De Maiziere në Tiranë: Hoqëm ndihmat financiare për azilkërkuesit, nuk e di se nga vijnë shqiptarët. Tahiri: Daljet nga kufiri shqiptar, vetëm 0.6% më shumë se një vit më parë
Mariglen Mullai
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë erdhi dje në Tiranë për t’u thënë shqiptarëve se askush nuk do të fitojë azil në vendin e tij. Thomas de Maiziere theksoi dje, gjatë takimit me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Sajmir Tahiri, se Shqipëria është një vend i sigurt i origjinës, ka një sistem demokratik, ndaj nuk ka arsye pse të pretendohet që këtu ekziston përndjekje politike. Të dy ministrat iu përgjigjën interesit të gazetarëve, pas mbarimit të këtij takimi.
Ministri gjerman
De Maiziere theksoi se “bëhet fjalë për rreth 50 mijë azilkërkues që vijnë nga Shqipëria apo që vijnë me dokumente shqiptare identifikimi dhe që kanë aplikuar për statusin e azilantit në Gjermani”. Sipas tij, numri i tyre muajt e fundit mund të thuhet që ka rënë dhe shpesh shqiptarët vijnë në Gjermani duke qenë plotësisht të qartë për arsyet për të cilat ata kanë ardhur atje. Ministri shtoi se shqiptarët shprehen se e dinë të gjithë që nuk ia vlen të përmendet arsyeja e përndjekjes politike, por sepse ata janë aty për të kërkuar punë dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. “E sigurt është që të gjithë këtyre do t’u refuzohet aplikimi për azil”, siguroi ministri gjerman. Për disa rrethana, si ajo që në momentin e mbërritjes në Gjermani azilkërkuesit do të marrin mbështetje financiare, do t’u jepet punë, do t’u jepet shtëpi, ministri tha se “asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Jemi përpjekur kohët e fundit pra të reduktojmë të gjithë këta faktorë që nxisin shqiptarët në këtë lëvizje të tyre”. Më tej, në një prej fjalive kyçe përmendej ajo e shkurtimit të kohës për të marrë përgjigjen. “Të gjithë azilkërkuesit që vijnë nga Shqipëria do të priten fillimisht në strukturat e para të pritjes, në mënyrë të tillë që brenda tri javësh të merret vendimi i refuzimit për azilkërkimin e tyre”, tha De Maiziere. Sipas tij, ajo që do të përmbyllte këtë procedurë do të ishte rikthimi i këtyre shtetasve, qoftë ky vullnetar i tyre, qoftë ai me forcë, pra dëbimi prej vendit. Mesazhi i ministrit gjerman për shqiptarët që dëshirojnë të vijnë në Gjermani, ishte që të shfrytëzojnë për këtë qëllim rrugët legale, mundësitë legale. “Për këtë ekziston një bashkëpunim ndërmjet dy qeverive tona, ekziston bashkëpunimi me ambasadën gjermane në Tiranë, por kurrsesi nuk mund të ketë mundësi të statusit të azilantit për shtetasit shqiptarë në Gjermani”, tha ai. Për çështje të tjera, ministri theksoi se i konsideronte me respekt të gjitha arritjet dhe progreset e qeverisë shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar, në mënyrë të veçantë në sektorin e luftës kundër lëndëve narkotike. “Në javët në vijim do të vijë në Tiranë një ekspert i Zyrës Federale të Krimeve, i cili së bashku me kolegët e tij këtushëm, do të këshillohet e konsultohet se si mund të formësohet në mënyrë sa më profesionale dhe efektive të mundshme lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, siguroi De Maiziere.
Tahiri
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për çështjen e azilkërkuesve tha se daljet nga kufiri shqiptar prej pikave të kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë janë vetëm 0.6 për qind më shumë krahasuar me ato të një viti më parë. Sipas ministrit, pjesa më e madhe e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani janë shqiptarë prej kohësh rezidentë në Greqi. “E falënderova ministrin për masat që ka marrë qeveria e Gjermanisë për të zhdukur ato që kemi quajtur faktorë nxitës dhe fitues për shtetasit që kërkojnë azil në këto vende dhe këtu bëhet fjalë për klasifikimin e Shqipërisë në listën e vendeve me origjinë të sigurt dhe bëhet fjalë për ndreqjen e elementeve të tjera, si ndihma ekonomike dhe aftësia për punësim që do të dekurajonin kërkesat për azilkërkim nga shtetasit shqiptarë”, tha Tahiri. Më tej, ministri njoftoi se bisedoi me homologun edhe për problemin e refugjatëve dhe të emigracionit. “Ne ndajmë bindjen se kjo është një sfidë që shkon përtej kufijve të çdo vendi dhe se nuk lë jashtë asnjërin prej nesh”, tha ai.
Ky shkrim Ministri gjerman: S’ka azil për shqiptarët, përgjigjja për tri javë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.