Presidenti i Republikës Bujar, Nishani organizoi mbrëmjen e sotme pritjen zyrtare për festën e Pavarësisë së vendit ku ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë, politikës dhe diplomacisë.
Pasi vlerësoi kontributin e madh të burrave dhe grave që i dhuruan pavarësinë Shqipërisë, Nishani bëri një apel të hapur në drejtim të klasës politikë në Shqipëri, që sipas tij të jetë e bashkuar në kryerjen e detyrave për ta afruar sa më shumë vendin tonë me europën.
Duke ju referuar numrit të madh të shqiptarëve që janë larguar këtë vit në drejtim të vendeve të Europës, dhe veçanërisht Gjermanisë, në kërkim të azili Nishani tha: “Dikur kishte shumë shqiptarë, po nuk kishte shtet.
Nëse punojmë keq, pa përgjegjshmëri politike, pa ndjeshmëri nuk është çudi që pas ca kohësh të kemi shtetin, por mbi truallin tonë të kenë mbetur më pak shqiptarë. I ftoj shqiptarët të mos e braktisin Shqipërinë, pasi me përpjekje të përbashkëta mund ta kthejmë në një vend të zhvilluar.
Nishani tha më tej se reforma në drejtësi është një nga detyrat më të rëndësishme që duhet të ketë në axhendë klasa politike, në mënyrë që sipas tij të marrë fund koha kur padrejtësitë më të mëdha i bëjnë ata që pretendojnë se japin drejtësi.
“Për shkak të rrethanave specifike të momentin, Shqipëria gjendet në një fazë delikate ku mënyra se si do t’i bëjmë ballë sfidave që po na dalin do përcaktojë koordinatat e të ardhmes sonë. Çfarë na duhet të bëjmë në këto kushte, janë vërtetë punë të mëdha, por jo të pamundura. Duke respektuar pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e kompetencave mes tyre është mënyra për të arritur harmoninë. Të drejtojmë drejtësinë. Të marrë fund koha kur padrejtësitë më të mëdha i bëjnë ata që pretendojnë se japin drejtësi. Përmes dekriminalizimit, që duhet të nisë sa më shpejt, t’i japim fund strehimit në politikë të personave me rekorde kriminale. Ta bëjmë frytdhënës debatin politik, të përshpejtojmë aq sa të mundim afrimin tonë me Europën. T’i bëjmë këto jo me ngut, por në kohën dhe me mjete e duhura”, tha Presidenti.
28 nëntor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Nishani: T’i japim fund kohës së padrejtësive të mëdha u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.