“La Stampa”: Luftëtarët duhet të dinë italisht dhe të njohin mirë kompjuterin
ISIS po rekruton xhihadistë në rajon, duke i paguar me 2 mijë euro në muaj, por duhen plotësuar dy kushte: Të dinë mirë italisht dhe të kenë aftësi të mira kompjuterike. Shqipëria mbetet vendi që rrezikon më së tepërmi Italinë dhe më tej Europën. Ky është alarmi më i fundit që vjen nga Përtej Adriatikut, pasi mediat italiane kanë publikuar dje një artikull që së pari e botoi “La Stampa”, ku ishte bazuar mbi burimet e inteligjencës italiane. Edhe kjo e fundit ka ngritur alarmin për një grup të strukturuar që merret me rekrutimin e personave të rinj, të cilët do të luftojnë për ISIS. Situata është e zymtë sipas një raporti sekret të autoriteteve italiane, që thonë se për të joshur të rinjtë ata paguajnë deri në 2000 euro në muaj. Kërkesat janë dy: flet shumë mirë italisht, si dhe ke aftësi të mira kompjuterike. Në raport theksohet se Shqipëria është një problem i madh për Italinë dhe kështu për Europën. Gjithashtu, edhe vendet e tjera si Greqia, apo Kosova janë problem, pasi situata ekonomike në këto vende bën që njerëzit të gënjehen. Sipas artikullit, ky grup e ka bazën në Ankona, ndërsa i gjithë hetimi ka nisur pasi një i ri italian, Giuliano Delnevo, u vra në Aleppo të Sirisë. Një tjetër hetim që ka zbuluar këtë lidhje mes xhihadistëve italiane dhe atyre nga vendet e Ballkanit, është dhe arrestimi i një biznesmeni italian që shkonte shumë shpesh në Shqipëri për të çuar substanca që përdoreshin për prodhimin e mjeteve shpërthyese. Sipas hetuesve italianë, në Shqipëri ndërtoheshin raketa të cilat kishin si destinacion Sirinë. Në raport theksohet se kërkohen njerëz që flasin mirë gjuhën italiane dhe Shqipëria ka plot të tillë. Prej kohësh mediat italiane publikojnë artikuj ose transportojnë kronika dhe reportazhe që flasin për pjesëmarrjen e shqiptarëve në xhihad, ndërsa përmendin edhe Italinë si vendin ku shumë bashkëkombës kanë gjetur terren për të krijuar celula ekstremiste. Mirëpo, për hir të së vërtetës të gjithë të arrestuarit me bujë nga Antiterrori italian, pak muaj pas ndalimit janë lënë të lirë nga gjykatat e shtetit fqinj. Para pak ditësh, një gazetar italian erdhi në Shqipëri dhe pas një bisede me imamin e xhamisë së Cërrikut, publikoi një artikull ku i mëshohej rrymës ekstremiste, pasi ky klerik i lartë nuk pranonte juridiksionin e Komunitetit Mysliman. Ndërkaq, në Shqipëri janë kryer disa veprime që e kanë parandaluar ndjeshëm rekrutimin e luftëtarëve për në Siri dhe Irak, pasi u shkatërruan prej kohësh disa linja të tilla. Me arrestimin e dy imamëve të vetëshpallur dhe 7 të tjerëve, njoftohet se numri i të ikurve drejt fronteve të luftës, pas këtyre arrestimeve, është fare i papërfillshëm. Ndërkaq, Shqipëria është përdorur si vend transit, ku kanë kaluar disa luftëtarë të huaj, si përmes rrugëve detare, ashtu edhe ato ajrore. Italia është angazhuar së tepërmi për përforcimin e masave të përbashkëta antiterror me Shqipërinë, aq sa ka dërguar këtu disa herë krerë policie dhe ministra, për të diskutuar rreth këtij problemi që shqetëson mbarë botën, për shkak të masakrave të ISIS.