Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Meta dhe Rama mbledhin ministrat: Ulje taksash në bujqësi dhe turizëm

$
0
0

Buxheti i ri

Mblidhet njësia e koordinimit, Meta harron ndryshimet në qeveri: Përparësi ekonomia

Edi Rama meta ruciReformat ekonomike dhe buxheti i ri i shtetit ka mbledhur sërish dy liderët kryesorë të aleancës së majtë qeverisëse, Kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta. Të mbledhur sërish në vilën rezidenciale qeveritare numër 30, përballë Kryesisë së Kuvendit, Meta dhe Rama kanë pasur në takimin e tyre ministrat e Financave, Shkëlqim Cani, të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto. Në këtë takim, prezentë ishin dhe krerët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili. Ashtu si edhe në takimin e parë, nuk do të mungonte as sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Tashmë njësia e koordinimit të aleancës qeverisëse, që drejtohet nga Rama dhe Meta, duket se do të ketë në fokus mbledhjen e herëpashershme, ku në raportim do të jenë ministra të caktuar. Takimi nisi në orën 10:00 dhe ka zgjatur rreth 120 minuta dhe çështjet e diskutimit kanë qenë paraqitja e buxhetit të ri për vitin 2016, paketa fiskale, por edhe mbetja pezull e çështjes së dekriminalizimit, ku mazhoranca dhe opozita ende nuk po arrijnë në një konsensus, gjë që do të mundësonte miratimin e draftit. Njësia e koordinimit mblidhet përpara se qeveria shqiptare të realizojë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në mbyllje të takimit, Rama dhe Meta nuk kanë preferuar të flasin për mediat. Ata janë përshëndetur në dalje, duke hipur secili në makinën personale. Për median, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka bërë të ditur axhendën e bisedimeve ku, sipas tij, “u fol për zhvillimin ekonomik dhe u rakordua për politikat ekonomike, buxhetore e financiare, që aleanca do të ndërmarrë në vitin 2016 edhe në plan afatmesëm”. Sipas ministrit të Ekonomisë, koalicioni qeverisës ka arritur një dakordësi të plotë për projektbuxhetin. “Të gjitha propozimet janë të rakorduara dhe ka një qëndrim unik për atë që do të bëjmë për ekonominë bashkë me institucionet ndërkombëtare”, theksoi Ahmetaj. “U fol për të gjitha zhvillimet e ekonomisë dhe u rakordua për të gjitha politikat ekonomike, buxhetore financiare që aleanca do të marrë në vitin 2016 dhe afatmesëm. Të gjitha propozimet janë të rakorduara dhe kanë një qëndrim unik përballë asaj që do të bëmë me ekonominë dhe ndërkombëtarët. Nuk ka taksa më të rritura, patjetër që do të ketë të ulura, sidomos te bujqësia, turizmi”, tha Ahmetaj. Ky ishte takimi i dytë i njësisë së koordinimit të aleancës qeverisëse pas atij të 23 tetorit, kur u diskutua për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin.

Meta harron ndryshimet

Takimi i dytë mes Ramës dhe Metës, në prani dhe të ministrave e bashkëpunëtorëve të tjerë, duket se ka bindur aleatin e PS-së, kryetarin e LSI-së, të mos japë komente për ndryshimet në qeveri. Kjo është ndikuar siç duket edhe nga qëndrimet që ka mbajtur zëvendëspresidenti i së majtës në Parlamentin Europian, Gianni Pitella, i cili vlerësoi se “qeveria shqiptare po punon shumë mirë dhe se Shqipëria ka nevojë për të dy liderët, Rama dhe Meta”. Sakaq dhe vetë Kryeministri Rama, dy ditë më parë në emisionin “Top Story” hodhi poshtë mundësinë e asaj që ai e cilësoi si një rifreskim të qeverisë. Pas takimit me Ramën, kryeparlamentari pati një takim me aleatin tjetër qeveritar, Idrizin, por për mediat ai shmangu komentet për ndryshimet në qeveri, duke shtuar se vëmendja duhet të përqendrohet te buxheti i ri. Kreu i LSI-së tha se ministrat dhe dy aleatët bënë një ekspoze për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke shtuar se sapo të jetë bërë projekti do të nisin konsultimet me grupet e interesit.

“Unë mendoj se këto janë çështje që vijojnë të diskutohen. Edhe vetë buxheti ende nuk është paraqitur si një projekt i tillë për t’u parë. Pasi paraqitet projekti, ju e dini se fillojnë debatet, fillojnë diskutimet, dëgjohen grupet e interesit. Ne kemi dëgjuar një ekspoze të përfaqësuesve të qeverisë dhe kemi shkëmbyer disa mendime. Kështu që jemi në vijimësi të këtij procesi dhe me dëshirën që projektbuxheti sa më shpejt të paraqitet në Parlament, që të kenë kohë të gjitha komisionet parlamentare, por edhe grupet e interesit të shprehin mendimet e tyre. Patjetër që ka shqetësime dhe këto do t’i dëgjojmë përsëri edhe në mënyrë më të ristrukturuar. Do të përpiqemi të reflektojmë maksimalisht brenda mundësive e hapësirave dhe objektivave makroekonomike, pasi është domosdoshmëri të përmirësohet çdo vit klima ndaj biznesit dhe marrëdhëniet me të. Ashtu sikurse është domosdoshmëri që të vazhdojë formalizimi i ekonomisë, sepse është një burim i jashtëzakonshëm për rritjen e investimeve, për përmirësimet e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ndaj bizneseve”, tha Meta.

Ky shkrim Meta dhe Rama mbledhin ministrat: Ulje taksash në bujqësi dhe turizëm u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748