Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Beteja për Vorën, LSI-ja i kërkon KQZ-së pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve

$
0
0

Ankimet – Sot merret vendimi i shtatë anëtarëve. Zguri: Është hera e parë që na paraqiten kërkesa të këtyre përmasave

HERION MESI

Kryetarja e KQZ Lefteri Luzi Lleshi dhe anetaret, Denar Biba, Edlira Jorgaqi, Gezim Leveshnja, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri, gjate nje mbledhje te KQZ, ku jane miratuar disa ndryshime ne udhezimin "Per detyrat e Policise se Shtetit dhe Forcave te Ushtrise ne Zgjedhje", ne kuader te pergatitjeve per zgjedhjet vendore te 21 qershorit./r/n/r/nChairwoman of the Central Election Commission and members Lefteri Luzi Lleshi, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri, during a meeting of the Central Election Commission.

Lëvizja Socialistë për Integrim i kërkon zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që zgjedhjet në Bashkinë e Vorës të shpallen të pavlefshme. Për këtë çështje, kjo forcë politike ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve vendore në KQZ, pasi, sipas LSI-së, në Bashkinë e Vorës ka pasur lista fiktive të zgjedhësve. Në kërkesën ankimore që kjo forcë politike ka depozituar në KQZ, pretendohet se humbja e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Luan Sallaku, lidhet me listat fiktive të zgjedhësve në këtë bashki. Në kërkesën e LSI-së evidentohen dokumentet përkatëse që, sipas kësaj force politike, vërtetohet regjistrimi i qytetarëve në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që i janë drejtuar edhe prokurorisë për të hetuar rreth kësaj çështjeje dhe ku është mbledhur informacioni i nevojshëm që vërteton këtë pretendim. Po ashtu, LSI-ja ngre në kërkesën e saj, që u pranua për shqyrtim nga institucioni më i lartë zgjedhor në vend, edhe shqetësimin e blerjes së votës në këtë bashki. “Në disa qendra votimi ka pasur votues fiktivë. Në Vorë rezulton se nga 29.09.2014-12.05.2015 janë regjistruar 745 shtetas, nga të cilët 587 ishin persona me të drejtë vote. Lejet e banimit për ta janë dhënë në kundërshtim me ligjin, ndërsa deklaratat noteriale janë bërë nga punonjës të bashkisë”, thuhet në ankimimin e LSI-së për zgjedhjet për Bashkinë e Vorës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ankimimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim i përmbush të gjitha rregullat dhe në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja vendosi me shtatë vota pro që kjo kërkesë do të shqyrtohet sot në mbledhjen e radhës, të datës 1 korrik. Në përfundim të numërimit të votave, fitues rezultoi kandidati i koalicionit të djathtë, Fiqiri Ismaili, me një diferencë të ngushtë, kundrejt kandidatit të LSI-së, Luan Sallaku. Situata parazgjedhore në Vorë u shoqërua me tensione, pas akuzave të LSI-së ndaj kandidatit Ismaili, për shtim fiktiv të listave të votuesve në këtë zonë zgjedhore. Për këtë arsye, kandidati i majtë, Sallaku, menjëherë pas mbylljes së numërimit të kutive, deklaroi se nuk e pranon rezultatin, duke u shprehur se nuk do ta njohë atë dhe do ta ankimonte atë. Kandidati i PD-së, Fiqiri Ismaili, fitoi me 230 vota më tepër në krahasim me kandidatin e ASHE-së të propozuar nga LSI-ja, Luan Sallaku, në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor, i cili mori 7916 vota, ndërkohë që Ismaili mori 8171 vota në këtë përballje për drejtimin e Bashkisë së Vorës.

Precedenti

Klement Zguri KQZPërtej vendimit për ta pranuar këtë kërkesë ankimore, kjo do të jetë hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë një ankimim të këtyre përmasave. Në një prononcim dhënë dje për gazetën “Shqip”, anëtari më i vjetër i KQZ-së, Klement Zguri, theksoi se kemi të bëjmë me rastin e parë që një kërkesë e tillë i paraqitet KQZ-së. “Me sa kujtoj unë, nuk di që gjatë kohës që unë jam në këtë detyrë KQZ-ja të ketë shqyrtuar një kërkesë të përmasave të këtij lloji në historikun e saj të administrimit të proceseve zgjedhore. Them një kërkesë e këtyre përmasave, pasi kam parasysh se është hera e parë që administrata vihet në dispozicion të një ankimimi të bërë nga një parti politike. Kjo për faktin se LSI-ja në kërkesën e saj ankimore i ka vënë në dispozicion dhe listën e regjistrit të gjendjes civile, në një kohë që duhej të ishte KQZ-ja institucioni që, pasi ta shqyrtonte kërkesën në fjalë, të kërkonte një ndihmë nga institucionet e tjera, të cilat mund të kenë lidhje me këtë çështje, që të ndihmonin KQZ-në për një vendimmarrje sa më të drejtë. Pra, them se me një kërkesë të tillë KQZ-ja përballet për të parën herë. Ka pasur ankimime për dyshime lidhur me votime fiktive, por këto janë shqyrtuar dhe verifikuar nga KQZ-ja, jo e anasjella”, tha anëtari i KQZ-së, Klement Zguri.

Provat e LSI-së

Por nisur nga ky konstatim i anëtarit të KQZ-së, mund të vërehet qartë se në kërkesën e saj LSI-ja ka paraqitur pranë KQZ-së një sërë provash që pretendohet se provojnë paligjshmërinë e procesit zgjedhor të zhvilluar në Vorë. Dhe pjesa më e madhe e këtyre provave duket se janë siguruar nga institucionet shtetërore. Kështu, LSI-ja ka depozituar në KQZ prova si: praktikat e dhënies së lejeve të banimit në ZGJC Bashkia Vorë dhe lista e zgjedhësve në disa QV; informacion nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me kallëzimin penal të bërë nga LSI-ja, si dhe dëshmitë e personave të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen; deklaratat noteriale të shtetasve që kanë vënë në dispozicion banesat e tyre për këta persona, të pajisur në mënyrë fiktive me leje banimi, të bëra para noterit Shaban Gjoka; vërtetimet e pronësisë të shtetasve që kanë vënë në dispozicion banesat e tyre për personat, të pajisur në mënyrë fiktive me leje banimi dhe certifikatat e tyre të gjendjes familjare; pamjet filmike të shtetasve të cilët kanë deklaruar në mediat vizive për mënyrën e pajisjes me leje banimi; lista e punonjësve të shoqërisë “Agro Blend” shpk, si dhe çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien e biznesit të kësaj shoqërie me shoqëri të tjera në rrethe të ndryshme; lista e anëtarëve të skuadrës së futbollit “FK Vora” dhe certifikatat e tyre të gjendjes familjare; lista e punonjësve të Bashkisë Vorë dhe certifikatat e tyre të gjendjes familjare; emrat e drejtuesve të PD-së dega Vorë, certifikatat e tyre të gjendjes familjare, si dhe çdo dokument tjetër që vërteton lidhjen në gjini dhe krushqi me shtetasit që kanë vënë në dispozicion banesat e tyre personave të pajisur në mënyrë fiktive me leje banimi; faturat mujore të energjisë elektrike të shtetasve, që u kanë vënë në dispozicion banesat e tyre personave të pajisur në mënyrë fiktive me leje banimi; si dhe informacion nga Zyra e Punës Vorë, në lidhje me punësimin e shtetasve të ardhur.

Kurbini

Po sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë edhe kërkesën ankimore të Partisë Demokratike, që kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Kurbin, si dhe kërkesën për urdhërimin e përsëritjes së zgjedhjeve në këtë zonë zgjedhore. Vendimi u mor dy ditë më parë nga KQZ-ja, pasi kërkesa u konsiderua e vlefshme nga ky institucion.

Ky shkrim Beteja për Vorën, LSI-ja i kërkon KQZ-së pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>