Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Meta i vë vulën: Jo reformë pa PD-në. Koha e çeljes së dialogut politik parlamentar

$
0
0

Ilir MetaAleati

LSI mbledh kryesinë, hidhet dhe ideja e shkuarjes në referendum

Thirrja: Politika e faktit të kryer, ngushton mundësinë për dialog, konsensus, dhe mirëbesim. Provokon ndarje dhe shpikje fajtorësh. Prandaj kërkojmë nga të gjithë përgjegjshmëri dhe angazhim të pandalshëm dhe konstruktiv.

Sistemi: LSI nuk ka asnjë interes të mbrojë sistemin aktual të drejtësisë dhe problematikën e tij dhe as nuk synon të kapë politikisht institucionet e reformuara të drejtësisë si produkt i kësaj reforme, pasi ky do të ishte dëmi më i madh që do t’i bëhej të ardhmes europiane të vendit tonë

ARTEMISA HOXHA

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nisjen e dialogut politik në Parlament për arritjen e një konsensusi për reformën në drejtësi. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka mbajtur këtë qëndrim duke vulosur përfundimisht dhe ndasitë që kanë dhe me aleatin kryesor në qeveri, kreun e PS-së, Edi Rama. “LSI-ja ka qenë e pozicionuar qartë në interes të kryerjes së reformave të mëdha të shtetit, të cilat kërkojnë një konsensus të gjerë politik dhe gjithëpërfshirje”, tha Meta në mbledhjen e kryesisë së LSI-së. Ky reagim erdhi, pas qëndrimit të prerë të dy ditëve më parë të Kryeministrit Rama se do të jetë Komisioni i Venecias ai që do të japë dhe verdiktin përfundimtar në lidhje me draftet e palëve. Këtë qëndrim kreu i LSI-së e paraqiti në mbledhjen e parë të kryesisë së partisë në këtë sesion të ri parlamentar, ku dhe dha direktivat për anëtarët e saj në lidhje me qëndrimet e tyre pas seancës së parë plenare. Kreu i Kuvendit është i bindur se dialogu politik dhe konsensusi janë të domosdoshëm për qëndrueshmërinë, besueshmërinë dhe efektivitetin e reformave të mëdha. Për të paralelizuar standardet që janë ndjekur në miratimin e reformave me rëndësi për vendin siç është ajo e Reformës në Drejtësi, kryeparlamentari Meta sjell në vëmendje punën e madhe që i është dashur mazhorancës për të arritur një draft konsensual për reformën territoriale, e cila në fund rezultoi për fat të keq e kurorëzuar pa PD-në. Pikërisht për të mos arritur miratimin e një reforme në mënyrë të njëanshme, Meta kërkon zbatimin e një standardi tjetër, atë bashkëpunues, që në këtë rast sipas tij nuk do të jetë thjesht për çështje numrash, por si një dëshmi e vullnetit të qytetarëve që kërkojnë ndryshimin e këtij sistemi të drejtësisë. “LSI-ja mbetet e bindur se konsensusi politik në Parlament për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm, jo thjesht si çështje numrash, por si një bashkim vullneti politik të forcave parlamentare, si përfaqësuese legjitime të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, 90% e të cilëve kërkon ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Është detyra jonë, si LSI dhe si mazhorancë, të krijojmë të gjithë hapësirën e nevojshme për opozitën që të jetë substancialisht e përfshirë në dialog dhe që të kontribuojë në mënyrë sa më konstruktive. Gjithashtu, e theksoj se është një detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë në këtë dialog, me profesionalizëm dhe jo me populizëm, për zgjidhje të qëndrueshme që i shërbejnë përmirësimit të sistemit dhe jo bllokimit të tij”, theksoi Meta. Për aleatin në bashkëqeverisje tani që ekspertët kanë dhënë kontributin e tyre, është koha e çeljes së dialogut politik parlamentar për të çuar përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformës, me qëllim arritjen në një dokument përfundimtar të gjithëpranuar dhe certifikuar nga partnerët ndërkombëtarë, dhe në veçanti nga Komisioni i Venecias. Duke shprehur për një arritje të konsensusit ashtu siç është bërë edhe për vendime të rëndësishme, kreu i LSI-së ka folur edhe për pikat ku ndahen jo vetëm me opozitën, por edhe vetë brenda mazhorancës. “Nuk ekzistojnë në fakt shumë çështje të substancës që na ndajnë, prandaj duhet të fillojmë të biem dakord fillimisht për ato çështje që na bashkojnë dhe që janë të shumta. Edhe për çështjet që ndahemi, apo kemi mendime alternative, do të duhet të gjejmë zgjidhjet e duhura në frymën e sugjerimeve të opinionit të ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, me këmbëngulje dhe pa u lodhur, ashtu siç gjetëm zgjidhjen dhe për reformën e dekriminalizimit. Duke rikujtuar votimin e ndryshimit të Kushtetutës në 2008, pasojat që sipas Metës, politika është duke kaluar, ai theksoi se kurrsesi ky proces i ndryshimit të ligjit themeltar të shtetit nuk duhet të duhet të jetë përjashtues. Por për aleatin e PS-së nuk përjashtohet mundësia e marrjes së mendimit të ndryshimeve kushtetuese me anë të një referendumi. “Nuk paragjykoj askënd në këtë proces, sepse paragjykimet helmojnë bashkëpunimin dhe mirëbesimin. Mendoj se rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias janë të qarta për të gjithë ata që janë profesionistë dhe që janë të paanshëm. Për të gjithë ata që duan të luajnë dhe zvarrisin procesin, ne këto sugjerime do t’ia paraqesim publikut, do t’ua japim qytetarëve në mënyrë që në fund fare, ata të gjykojnë me mendje të kthjellët, por pse jo, edhe me çdo mënyrë tjetër cilindo që bëhet një pengesë për këtë reformë madhore për vendin tonë dhe për qytetarët tanë”, theksoi kryeparlamentari.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748