Deklarata humor – Batuta për informalitetin dhe burgun
Kryeministri teksa po u jepte përgjigje akuzave të opozitës, do të dhuronte dhe një moment humori gjatë fjalës së tij. “Ju bëni sikur mbroni të varfrit dhe thoni po gjobat pse kaq të larta? Por gjobat nuk janë për të varfrit, janë për ata që shkelin ligjin. Pse burg? Po burgu për çfarë është bërë? Të rrijë bosh e t’ju presë juve kur t’ju vijë radha e të ketë drejtësi në Shqipëri”, tha ai.
Përparim Spahiu – Qeveria të reflektojë për akcizën e birrës
Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, i bëri një ftesë për reflektim qeverisë lidhur me rritjen e akcizës së birrës për prodhuesit vendas dhe shoqërimin e kësaj mase me uljen e akcizës për birrën e importit. “Kjo politikë, jo vetëm që na erdhi e papritur për mesazhin dekurajues që përçon te prodhuesi vendas, por edhe na shtoi më shumë habinë për mospërputhjen që kishte me objektivin e luftës antiinformalitet”, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha: Ky, buxhet i spastrimit etnik. E ke kthyer Kuvendin në hale
HERION MESI
Kuvendi i Shqipërisë ka degjeneruar sërish në një debat banal, ku fjalori i deputetëve nuk do të kishte asnjë dallim nga fjalori i rrugës. E ndërsa protagonist i seancës plenare të së enjtes do të ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u akuzua nga socialistët që i shau me “libër shtëpie”, radhën e protagonizmit në seancën e djeshme do ta kishte Kryeministri Edi Rama. “Qeshni e shqyeni gojën”, “Gjenerator i zjarrit në pantallona”, “Të shoh ty dhe më rritet respekti për pulat”, “Ikën për të dalë jashtë, për arsye moshe”, “E bëtë shtetit kashtë dhe koqe”, ishin disa prej shprehjeve të përdorura nga shefi i ekzekutivit gjatë prezantimit prej më shumë se dy orësh të projektbuxhetit të vitit 2016. Por deputetët e opozitës, pasi e dëgjuan për afro 1 orë e 40 minuta, do t’i soste durimi nga fjalët ofenduese në drejtim të tyre të Kryeministrit Edi Rama, që shkak i përdorimit të këtij fjalori do të ishte protesta që ata do të mbajnë më 8 dhjetor kundër qeverisë. Duke iu referuar protestës së thirrur nga opozita të martën e ardhshme, dhe artikulimit politik nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, për rrëzimin e qeverisë, kreu i mazhorancës do t’i përgjigjej për herë të parë, teksa shprehu bindjen se populli nuk do t’u drejtohet kutive të votimit para vitit 2017-s. “Zgjedhje të parakohshme s’ka për të pasur, për këtë të jeni të bindur. Pini lëngun revolucionit që nuk do të ndodhë. Ju s’keni lidhje me demokracinë, keni lidhje vetëm me anarkinë”, iu drejtua Rama, demokratëve në sallë. Nga vendi do t’i kthente përgjigje demokrati Edi Paloka, i cili pa mikrofon e akuzoi atë për persekutor të regjimit komunist. “Zjarri i revolucionit tuaj mund të ndizet vetëm në pantallona të lagura. Revolucioni është një përsiatje nën mesin e gjatësisë mesatare të atyre që përbëjnë opozitën. E keni kthyer shtetin në nevojtore, e keni bërë shtetin kashtë e koqe”, do të kundërpërgjigjej Rama. Dhe në mesin e batutave me kreun e grupit demokrat Edi Paloka, revolta e opozitës do të ndizej menjëherë sapo në sallën e seancave plenare mbërriti deputeti demokrat, Sali Berisha, i cili i kërkoi me ngulm kryeparlamentarit Meta t’i ndërpresë fjalën Ramës, pasi po e kthen Parlamentin në “hale”. “Ky zotëri po e shndërron Parlamentin në hale. Hiqja fjalën këtij. Mos e lër të flasë më e ta shndërrojë Parlamentin në hale”, tha Berisha nga vendi. Ndërkohë, teksa Berisha po kërkonte përfundimin e fjalimit nga Kryeministri, forcat e Gardës bllokuan foltoren e Kuvendit për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes deputetëve të opozitës kryesuar nga Flamur Noka dhe Kryeministrit Rama, të cilët iu drejtuan njëherësh. Pas kaosit që u krijua para foltores së Kuvendit, kryeparlamentari Meta vendosi që ta ndërpriste seancën me 5 minuta deri në qetësimin e tensioneve në sallë. Por edhe pas këtij pushimi, seanca do të rifillonte aty ku u mbyll, ku Kryeministri Edi Rama vijoi ironitë dhe ofendimet e tij për deputetët e opozitës. “Sa më shumë të gënjesh, aq më shumë i afrohesh zotit të shtëpisë, që është gjenerator i zjarrit në pantallona. Kjo ishte paraqitja. Meqë s’e kemi atë që bën publicitet për revolucionin, po e mbyll vetë, se duhet të vijë ai që të hidheni përpjetë ju, sesa ikën ai bie sikur përmbyteni … E mirëkuptoj edhe atë (për Berishën) që për arsye moshe duhet të ikë herë pas here, se i duhet të dalë jashtë”, tha Rama. Ndërkohë replika do të vinte nga kreu i ligjvënësve të PD-së, Edi Paloka, i cili i tërhoqi vëmendjen kryeparlamentarit Meta për lejimin e përdorimit të një fjalori të ulët nga ana e Kryeministrit në sallë. “Ju zoti kryetar i Kuvendit duhet t’i tërhiqni vëmendjen. Atë punën e gojës dhe zorrës nuk e ka për herë të parë sot dhe ne ia kemi thënë edhe herë tjetër, i vetmi që as gojën as zorrën nuk i përdor për atë që i ka dhënë Zoti është vetëm ai”, tha Paloka. Pas Palokës, kundërpërgjigjja ndaj ofendimeve të bëra nga Rama do të vinte edhe nga paraardhësi i tij Berisha, i cili paraqiti një foto të Kryeministrit aktual, Rama. “Ja ku e kam fotografinë. Në qoftë se ti thua se edhe atë ia kam stis, unë mund ta thuash. Ka qenë në inaugurim. I vetmi që nuk mund të flasë për pantallona të lagura është ai”, tha Berisha. Ndërsa ish-kryeministri e cilësoi buxhetin si një spastrim etnik, sa i përket mënyrës së shpërndarjes së fondeve, ku pjesa më e madhe e zonës së veriut, sipas tij, është lënë pa projekte. “Ky është buxheti i spastrimit etnik i Shqipërisë, i rrënimit, ka një diskriminim total i zonave të tëra. Nga Fushë-Kruja në Vermosh shihni sa pak fonde kanë në buxhet për investime”, tha ai.
Dokle shkruan poezi: Parlament të rëntë pika!
Kthimi i Kuvendit në një duel akuzash e kundërakuzash, fyerjesh e batutash, ka nxitur deputetin Namik Dokle të “thurë” një poezi për fjalorin e pisët që përdoret nga deputetët në sallë, duke e titulluar “Shkolla e sharjeve”. “Parlamenti ynë vazhdon avazin … Shaj … shaj … shaj … Shaj të gjallë e shaj të vdekur, shaj të rinj e shaj pleq, shaj nëna e baballarë, shaj bij dhe bija … shaj, vetëm shaj! Të vjen turp edhe të dëgjosh. Parlament, të rëntë pika / Të shkoi dita duke sharë / Po më shumë se helmi e thika / Vret një fjalë e palarë!”
Protesta e opozitës
Patozi: Edi Ramës “i djeg” që tani 8 dhjetori
Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ktheu përgjigje Kryeministrit Edi Rama për batutat që hodhi ndaj opozitës për “revolucionin e 8 dhjetorit”. Patozi tha se Rama po përgatit terrenin për të manipuluar pjesëmarrjen në këtë protestë. “Protesta e 8 dhjetorit është një kambanë për Kryeministrin Edi Rama, i cili që sot po përgatit terrenin për të manipuluar pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë protestë, për shkak të panikut që e ka zënë”, tha Patozi. Duke iu referuar personave që ndodhen në burg si pasojë e mungesës së kasës fiskale në dyqanet e tyre apo dhënies së kuponëve tatimorë, Patozi u shpreh se në tubimin masiv të së martës do të mungojnë shumë qytetarët. “Unë e di se do të na numërojnë, do të na bëjnë foto përpara se njerëzit të grumbullohen që të dukemi pak, por kjo nuk e ngushëllon dhe aq më pak e ndihmon një qeveri të rrëzuar. Aty do të mungojnë pafundësisht kundërshtarë të qeverisë”, tha ai.
Majko: Protesta u duhet biznesit ose ushtarakëve, por jo PD-së
Nga foltorja e Kuvendit teksa po diskutohej projektbuxheti për vitin 2016, deputeti socialist, Pandeli Majko, foli lidhur me protestën që demokratët kanë lajmëruar se do të mbahet më 8 dhjetor. Në këtë kuadër, Majko u shpreh se protesta u duhet atyre 300 biznesmenëve që dalin para Kryeministrisë dhe kërkojnë gjoba të ulëta, u duhet ish-ushtarakëve, por jo PD-së. “Keni thënë që më 8 dhjetor do të bëni revolucion. Protesta u duhet atyre 300 biznesmenëve që dalin para Kryeministrisë dhe kërkojnë gjoba më të ulëta. Ata i kuptoj dhe thellë-thellë mendoj se kanë të drejtë. Revolucion duhet për ish-ushtarakët, të cilët për shkak të një gabimi trashanik në llogaritje bërë nga ju, për mua i paligjshëm, atyre u duhet të lënë 1/3 e rrogës. Kam frikë se nga salla ku u bë vakia e Ramiz Alisë nuk mund të bëhet revolucion. Kam frikë se më shumë ju takojnë vargjet e Dritëroit të madh: Rrëmbeni darën shpejt o trima, hoqa gozhdën mbeti vrima”, tha Majko. Lidhur me projektbuxhetin, ish-kryeministri foli për ditë të vështira. “Po vijnë kohë të vështira, ndaj bëji mirë llogaritë dhe për këtë ke gjithë mbështetjen time”, iu drejtua Majko ministrit të Financave.
Tahiri: Në këtë sallë të vjen turp të rrish, duartroket opozita
Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë fjalës së tij u ndal gjerësisht te fjalori i turpshëm që përdoret në sallën e Kuvendit gjatë dy ditëve të fundit parlamentare. Edhe pse pritej të fokusohej te projektbuxheti, ministri Tahiri u shpreh se në këtë sallë, 48 orët e fundit “të vjen turp të rrish”. “Në 48 orët e fundit, ky Parlament ka dhënë intensivisht një shfaqje banale që mua më bën me shumë turp. Shumë prej nesh janë bërë me turp. Ne kemi një meritë të pashmangshme, që në këtë Parlament nuk rrinë më njerëz të ditur që vendosin për fatet e njerëzve. Seancat janë kthyer në të padenja të turpshme, për shkak të një grupi njerëzish që bëjnë me turp një grup njerëzish të ndershëm”, tha Tahiri. E ndërsa po bënte këto deklarata, ministri Tahiri do të ndërpritej dhe duartrokitej ironikisht nga deputetët e opozitës.
Ky shkrim Rama, PD-së: Pini lëngun revolucionit, nuk ka zgjedhje të parakohshme u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.