Gjatë ceremonisë për homazhet në nder të efektivit Ibrahim Basha që u vra dje në Lazarat, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, ka shprehur dhimbjen e tij për këtë humbje të thellë. Tahiri ka thënë se e gjithë Shqipëria është me Ibrahimin dhe theksoi se së shpejti autorët e krimit do të vihen para drejtësisë.
“Çdo shqiptar është sot me ty Ibrahim, – e nis fjalimin Tahiri. – Fati i keq, deshi që një dorë e pabesë të merrte jetën, dora e frikës dhe terrorit u ngrit mbi ty, jo përballë, siç i ka hije trimave, por fshehtas, pabesisht. E gjithë Shëipëria anembanë është me ty, po përulemi me mirënjohje para teje. Ti ishte hero për së gjalli, me shokët e tu të vendit tënd dhe të forcave të aleancës për ta bërë botën më të mirë, më demokratike”, – vazhdoi Tahiri.
“E gjitha Shqipëria u shtang, se dora e terrorit të mori jetën, ku më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoq, ku ca kriminelë të morën jetën ty, – shtoi Ministri i Brendshëm. – Dora e pabesë që u ngrit mbi ty, ka mbi dy dekada që rritet, për të bërë karshillëk shtetit, për të sfiduar ligjin. Do vëmë para drejtësisë autorët e krimit. Në atë fshat, ku ka njerëz të ndershëm, ku kanë mbetur ende ca kriminelë të lodhur, atë fshat që e çliruam vjet nga dora e krimit, por që nuk e kemi mbaruar akoma”.
Rama: Ibrahim Basha, dëshmi e vlerës së paqes
Fjalën e ka marrë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar efektivin e policisë Basha si një simbol të sakrificës.
“Unë nuk e kam njohur Ibrahimin, as ju që jeni të pranishëm këtu nuk e keni njohur. Ne nuk dimë asgjë për Ibrahimin. Nuk dimë as si u ndje kur iku të luftonte jashtë atdheut, ne nuk e njohim dhe nuk kemi për ta njohur ndonjëherë, por erdhëm për ta nderuar. Prania jonë është një kujtim për rrugën e tij të re. Fjalët tona nuk mund ta zbusin zemrën e bërë gur të familjes së tij, – u shpreh Rama. – Duke nderuar këtë njeri që nuk na lidhë asgjë nuk ulemi para një të vdekuri, por përpara një simboli të sakrificës. Trupi që kemi përpara është shëmbëlltyra e një ideali”.
“Ai ishte në anën e çdo familje shqiptare, – shtoi kryeministri. – Ibrahimi është një dëshmi e vërtetë e vlerës së paqes. Ju familja e Ibrahimit i mësuat vlerën e nderit të respektit dhe të detyrës”.
Donald Lu: Vrasja e Ibrahim Bashës, tragjedi kombëtare.
Gjatë homazheve në nder t efektivit Ibrahim Basha, ka mbajtur një fjalim edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu.
“Në emër të aleatëve të Shqipërisë në NATO, që kanë shërbyer me Ibrahim Bashën në Afganistan dhe Irak, e nderojmë për shërbimin ndaj kombit të tij. E nderojmë për çështjen e paqes në Afganistan dhe Irak. Ibrahim Basha nuk ka shërbyer në vende të sigurta dhe të qeta. Ai ka shërbyer në Kandahar dhe Mosul. Ai shërbeu në dy misione në Afganistan dhe tre në Irak. Ka marrë medalje për trimërinë dhe shërbimin e tij.
Vrasja ishte një tragjedi kombëtare. Ne nderojmë sakrificën e tij në luftën kundër narkotikëve. Ne emër të NATO-s dhe SHBA i shpreh ngushëllime familjes së tij dhe të gjithë shqiptarëve”, – tha Donald Lu.
25 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Homazhet për Ibrahim Bashën, Rama: Simbol i paqes. Tahiri: Autorët do të ndëshkohen u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.