Pasi protesta e opozitës është zbehur disi, ku protestuesit dogjën bunkerin pranë Ministrisë së Brendshme, kryeministri Edi Rama është kthyer në zyrë dhe përmes një statusi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me dinamikën e asaj që ndodhi sot.
Rama ka shkruar se kjo është një shëmti e trishtueshme mes baltës dhe mendjes së errët të Shqup-it.
Ai deklaron se ndjen keqardhje të sinqertë për të verbrit që nuk dinë se ç’bëjnë, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një vandalizëm mizerabël.
Postimi i plotë
“Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombetare të Rinisë, të shohesh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham.
Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjeteve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpelitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufe të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojne qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë.
Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian të shqiptare, një PD të katandisur në hije e vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin europian të shqiptarëve kujton se misheron duke shkaterruar dy instalacione te artit urban – me te njëjtën egërsi primitive që do t’i digjte e shkaterronte në fakt dhe fatkeqesisht edhe regjimi komunist.
Keqardhje e sinqertë për të verbërit e shkretë që s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte nëpër duar.
Neveri për politiken e ngjirur të një Partie Demokratike në shthurrje të vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternativë qeverisëse dhe, fatkeqesisht, edhe pa asnjë lidhje me kohën europiane të Shqipërise e as me ëndrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme të shqiptarëve”.
8 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Protesta e opozitës, Rama: Shëmti e trishtueshme dhe vandalizëm u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.