Ndërron jetë në spital Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Prej disa ditësh, ai ishte shtruar në gjendje të rëndë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë sepse kishte pësuar ishemi cerebrale.
Mësohet se Ipeshkvi i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë – Durrës ka ndërruar jetë pasditen e sotme, ndonëse përpara disa ditësh i ishte nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. 76 –vjeçari Imzot Rrok Mirdita e drejtonte Kishën Katolike në Shqipëri që nga 25 Prilli i vitit 1993.
Ndarjen nga jeta të arkipeshkvit e njoftoi Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës.
Shkëlqesia Rrok Mirdita mbylli sytë rreth orës 14:30 të pasdites së sotme në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.
“Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës me shumë dhimbje njofton se sot me datë 7 dhjetor 2015, rreth orës 14.30, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, si pasojë e një hemoragjie cerebrale, ka kaluar në shtëpinë e Atit, Bariu i saj, Shkëlqesia i Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës”.
7 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, Imzot Rrok Mirdita u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.