Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Ekspertët e PD-së: Rama krijon tetë institucione që kapin drejtësinë

$
0
0

ekspertet e PD per reformen ne drejtesiOpozita

Halimi: Të zbatohen rekomandimet e Venecias. Opozita pëlqen variantin “Rusmali” 

HERION MESI

Për Partinë Demokratike, drafti i hartuar në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës për reformën në drejtësi synon çimentimin e kapjes së sistemit përmes emërimeve të bëra me numrat që aktualisht ka kjo mazhorancë, 84 deputetë. Ekspertët ligjorë të selisë blu, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso, të kryesuar nga nënkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën, Eduard Halimi, në një konferencë të përbashkët për shtyp theksuan se drafti i mazhorancës shkel të paktën 11 rekomandime të Komisionit të Venecias, mbi të cilat u ra dakord me konsensus që të bëhej reformimi i sistemit së drejtësisë. “Kryesore mbi të gjitha është kapja politike. Kush do t’i emërojë ata që do të kontrollojnë, promovojnë, shkarkojnë gjyqtarët dhe prokurorët?! Kush do të jenë në krye të procesit të reformimit të drejtësisë?! Kjo ka qenë pika e debatit. Qëndrimi ynë është që këta të mos jenë njerëz që emërohen nga Kryeministri apo mazhoranca. Ekspertët ndërkombëtarë kanë propozuar që emërimi i këtyre personave të bëhet nga një shumicë e caktuar në Parlament, që Kryeministri të mos e ketë në dorë sistemin. Duhet të jetë një shumicë më e madhe se 84 deputetë, sa ka sot mazhoranca”, tha Halimi. Sipas tij, me skemën e propozuar janë tetë institucione që krijojnë një oktapod në kapjen e sistemit të drejtësisë. “Me 84 vota emërohen të gjithë anëtarët e komisionit e pavarur të kualifikimit, të cilët do të fusin në provim të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Nga gjyqtari i Shkallës së Parë e deri te kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë do të emërohen me 84 vota, sipas draftit të paraqitur në mënyrë të njëanshme nga ekspertët e PS-së. Po ashtu me radhë si Gjykata Kushtetuese, emërohet kryeprokurori, emërohen anëtarët e këshillit të lartë të prokurorisë, anëtarët e këshillit të emërimeve në drejtësi, tribunali disiplinor dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Skema duhet të çmontohet”, tha Halimi.

Ekspertët e PD-së

Eksperti i PD-së për reformën, Enkelejd Alibeaj, tha se drafti i njëanshëm nuk çon në drejtimin e dëshiruar nga të gjithë, depolitizimin e emërtesave të funksionarëve të lartë të drejtësisë, por në të kundërt, në çimentimin e politizimit të këtyre funksionarëve të lartë, që në një përllogaritje të tij janë 30 funksionarë të lartë që do të kontrollojnë sistemin e drejtësisë, por që sipas draftit, do të jenë emërime politike. “Sipas draftit, rezulton se janë këta pesë anëtarë të këshillit të lartë gjyqësor, njëri prej të cilëve do të jetë dhe kryetar, pesë anëtarë të këshillit të lartë të prokurorisë, njëri prej të cilëve do të jetë dhe kryetari, Prokurori i Përgjithshëm, inspektori i përgjithshëm i drejtësisë, 15 anëtarë të komisionit të vlerësimit dhe të rivlerësimit të testit që do t’u bëhet të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. E jo vetëm kaq, por dhe tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që emërohen nga Kuvendi. Madje tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që emërohen nga Kuvendi, nuk zgjidhen me 3/5, por zgjidhen me shumicë të thjeshtë, që do të thotë jo më me 84 vota, por me 36 vota. Pra janë plot 30 funksionarë të rinj që përbëjnë kupolën e sistemit gjyqësor shqiptar, të cilët emërohen në mënyrë të njëanshme nga një mazhorancë që kontrollon votat dhe që janë të shpërndarë në këto tetë institucionet që do të krijohen”, tha Alibeaj.

Ndërsa Gazmend Bardhi evidentoi se në draftin e prezantuar nuk ka asnjë reflektim as për depolitizimin e procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Gjithashtu, ai tha se nuk ka asnjë reflektim mbi rolin që do të ketë Presidenti i Republikës në emërimin e gjyqtarëve. Sipas tij, një tjetër çështje që nuk gjen pasqyrim në draftin e publikuar dje nga ekspertët e mazhorancës është dhe e drejta për kompetenca të Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar një ligj për rishikimin e Kushtetutës. Ndërsa për ekspertin tjetër të PD-së, Ivi Kaso, janë edhe katër çështje të tjera, të cilat në draftin e prezantuar nuk janë respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Kemi vërejtur se nuk respektohet komenti i Komisionit të Venecias mbi mungesën e nevojës së ndërprerjes së mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm; nuk respektohet konkluzioni i Komisionit të Venecias që procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të jetë një proces rigorozisht i përkohshëm, pasi drafti i shpërndarë dje parashikon që ky proces të zgjasë në një periudhë 11-vjeçare; nuk është respektuar komenti i Komisionit të Venecias për procesin e vlerësimit, ku drafti i shpërndarë në mënyrë tinëzare ka bërë vetëm ndryshimin e emrit të komisionit, nga Komisioni i Pavarur i Apelimit në Kolegjin e posaçëm në Gjykatën e Lartë; drafti ka përfshirë edhe Kryeministrin në procesin e emërimit të strukturave që merren me procesin e vlerësimit, edhe kjo në kundërshtim me sugjerimin e Komisionit të Venecias”, tha Kaso. Për herë të parë, demokratët nuk përmendën shumicën e dy të tretave dhe u duk se lanë të hapur çdo mundësi që, sipas tyre, eliminon kapjen e drejtësisë nga politika. “Çdo variant në përputhje me Venecian, që cilëson këtë skemë si kapje, çdo variant që ndryshon këtë skemë, na çon në zgjidhje optimale. Çdo draft që vjen nga çdo grup parlamentar apo grup ekspertësh që ka si bazë rekomandimet e Venecias, që çmonton skemën e parë si oktapod të drejtësisë është i mirëpritur. Drafti final që duhet t’i shkojë komisionit duhet të respektojë pikë për pikë rekomandimet”, tha Halimi.

 

11 Çështjet që PD-ja ndahet me PS-në

  1. Amendamentet janë tepër të ngathëta dhe reforma ka gjasa të çojë në një proces shumë kompleks, me shumë organe që kontrollojnë njëri-tjetrin në një sistem të ndërlikuar kontrollesh dhe balancash.
  1. E paqartë nëse Shqipëria ka burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare për të ngritur një gjykatë të re të lartë. Parlamenti tashmë ka hasur vështirësi me vakancat në Gjykatën e Lartë aktuale.
  1. Nëse krijohen dy gjykata të larta, ekziston rreziku i mosmarrëveshjeve juridiksionale mes tyre. Komisioni ka rezerva në lidhje me përfshirjen e GJK në administrimin e drejtësisë në gjykata.
  1. Venecia vëren se mazhoranca aktuale ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së. Për këtë arsye, ai thekson se kjo iniciativë “çimenton” ndikimin e grupit politik në sistem.
  1. Komisioni vëren se amendamentet prezantojnë një numër organesh të reja që kontrollojnë njëri-tjetrin. Kjo skemë e komplikuar mund të krijojë mosbesim te gjyqësori, i cili është tashmë mjaft i ulët.
  1. Çfarëdo veprimi për të larguar gjyqtarë të paaftë ose të korruptuar duhet të jetë në nivelin e standardeve të larta përcaktuar nga parimi i palëvizshmërisë së gjyqtarëve, pavarësia e të cilëve duhet mbrojtur.
  1. Krijimi i KED e komplikon strukturën e gjyqësorit dhe synon të pakësojë lirinë e zgjedhjes së organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit. Përbërja e këtij organi duhet shqyrtuar.
  1. Për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ekzistues, komisioni beson se një masë e tillë drastike shihet si e përshtatshme në kontekstin shqiptar, por duhet të ketë mbështetje të gjerë politike.
  1. Duke qenë se shumica aktuale i ka 3/5 e votave në Kuvend, do të ishte më e përshtatshme që pushteti i emërimit t’i jepej një organi të pavarur ose një zyrtari që s’është i së njëjtës ngjyrë politike si shumica e tanishme qeverisëse.
  1. Drafti nuk shprehet mbi mënyrën e emërimit të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe kohëzgjatjen e mandatit të tyre. Fuqia për t’i emëruar mund t’i përkiste një prej organeve kushtetuese, Presidentit.
  1. Kjo pikë e raportit të Komisionit të Venecias parashikon dhe tetë rekomandimet bazë të ekspertëve të huaj lidhur me draftet e propozuara për krijimin e kushteve ligjore për ndryshimet në Kushtetutë.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>