Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në kuadër të vizitës së tij në Gjermani mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e ditëve të nëntorit shqiptar në Dyseldorf.
Në fjalën e mbajtur me rastin e hapjes së një ekspozite me punime nga artistët shqiptarë në ambientet e Parlamentit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, Ilir Meta tha se 103-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë e gjen vendin si anëtar i NATO-s dhe me statusin e vendit kandidat për në BE.
“Është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe privilegj për mua që të jem sot këtu në këtë ditë kaq të shënuar për shtetin tonë dhe kombin tonë, që të festojmë së bashku, jo vetëm për pavarësinë e Shqipërisë në këtë 103 vjetor të shtetit tonë, por edhe të angazhohemi të gjithë së bashku për të ardhmen evropiane të Shqipërisë këtu në zemrën e Gjermanisë që është zemra e Europës. 25 vjet më parë vendi më i izoluar i Europës sot është anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian”, – tha Meta, teksa foli edhe për reformat e rëndësishme që Shqipëria ka ndërmarrë kohët e fundit.
“Por fakti që ende të rinjtë largohen nga vendi ynë tregon që kemi shumë rrugë për të bërë ndaj edhe reformat që kemi ndërmarrë janë mjaft të rëndësishme për të kthyer akoma më shumë besimin tek qytetarët tanë sidomos të rinjtë për ta parë të ardhmen në vendin e tyre. Në këtë drejtim reforma në fushën e drejtësisë është kyçe për të forcuar shtetin e së drejtës, por edhe për të zhvilluar më tej një klimë më të mirë për biznesin dhe për nxitjen e investimeve të huaja, për të rritur cilësinë e qeverisjes dhe mbi të gjitha mirëqenien e qytetarëve tonë. Edhe në këtë reformë shumë të rëndësishme, Gjermania dhe ekspertët e saj po luajnë një rol mjaft të rëndësishëm ashtu si kurse në shumë reforma të tjera”, – theksoi Kryetari i Kuvendit.
Gjithashtu, Meta nënvizoi se Shqipëria e ka të domosdoshme të zhvillojë në mënyrë strategjike dhe afatgjatë burimet e saj ekonomike dhe natyrore, ndërsa shembulli i strategjisë së transformimit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut mund të jetë frymëzues dhe mjaft instruktiv.
“Vendi ynë ka të domosdoshme të zhvillojë në mënyrë strategjike dhe afatgjatë burimet e tij ekonomike dhe natyrore. Shembulli i strategjisë së transformimit të Landit tuaj është i jashtëzakonshëm, dhe jo vetëm frymëzues, por edhe mund të jetë mjaft instruktiv për ne. Shndërrimi juaj në një model të rivitalizimit të çdo vlere ekonomike nëpërmjet implementimit të teknologjive më të fundit, zhvillimit infrastrukturor dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore, është një model që ne duhet ta ndjekim në shndërrimin në vlera ekonomike për vendin dhe qytetarët tanë të gjithë trashëgimisë sonë ekonomike nga e shkuara. Dhe natyrisht që në këtë drejtim të rinjtë në vendin tonë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, në mënyrë që ata të mos e shohin të ardhmen drejt Gjermanisë, por ta shikojnë përmes formimit profesional edhe me ndihmën dhe mbështetjen e veçantë të Gjermanisë në vendin tonë”, – shtoi Kryetari i Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta tha se të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Gjermani përfaqësojnë një potencial të shkëlqyer për të ardhmen në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Sakaq, Meta falënderoi të gjithë organizatorët për angazhimin e tyre në aktivitetin që u zhvillua në ditën e pavarësisë të Shqipërisë.
28 nëntor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Meta në Gjermani: T’u kthejmë besimin të rinjve për të ardhmen u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.