Ish-oficeri, intervistë nga Zvicra për “Le Iene”: Bashkëpunova me Aleksandër Xhulianon për trafikantët dhe lidhjet e tyre, më arrestuan
Sokol Çobo

Ish-oficeri i Policisë së Shtetit, Dritan Zagani, ka dhënë një tjetër intervistë për trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali, apo për lidhjet e tij me agjentët italianë. Ai tha se është tradhtuar nga ish-shefja e misionit italian “Interforcë” në Shqipëri, Anna Poggi, e cila nuk e ka mbrojtur, megjithëse kishte edhe një bashkëpunim. Zagani thotë se kishte kontakte me agjentin italian, Aleksandër Xhulianon, madje edhe biseda për trafikantë të ndryshëm, lidhjet e tyre, vendet se nga nisej lënda për t’u trafikuar. Për arratisjen nga Shqipëria, ai thotë se iku vetëm për të mbrojtur gruan dhe tri vajzat e tij. Zagani thotë se, nëse Zvicra i garanton siguri familjes, atëherë ai është i gatshëm që të rikthehet në Shqipëri, për të vënë në vend nderin.
Ikja nga Shqipëria
“Unë nuk kam ikur nga Shqipëria se kam frikë vetë. Unë kam ikur për sigurinë e bashkëshortes sime dhe të tri vajzave të mia, që janë minorene”, tha Zagani, për emisionin italian “Le Iene”, e cila shton se ai ka ikur në Zvicër, ku ka kërkuar azil politik, pasi më parë ka qenë i arrestuar me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. “Nuk ekziston asnjë fakt i trafikut të drogës. Nuk ekziston asnjë fakt i lidhjes sime me trafikantët e drogës”, thotë Zagani, ndërsa emisioni “Le Iene” thotë se Zagani është me masën e arrestit shtëpiak, pasi nuk ka lajmëruar eprorët për një operacion droge. “Unë kisha një informacion se disa trafikantë do të dërgonin drogë në Itali. Ishte një trafikant që kishte një gomone të bukur 12 metra që merrte rreth 1.500 kilogramë. Por, trafikantët kishin tabulatet e mia me informatorin. Dikush më shiti”, thotë Zagani, ndërsa shpjegon një tjetër rast të trafikut të drogës, ku lajmëron vetëm shefin e tij. Zhvillohet operacioni, kapet personi me 110 kilogramë drogë. Operacioni shkon mirë, por ai përfundon në burg. “Kur më arrestuan, pashë të shkruar në letrat e mia që më akuzonin për abuzime për arrestimin e trafikantëve të drogës, pa lajmëruar shefat. Operacioni ka qenë nën komandën e shefit tim, i cili ishte prezent gjatë zhvillimit. Ishte ai që ‘dirigjonte’ këtë operacion”, thotë Zagani. Sipas “Le Iene”, ai operacion i humbi një “mal me para” disa punonjësve të policisë. “Unë di që janë disa drejtues që nuk janë korrektë me trafikantët. Ata janë trafikantë të drogës. Kjo është e shëmtuar. Ata investojnë paratë, organizojnë njerëzit, i lënë të kalojnë tonelatat me hashash”, thotë Zagani. Gazetarët e emisionit italian thonë se, krahas rrugëve normale detare dhe rrugore, ishte edhe ajo ajrore. “Në Divjakë, ishte një rrugë e gjatë, rreth 2.7 kilometra e gjatë ku kishin shkuar disa fuoristrada për t’i dërguar ‘mallin’ avionit PIPER, i cili mori drogën dhe u nis për në Itali”, vijon Zagani. Gazetarët e “Le Iene” kanë ardhur në Shqipëri, ku tregojnë rrugën që foli Zagani, e cila është e gjatë rreth 3 kilometra. Trafikantët kanë bllokuar të gjithë këtë itinerar dhe më pas avioni PIPER u ul dhe trafikantët ngarkuan drogën dhe avioni u nis. Disa dëshmitarë u tregojnë gazetarëve italianë rastet e këtij trafiku, ndërsa tregojnë rastin e Divjakës. Madje, prononcim për emisionin ka dhënë edhe oficeri i policisë, Ervin Hodaj, që tregoi për rastin e Divjakës të gjitha detajet.
Agjenti 007
Duke iu rikthyer rrëfimit, Zagani thotë se ka bashkëpunuar me Aleksandër Xhulianon, një agjent i policisë italiane, i njohur edhe si “007-ta”. “E njoh. Bashkëpunojnë përditë. Diskutonim për drogën, ku fshihej, nga nisej, kush e merrte. Dikush e mendonte se neve të dy trafikonim drogë”, ka thënë Zagani. Akuza kryesore e arrestimit të Zaganit ishte ajo e bashkëpunimit me italianin Alesandro Xhuliani. Ky i fundit, një efektiv i Guardia di Financas ishte një agjent sekret i policisë italiane dhe infiltrohej mes grupeve të trafikantëve për të marrë informacione. Zagani komunikonte me të dhe shkëmbente të dhëna për trafikantët. Por organi i akuzës, sipas Zaganit, i ka konsideruar komunikimet e tij me Xhulianin si prova se ai ishte përfshirë në trafik droge. Në këtë pikë hidhen hije dyshimi për rolin e funksionares italiane të Interpolit, Anna Poggi. Kur u pyet për rolin e agjentit Xhuliani, ajo mohoi lidhjet e tij me policinë. Dhe sipas Zaganit, ajo në këtë rast ka gënjyer për shkak të interesit të saj personal. Zagani thotë se ajo ka arritur një marrëveshje që në këmbim të dëshmisë së saj që shërbente për të bërë të mundur burgosjen e ish-policit shqiptar të antidrogës, të marrë nënshtetësinë shqiptare. Nënshtetësia shqiptare i duhej, sepse ajo është beqare dhe grave të pamartuara nuk u lejohet të adoptojnë fëmijë në vendin e saj. Por Anna Poggi kishte adoptuar dy të tillë në Shqipëri. Dhe që t’i “legalizonte” duhet të merrte nënshtetësinë shqiptare.
Ky shkrim Zagani: U tradhtova nga oficerja Poggi, komunikimet me një agjent 007 italian u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.