Edhe Kukësi i është nënshtruar ndërhyrjeve intensive urbane. Një hapësirë interaktive, me elementë arkitektonikë dhe muzealë, që rikujtojnë vlerat dhe traditat e mikpritjes së qytetarëve kuksianë në vitin 1999. Shëtitorja dhe parku të rikonceptuar krejtësisht, të cilët janë në ndërtim do jenë pamja e re e qendrës së qytetit, pas përfundimit të projektit rikualifikues prej 1.5 milionë dollarë, financim nga programi i qeverisë shqiptare për rilindjen urbane.
“Është shumë e rëndësishme që ka një zhvillim kaq intensiv të një pjese të konsiderueshme të territorit të qytetit në kuadër të rilindjes urbane. Jam i bindur që siç ka ndodhur me qytetet e tjera, ky transformim që ne i kemi dhënë Kukësit, për të kaluar në një fazë tjetër të zhvillimit urban, do të sjellë më shumë energji pozitive, më shumë ekonomi, më shumë biznes të vogël dhe padyshim, edhe më shumë njerëz drejt Kukësit ku ka jo pak gjëra për të parë e për të zbuluar rreth e rrotull. Sigurisht që do të pasohet nga ndërhyrje të tjera vitin e ardhshëm, jo vetëm këtu në qytet, por në gjithë bashkinë e re të Kukësit,” – u shpreh Kryeministri.
Punimet parashikojnë një shndërrim ideor dhe arkitektonik të plotë të sheshit “Skënderbej” në një sipërfaqeje prej 29 mijë m2, ku përfshihen asfaltimi dhe ndërtimi i trotuareve të rrugës “Eksod 99”, trajtimi i fasadave të pallateve dhe të godinave të institucioneve publike në anë të rrugës. Po ashtu e gjithë sipërfaqja do të jetë e shtuar në gjelbërim dhe në punimet që po kryhen parashikohet dhe ndriçimi i shëtitores dhe parkut rekreativ.
6 dhjetor (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Rikonstruksioni i sheshit të Kukësit, Rama: Transformimi sjell energji pozitive u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.