Formulë e re, gjyqtarët pa të drejtë rizgjedhjeje. I fundit, deri në vitin 2034
12 vite – Anëtarët e tre gjykatave kanë një mandat 12-vjeçar. Më parë ka qenë me një afat nëntëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Ata s’duhet të kenë qenë anëtarë partie
2034 – Dispozita kalimtare ka përcaktuar dhe mënyrën e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ky i fundit e mban mandatin deri në vitin 2034
3 anëtarë – Presidenti dhe Kuvendi kanë të drejtën e zgjedhjes së tre anëtarëve, por ai duhet të zgjedhë mbi bazën e propozimeve që bën Këshilli për Emërimet në Drejtësi
5 vjet – Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë Administrative zgjidhet për një periudhë pesëvjeçare pa të drejtë rizgjedhjeje, me votim të fshehtë dhe me shumicën absolute të anëtarëve
HERION MESI
Nëse anëtarët e gjykatave Kushtetuese dhe asaj të Lartë kishin mandat nëntëvjeçar, me ndryshimet e reja në ligjin themeltar të shtetit, ata do të qëndrojnë në këtë detyrë për 12 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Paketa e ndryshimeve kushtetuese ndryshon tërësisht formulën, duke mos ia lënë si ekskluzive të drejtën e përzgjedhjes së emrave nga ana e Presidentit të Republikës. Ngërçet e shumta institucionale, rrëzimet e pezullimet e dekreteve si pjesë e betejës së Presidentit dhe Kuvendit duket se do të marrin fund, duke ia ngushtuar disi të drejtat kreut të shtetit. Në dokumentin final të siguruar nga gazeta “Shqip”, i cili tashmë ndodhet në tryezën e ekspertëve të Komisionit të Venecias, propozohet aplikimi i një formule të re për gjykatat Kushtetuese dhe të Lartë, ndërsa shtohet dhe Gjykata e Lartë Administrative.
Mandati dhe përzgjedhja
Në Kushtetutën aktuale, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë qëndron në detyrë me një afat nëntëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, tani në paketën e re mandati i tyre shkon në 12 vite, por pa të drejtë rizgjedhjeje. Ndërsa anëtarët e Kushtetueses nuk do të kalojnë sipas skemës, Presidenti si propozues dhe Kuvendi që jep pëlqimin, por me një formulë të re. “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë, tre (3) prej të cilëve emërohen nga Presidenti, tre (3) anëtarë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre (3) anëtarë nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative.
Anëtarët që emërohen nga Presidenti dhe Kuvendi përzgjidhen nga lista e hartuar prej Këshillit për Emërimet në Drejtësi. Procedura e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese parashikohet në ligj. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 12 vjet, pa të drejtë riemërimi dhe përzgjidhen nga radhët e juristëve me të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë të së drejtës, nëpunës të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale, si dhe të mos jenë angazhuar në forumet drejtuese të partive politike. Kriteret e hollësishme për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese parashikohen në ligj”, thuhet në amendamentin përkatës që prek nenin 125 aktual. Ndërsa propozohet se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo katër vjet, në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj. Presidentit i është hequr dhe e drejta e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Propozimi i ri është që “kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën absolute të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për një periudhë katërvjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Procedura e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese parashikohet me ligj”. Ndërsa aktualisht parashikohet që kryetarin e dy gjykatave i zgjedh Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, tanimë kjo skemë ka rënë. “Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe kryetari i Gjykatës së Lartë Administrative zgjidhet për një periudhë pesëvjeçare pa të drejtë rizgjedhjeje, me votim të fshehtë dhe me shumicën absolute të anëtarëve. Procedura e zgjedhjes parashikohet në ligj. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën absolute të anëtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë katërvjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Procedura e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese parashikohet me ligj”, janë dy propozimet e reja. Ndërsa do të ngrihet një tjetër institucion i drejtësisë, që është Gjykata e Lartë Administrative. Anëtarët e këtyre dy gjykatave kanë mandat 12-vjeçar, emërohen nga Presidenti, por emrat e tyre propozohen Këshilli i Lartë Gjyqësor (sot, KLD).
Zëvendësimi
Si pjesë kalimtare është parashikuar dhe pjesë e zëvendësimit të anëtarëve në këto dy gjykata. “Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët që u mbaron mandati në vitin 2016 do të emërohen përkatësisht nga Presidenti e nga Kuvendi dhe do të qëndrojnë në detyrë deri në vitin 2026; anëtari i ri që do të zëvendësojë anëtarin që i mbaron mandati në vitin 2017, do të emërohet nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative dhe do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2026; anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët që u mbaron mandati në vitin 2019 do të emërohen përkatësisht nga Presidenti, nga Kuvendi dhe nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative dhe do të qëndrojnë në detyrë deri në vitin 2030; anëtari i ri që do të zëvendësojë anëtarin që i mbaron mandati në vitin 2020 do të emërohet nga Presidenti dhe do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2030; anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022 do të emërohen përkatësisht nga Kuvendi dhe nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, si dhe do të qëndrojnë në detyrë deri në vitin 2034”, thuhet në dispozitën kalimtare të nenit 179.
Ky shkrim Anëtarët e gjykatave me mandat 12-vjeçar, Nishani zgjedh tre anëtarë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.