do të kërkojë FMN në kohën shtesë të bisedimeve? Përgjigjja është te treguesit fiskalë.
Ky shkrim FMN shtyn diskutimet me qeverinë, misioni kthehet në Uashington u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.