Turi i Partisë Socialiste “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” është ndalur sot në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij me këtë rast kryeministri i vendit ka vlerësuar maksimalisht punën e kreut të ri të kësaj bashkie Armando Subashi si një njëri sipas tij me atësi mjaft të mira administrative që do të hapë një faqe të re për qytetin.
Duke bërë një panoramë të punës së bërë në dy vjet nga qeveria e tij, Rama ka theksuar se reformat e ndërmarra nga qeveria janë të domosdoshme, ato kërkojnë shumë pasion dhe shumë durim dhe nuk mund të bëhen sa hap e mbyll sytë, por qeveria sipas tij ka përcaktuar rrugën dhe ritmin e daljes nga gjendja ku ndodhej vendi dhe frytin e këtyre reformave shumë shpejt do ta ndiejnë të gjithë shqiptarët.
“Asnjë operacion nuk bëhet sa hap e mbyll sytë. Reformat janë operacione që kërkojnë pasion, durim dhe kohën e tyre. E vërteta është që në dy vjet ne kemi prodhuar një sërë rezultatesh të dukshme që janë më shumë sesa pikëmbërritja, janë stacione inkurajimi dhe karikimi për të vazhduar rrugën më tutje. Jemi larg nga mbërritja dhe nga përfundimi i kësaj faze historike reformash, por ka rezultate që qysh sot japin rezultate të drejtpërdrejta në jetën e njerëzve”, deklaroi Rama.
Zerimi i taksës për biznesin e vogël, me xhiron vjetore prej 50 mln lekë është një premtim i mbajtur i kësaj qeveria, sipas Ramës dhe do të pasohet me hapin tjetër, uljen e ndjeshme edhe për bizneset me xhiro deri në 80 mln.
“U zotuam që do hiqnim taksën e biznesit të vogël që paguante mbi tatimin mbi fitimin, e hoqëm që në buxhetin e parë, u zotuam që do të përgjysmojmë tatimin mbi fitimin që ishte 10 %, e çuam 7, 5%, duke synuar ta zbresim deri në 5%. Reforma në fushën ekonomike dhe financiare na dha mundësinë që ta zerojmë plotësisht këtë taksë për bizneset me me xhiro vjetore deri në 50 mln, duke krijuar kushtet që çdo familje e vetëpunësuat të mund të përfitojë për buxhetin e vet. Dhe nuk janë pak, bëhet fjalë për 83 mijë e 500 familje dhe njerëz të tjerë të punësuar në këto biznese që përfitojnë drejtpërdrejtë nga kjo reformë”, tha Rama.
21 nëntor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Rama: Reformat operacione që kërkojnë durim, gjetëm ritmin e daljes nga tuneli u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.