Reagimi
Presidenti reagon pas rrëzimit të dekretit. Braçe: Ka interesa të drejtpërdrejta
ARTEMISA HOXHA
Ashpërsohen më tej marrëdhëniet ndërmjet mazhorancës dhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Rrëzimi i dekretit të ligjit të pronave nga ana e Kuvendit nuk është mirëpritur nga ana e kreut të shtetit, i cili ka shpallur vazhdimin e kësaj beteje në organet kushtetuese. Ende pa hyrë në fuqi ligji “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, Nishani paralajmëron ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim i kreut të shtetit vjen në një moment kur edhe opozita për ligjin “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave” paralajmëroi ankimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, kjo pas debateve të shumta në Kuvend për vendimin e deputetëve të shumicës për ta rrëzuar atë. Por përtej qëndrimit të mazhorancës e cila shprehu bindjen e plotë se kjo nismë e saj paraqet një zgjidhje të plotë për çështjen e ish-pronarëve, vetë mazhoranca arriti që në seancën plenare të siguronte vetëm 71 vota për ta rrëzuar dekretin e Presidentit, duke nxjerrë në pah edhe qëndrimet abstenuese apo mosvotime të një pjese të deputetëve të partive aleate në koalicionin e majtë. Ndërsa burime pranë mazhorancës shprehen se një veprim të tillë e cilësojnë si surprizë nga ana e Presidentit, pasi parashikohej që kontestimi në Gjykatën Kushtetuese të realizohej nga partitë e opozitës ose dhe nga shoqatat e ish-pronarëve. Si procedurë normale duhet që ligji të botohet në Fletore Zyrtare, më pas duhen pritur 15 ditë që të hyjë në fuqi. Vetëm pas kalimit të këtyre etapave, ligji i ri pronave mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.
Qëndrimi
Ligji në fjalë, i kthyer për rishqyrtim në Kuvend u rrëzua sërish në seancën plenare të datës 21 janar, për kreun e shtetit është një ligj nuk ka sjellë barazi mes pronarëve dhe kompensim të plotë të tyre. Në argumentimin e tij, kreu i shtetit thotë se ky ligj bie ndesh me vendimet e organit të Kushtetueses, si dhe vendimeve të dhëna nga Gjykata e Strasburgut. “Presidenti i Republikës ka mirëpritur dhe njohur angazhimin legjitim të qeverisë shqiptare për të trajtuar çështjen e pronarëve, me synimin për të eliminuar me ligj dhe në praktikë të zvarritjeve burokratike, dhe për të sjellë barazi të të gjithë pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë. Ligji, në tërësinë e tij, cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut”, thuhet në qëndrimin zyrtar të kreut të shtetit. Duke u ndalur në këtë ligj, për të cilin pas depozitimit të kërkesës do të japë edhe Kushtetuesja mendimin e saj, Presidenti Nishani teksa e konsideron zgjidhjen e çështjes së pronave një problem madhor, shton se kjo do të sillte reflektim të qeverisë edhe në realizimin e një prej pesë prioriteteve që vendi ynë duhet të plotësojë kundrejt integrimit në BE. “Presidenti i Republikës konsideron se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ka impakt të drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e përparimit të vendit, çka e reflekton qartë edhe përcaktimi i saj si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Bazuar në sa më sipër, kreu i shtetit informon opinionin publik mbi vendimin e tij për të dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin në fjalë”, thekson Presidenti në qëndrimin e tij.
PS, akuza ndaj Nishanit
Kthimi për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për çështjen e pronës, është komentuar nga ana e deputetëve të mazhorancës si një skenar i qëllimshëm për të dëmtuar qeverinë shqiptare dhe shtetin shqiptar në mbledhjen e radhës së Komitetit të Këshillit të Ministrave në Këshillin e Europës, ku do të vlerësohet ecuria e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave në raport me pronarët shqiptarë. “Me këtë shtyrje në miratim, mua më është krijuar përshtypja që ka qenë një zvarritje për të vënë Shqipërinë më 30 janar, krijon idenë që nuk jemi seriozë dhe që nuk duam të zgjidhim problemin e pronave. Pra, me datë 30, nuk thotë Komiteti i Ministrave që Parlamenti të sjellë një ligj të ri. E mendon që ligji ka hyrë në fuqi dhe ka filluar zbatimi i tij dhe kjo është shumë e rëndë që qeverisja shqiptare vihet në një pozicion të vështirë thjesht me një relacion që bën dekreti i Presidentit. A është dashakeqës, s’mund ta them dot. Por e gjithë kjo gjë që bëhet them që e demonton këtë proces dhe dëmton gjithë përpjekjet që janë bërë në këto dy vite”, ka qenë argumenti i deputetes socialiste, Vasilika Hysi, bërë në Komisionin e Ligjeve. Ndërsa nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, në lidhje me qëndrimin e Nishanit deklaroi se Presidenti dhe disa deputetë të PD-së e kontestojnë ligjin, pasi kanë interesa të drejtpërdrejta. “Ka një problem shumë të madh moral në veprimet e Bujar Nishanit dhe disa deputetëve të PD-së në raport me çështjen e kompensimit të pronave;
Janë pronarë dhe kanë interesa të drejtpërdrejta! Sot u lajmërua se Bujar Nishani, duke përdorur kompetencën e Presidentit të Republikës, në garë të pamasë me PD, PR etj., do dërgojë ligjin e votuar sërish nga Kuvendi në një gjyq në Gjykatën Kushtetuese. Siç është bërë e ditur publikisht; Të gjithë këta politikanë, kanë një pikë kyçe që kontestojnë: Titullin e pronësisë! Në anën tjetër, nuk e thonë kurrë:
Formula e tyre e biznesit është një super kosto e re për secilin ndër ne të tjerët, qytetarët e këtij vendi. Ne duhet të paguajmë për biznesin e tyre, jo për kompensimin e këtyre politikanëve; të paguajmë më shumë taksa për të paguar vlerën e pronës të zhvilluar nga një shoqëri e tërë për ta! Dyfish barrë për ne qytetarët!”, shkruan Braçe.
Mediu: Ligji i qeverisë është korruptiv, nuk e zgjidh problemin
Ankimin e ligjit të qeverisë “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, e ka paralajmëruar edhe aleati i djathtë, Partia Republikane, ku kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, theksoi dje se nisma e qeverisë është korruptive dhe nuk zgjidh aspak çështjen e pronave. Këtë qëndrim, kreu i PR-së e mbajti gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, ku shtoi njëkohësisht se kjo parti do ta dërgojë ligjin edhe në Komitetin e Ministrave të Bashkimit Europian. “Mazhoranca aktuale së fundmi miratoi në dhjetor një ligj për kompensimin e pronave, i cili është tërësisht korruptiv dhe që kërkon të varrosë përfundimisht të drejtën e pronës. Partia Republikane do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe në Komitetin e Ministrave të Bashkimit Europian”, theksoi Mediu. Ndërkohë që në fjalën e tij, kreu i PR-së ka folur edhe në lidhje me situatën aktuale politike për të cilën fajësoi qeverisjen e majtë. Këtë qeverisje për Mediun vetëm një konfederatë e djathtë gjithëpërfshirëse e largon. “Situata aktuale në Shqipëri sjell nevojën e një krijimi të domosdoshëm të një konfederate të djathtë gjithëpërfshirëse. Kjo do të jetë e vetmja mënyrë për të ndalur revanshin antiligjor të kësaj qeverie”, ka thënë Mediu. Ai gjithashtu shprehu domosdoshmërinë e konsensusit për reformën në drejtësi, si dhe bashkëpunimin e së djathtës për reformën zgjedhore. Po ashtu, gjatë mbledhjes së Asamblesë, nga anëtarët u ngrit shqetësimi i zbatimit të marrëveshjes me Partinë Demokratike para zgjedhjeve lokale, problem për të cilin Mediu tha se është drejt zgjidhjes, duke shtuar që edhe republikanët duhet të kërkojnë me ngul respektimin e saj.
Edhe shoqata “Pronësi me Drejtësi” do t’i drejtohet gjykatës
Vorpsi: Falënderojmë Presidentin, edhe ne do të ankohemi në Bruksel
Shoqata të ish-pronarëve, të cilat janw kundër draftit të qeverisë “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, dalin në mbështetje të qëndrimit të kreut të shtetit për ta çuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Ky qëndrim madje dhe paralajmërimi për një kërkesë të ngjashme në Kushtetuese dhe në Komitetin e Ministrave të BE-së vjen edhe nga kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi. Për gazetën “Shqip”, ai i kërkon politikës që të mos e trajtojnë çështjen e pronës thjesht në aspektin politik, por atë të së drejtës. “Në emër të shoqatës duam të falënderojmë Presidentin për qëndrimin e mbajtur, pasi është krijuar si një farë tradite që dekretet e Presidentit rrëzohen nga Parlamenti në përgjithësi dhe të krijonin përshtypjen sikur ishin kthyer në një letër njëpërdorimshme. Por, ky veprim tregoi rëndësinë që ka dekreti i Presidentit, vlerësimin që duhet të ketë dhe në fund të fundit tregon që nuk janë letra njëpërdorimshme, por që janë letra, të cilat për konsekuencë mund të kalojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Mos gabohem është hera e parë që Presidenti në harkun 25-vjeçar të ketë kaluar në Gjykatën Kushtetuese ligje të Parlamentit, pasi ka dekretuar kthimin e tyre në Parlament dhe në momentin që parlamenti ka vendosur kalimin e tyre pa ndryshuar fare, Presidenti për herë të parë ndërmerr iniciativën, e cila është për t’u vlerësuar. Sa i takon pjesës tjetër, ne jemi shprehur se do ta kalojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Nuk duhet të vlerësohet si një përplasje politike, sepse çështja e pronës nuk është një çështje politike. Ne po bëjmë një hap shumë të madh që ligji për çështjen e pronës nuk është më një çështje politike, por është një çështje e së drejtës”, tha Vorpsi. Ndër të tjera, ai ka bërë me dije edhe nismën e tyre për të vënë në dijeni të gjithçkaje Komitetin e Ministrave të BE-së, i cili pritet që të shqyrtojë gjithë materialin e qeverisë shqiptare për çështjen e pronave më datë 8 shkurt. “Njëkohësisht me këtë ne po përgatisim edhe në letër për Komitetin e Këshillit të Ministrave të Europës në mënyrë ta vlerësojnë në mbledhjen e radhës që do të mbahet në datë 8 shkurt. Kështu, qeveria shqiptare, brenda datës 30 janar ka për detyrë të informojë komitetin e ministrave sa i takon atij evidentimi që i ka kërkuar ky komitet qeverisë shqiptare”, deklaroi Vorpsi.