Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Aleks Shpori “fundos” prokurorin Haxhi Giu: Më kërkoi 29 mijë euro

$
0
0

Para një muaji iu sekuestrua kjo shumë: I dhashë ‘bakshish’ 200 euro, paratë i mblodha te familjarët. Provat e akuzës, eurot, pamjet në Exchange dhe letra për Llallën  

Sokol Çobo

Haxhi Giu
Haxhi Giu

SHIFRA

29.000 euro – I është sekuestruar Aleks Shporit disa javë më parë, gjatë një kontrolli të automjetit të tij. Ai tha se kjo shumë do të shkonte në “xhepat” e prokurorit Haxhi Giu, nëse do të ndihmonte vëllain e tij, Paulinin, i arrestuar për trafik narkotikësh

200 euro – Ka marrë nga i gjithë ky “pazar” prokurori Haxhi Giu, në formën e “bakshishit”, pasi nuk ka arritur që të ndihmojë Paulin Shporin që t’i lehtësonte akuzën nga shitje narkotikësh në moskallëzim krimi. Akuza thotë se nuk e ka sekuestruar këtë shumë

Vjet burg – Është dënuar Gjon (Paulin) Shpori me akuzën e shitjes së lëndëve narkotike. Prokurori Giu nuk arriti t’i zbuste akuzën, pasi Prokuroria e Përgjithshme ia rrëzoi kërkesën Giut, që kërkonte që Shpori të dënohej vetëm për moskallëzim krimi

HETIMET PASURORE

Prokuroria ende nuk ka vendosur nëse do të fillojë hetim pasuror për Haxhi Giun, i cili ka deklaruar ndër vite se ka dy apartamente, një vilë apo makina (por jo atë të luksit ku u arrestua). Deklaroi se ka fituar edhe 22.500 euro në ruletë, në një kazino

Prokurori Haxhi Giu është “gozhduar” nga kolegët e tij të Krimeve të Rënda, të cilët kanë mbledhur disa prova se kryehetuesi i dosjes “Hajdari” ka tentuar t’i marrë vëllait të një të arrestuari shumën prej 29 mijë eurosh, me qëllim lehtësimin e akuzave dhe lirimin nga burgu. Plani nuk i ka ecur si duhet, pasi Prokuroria e Përgjithshme nuk ka pranuar rikualifikimin e veprave penale për Paulin Shporin, i cili në fund është dënuar me 8 vjet burg. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për gazetën “Shqip” se në fashikullin hetimor është edhe dëshmia e Aleks Shporit, personit që ka bërë “pazarin” me prokurorin Giu, i cili thotë se “më kërkoi 29 mijë euro për t’i hequr akuzën e trafikut të narkotikëve Paulinit”. Të njëjtat burime pohojnë se këto para janë sekuestruar para një muaj Aleksit.

 

Dëshmia e Aleksit

Rreth një muaj më parë, prokuroria ishte vënë në ndjekje të Aleks Shporit, pasi kishte disa informacione se merrej me trafik narkotikësh, ashtu si edhe i vëllai, Paulini, në proces gjyqësor në Gjykatën e Krujës. Aleksit iu gjetën një sasi rreth 29 mijë euro në automjet. Agjentët e policisë e kanë pyetur për këtë shumë, ku e ka burimin apo ku do të shkonin. Aleksi iu është përgjigjur se “këto para do të shkonin për një prokuror. Ai quhet Haxhi Giu dhe punon në Krujë. Më premtoi se do të lironte vëllain tim të arrestuar, Paulinin. Bëri disa veprime, por në fund gjykata e dënoi me 8 vjet burg. Këto para ia mora mbrapsht”. Kaq ka mjaftuar që policia të vinte në “lojë” Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila prej pak muajsh heton edhe veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, mes të cilëve edhe prokurorët. Njësia antikorrupsion në këtë akuzë ka bërë disa veprime të tjera hetimore, teksa Aleksi është marrë disa herë në pyetje, derisa u arrestua edhe ai tri ditë më parë. Në këto dëshmi, ai ka thënë se paratë kanë qëndruar si garanci në një pikë Exchange në Tiranë. Nëse Paulini do të lirohej, atëherë kjo shumë do të shkonte në xhepat e prokurorit Giut. E kundërta ndodhi dhe paratë i ka marrë përsëri i zoti, Aleks Shpori, i cili dëshmoi se eurot i ka mbledhur te familjarët. Megjithatë, dëshmitari që tashmë është edhe i pandehur me akuzën e korrupsionit aktiv, ka treguar pikën e këmbimit valutor apo se i ka dhënë një “bakshish” prokurorit, prej 200 eurosh. Këtë shumë thotë se ia dorëzoi për mundimin, pasi nuk ishte faji i tij dënimi me 8 vjet burg. Akuza thotë se ka faktuar disa takime mes Shporit dhe Giut, para dhe pas dhënies së vendimit. Pas dhënies së vendimit, prokurori mbante qëndrim mohues në lidhje me këtë ryshfet, pasi dyshohet se ai kishte “nuhatur” një hetim ndaj tij. Akuza thotë se dhënia e parave (200 euro) dhe takimet e prokurorit me vëllain e të pandehurit konfirmohen nga pamjet e kamerave të sigurisë së Exchange.

 

Shkresa për Llallën

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar edhe fashikujt hetimorë të çështjes ndaj Paulin Shporit. “Rezulton që prokurori Haxhi Giu ka dërguar informacion në Prokurorinë e Përgjithshme për çështjen që kishte në gjykim me të pandehurit Isuf Rama, Alfred Balloku, Arjan Boka, Gjon (Paulin) Shpori, Bardhok Përndoj dhe Bledi Shyti, duke shprehur mendimin se të pandehurit Gjon (Paulin) Shpori, Arjan Boka dhe Bardhok Përndoj duheshin akuzuar për veprën penale të ‘moskallëzimit të krimit’ dhe jo atë të prodhimit dhe shitje të narkotikëve. Prokuroria e Përgjithshme në kthimin e përgjigjes së saj është shprehur që për këta persona duhej kërkuar fajësi sipas akuzave të ngritura gjatë fazës së hetimeve paraprake për trafik narkotikësh dhe përfundimisht çështja ka shkuar për gjykim me këtë akuzë”, thotë akuza qendrore. Ndërkohë, prokurorit Haxhi Giu pritet t’i komunikohet sot masa e sigurisë “arrest me Burg”. Mbi 55–vjeçarin është ngritur akuza e korrupsionit, pasi kishte marrë përsipër të zbuste akuzën për një person të arrestuar për trafik droge.

Ky shkrim Aleks Shpori “fundos” prokurorin Haxhi Giu: Më kërkoi 29 mijë euro u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>