
Rrëfimet e dy të plagosurve
Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj shpjegojnë për grupin hetimor rrethanat e ngjarjes. “Gabimi” i Ibrahimit për vendosjen e helmetës
Hamitaj – Perlat Hamitaj ka mbaruar studimet e larta për Ekonomi në një universitet privat në Tiranë. Pas vitit 2012 ai punoi në një zyrë kontabiliteti dhe më tej u pranua në repartin RENEA
Isaj – Jetmir Isaj, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka mbaruar Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Asim Vokshi”. Prej tetë vitesh shërben në RENEA
Mariglen Mullai

Eksperienca në detyrë dhe kujdesi për helmetën e RENEA-s, duket se i ka shpëtuar dy policët e plagosur. Sinjalet pozitive të mjekëve dhe dalja mirë e analizave ka rritur në maksimum shpresën e familjarëve të dy efektivëve të plagosur. Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj ndodhen nën kujdesin intensiv të doktorëve në repartin VIP të Spitalit të Traumës, në Tiranë. Gjatë orëve të para të ditës së djeshme, gjendja shëndetësore e tyre ishte paksa e rënduar, ndërsa pasdite e morën veten. Eksperti i kontabilitetit, Perlat Hamitaj, rreth 25 vjeç, me banim në Tiranë, ka plagë në kokë, të shkaktuara nga forca e goditjes së plumbit të snajperit, i cili gjithsesi ia kishte shënjestruar kokën, pa arritur ta vriste. Ish-boksieri Jetmir Isaj, 37-vjeçari me origjinë nga Shkodra dhe me eksperiencë tetëvjeçare në RENEA, ka vetëm një plagë të lehtë në shpatull. Familjarët u qëndrojnë pranë në Spitalin e Traumës, teksa urdhrat e eprorëve, për mosdhënien e informacionit për mediat, kanë bërë të vetën, pasi efektivët nuk pranojnë bisedat me gazetarët.
Dëshmitë
Burimet nga grupi hetimor thanë për gazetën “Shqip” se në dëshmitë që Hamitaj dhe Isaj kanë dhënë për Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka pasur të dhëna ndihmuese për dosjen. Një nga këto detaje është pikërisht mbajtja e skafandrës. “Ibrahimi ishte i pari që shkeli në tokë nga grupi ynë. Ishim bashkë në furgon. Për fatin e tij të keq, helmetën e kishte paksa të ngritur dhe sapo doli nga makina, plumbi e mori në kokë”, ishin disa fraza nga dëshmitë e të dyve. Më tej mësohet se efektivët e RENEA-s u kishin thënë ekspertëve të grupit hetimor se më parë ishin siguruar për skafandrat. Plumbi i dytë i snajperit kishte goditur në kokë Hamitajn, por vendosja e mirë e helmetës i shpëtoi jetën. I treti u plagos Isaj, i cili ka një plagë të lehtë në shpatull. Ndërkaq, një tjetër pjesë e dëshmisë është edhe momenti i aksionit, për të cilin dy efektivët janë shprehur se “u lajmëruam mëngjesin e së martës për një mision. Fillimisht ishim stacionuar në Gjirokastër dhe mëngjesin e së mërkurës u nisëm me dy furgona për në Lazarat”.
Dy efektivët
Jetmir Isaj, 37 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, është i martuar dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Ai ka mbaruar Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Asim Vokshi”. Para se t’u bashkohej forcave të RENEA-s, ai ka ushtruar gjimnastikë dhe madje për disa kohë merrej me boks. Prej të paktën tetë vitesh ai shërben si efektiv në repartin elitë të RENEA-s, ku ka marrë pjesë në shumë operacione për arrestimin e personave të shumëkërkuar. Të njohurit e përshkruajnë si person të përgatitur dhe që i njeh mirë taktikat e aksioneve. Ndoshta eksperienca e gjatë në radhët e policisë ka bërë që falë lëvizjeve të tij në ato momente të sulmit, ai të shpëtonte vetëm me një gërvishtje në shpatull. Plaga është e lehtë dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën. Familjarët janë optimistë dhe shprehen për gazetën se ngjarjen e mësuan nga mediat dhe shprehin keqardhjen për humbjen e jetës së Ibrahim Bashës. Ndërkaq, në gjendje paksa më të rëndë shëndetësore ndodhet 25-vjeçari Perlat Hamitaj, i riu që vetëm para pak vitesh i ishte bashkuar RENEA-s. Pasi mbaroi studimet për Ekonomi në një universitet privat në Tiranë, pas vitit 2012 ai punoi në një zyrë kontabiliteti. Më tej, vazhdoi praktika dhe kurse policie, për t’u pranuar në repartin RENEA. Ai ishte i dyti, kur grupi zbriti nga furgoni, ndaj plaga e shkaktuar nga goditja e snajperit i ka shkaktuar hematomë në kokë. Për fat të mirë mbajtja me kujdes e skafandrës i shpëtoi jetën. Plaga është kuruar me kujdes dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Të lajmëruar me telefon, disa familjarë të tij kanë mbërritur nga jashtë shtetit.
Ky shkrim “Skafandrat në kokë na shpëtuan jetën, Ibrahimi zbriti i pari nga furgoni kur na qëlloi snajperi” u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.