Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Reforma në Drejtësi, ekspertët e Venecias zbarkojnë në Tiranë

$
0
0

Në datat 2 dhe 3 nëntor takime me PS-në dhe PD-në

ARTEMISA HOXHA
markert_venice_coe__int_27571700Ekspertë të Komisionit të Venecias pritet të mbërrijnë në Tiranë, në muajin nëntor, për të diskutuar mbi reformën në drejtësi, ndërsa dje Komisioni i specializuar i Këshillit të Europës në fushën e legjislacionit ka dëgjuar prezantimin e bërë të draftit të hartuar nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, draft i cili mbështetet dhe nga ana e mazhorancës. Lajmi i vizitës dhe konsultimit me ekspertët e Partisë Demokratike në lidhje me Reformën në drejtësi e ka bërë të ditur vetë sekretari i këtij komisioni, Thomas Markert, i cili në përgjigjen e kthyer deputetit demokrat dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, bën me dije se do të jenë në Tiranë më datat 2 dhe 3 nëntor, teksa diskutimi final do të jetë ai në muajin dhjetor, ku Komisioni i Venecias pritet që të dalë më konkluzionet e veta. Me sa duket, prania e ekspertëve ndërkombëtarë në vend, do të shërbejë edhe si një ogur i mirë për palët, të cilat deri më tani janë me dy drafte të ndara për ndërhyrjen në Kushtetutë për sa i përket sistemit të gjyqësorit apo dhe kompetencave të drejtuesve të institucioneve të pavarura në vend. Në një mbledhje të posaçme dje, e cila është kërkuar vetë nga kreu i komisionit ad hoc që është ngritur për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, Komisioni i Venecias ka dëgjuar projekt-amendamentet për ndërhyrjen e Shqipërisë që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë, me organizimin e sistemit gjyqësor në vend. Drafti është prezantuar nga konstitucionalisti Kristaq Traja, ku ka munguar kreu i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Fatmir Xhafaj. Dy ditë më parë, kryetari i këtij komisioni, përmes një letre njoftoi se nuk do të ishte i pranishëm në prezantimin e amendamenteve për të shmangur politizimin e çështjes, edhe pse mazhoranca është shprehur se e mbështet paketën e propozuar nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë. Në muajin dhjetor pritet që Komisioni i Venecias të japë vlerësimin përfundimtar mbi draftet e paraqitura për ndryshimet kushtetuese, proces që Parlamenti shqiptar synon ta realizojë si pjesë e reformës në drejtësi.
Letra
Në letrën drejtuar Halimit, në emër të Komisionit të Venecias dhe Presidentit të saj, Gianni Buquicchio, sekretari, Thomas Markert, shprehet se dialogu i drejtpërdrejtë është diçka e rëndësishme për këtë proces. Ndër të tjera, ai sqaron edhe faktin pse në tryezën e prezantimit të djeshëm nuk u ftuan edhe ekspertë të tjerë përveç atyre të grupit të nivelit të lartë. “Është e rëndësishme për ne të kemi një dialog të drejtpërdrejtë me ekspertë nga Partia Demokratike. Më datën 2 dhe 3 nëntor reporterë në Komisionin të Venecias do të vijnë në Tiranë, ku do të takohemi me kolegët tanë. Në takimin në Venecia në fund të kësaj jave nuk do të ketë diskutim substancial, por vetëm një prezantim të draftit në terma të përgjithshme. Ne, për këtë arsye nuk do të ftojmë pjesëmarrës shtesë nga Shqipëria për këtë seancë. Sesioni i rëndësishëm do të jetë seanca e dhjetorit të Komisionit të Venecias, kur do të diskutohet drafti dhe mendimi i Komisionit”, thuhet në letrën dërguar PD-së nga sekretari i Komisionit, Thomas Markert. Ndërkohë që edhe pse palët ranë dakord që komisioni i posaçëm parlamentar të merrte në shqyrtim edhe rekomandimet e hartuara dhe dorëzuara në Kuvend nga opozita, ka qenë vetë Komisioni i Venecias që ka vendosur që në mbledhjen e djeshme të prezantoheshin vetëm propozimet e ekspertëve të lartë, ndërsa ata të PD-së do të kenë mundësi që rekomandimet e tyre t’i shtrojnë në tryezë në fillim të muajit nëntor. Emërimet në gjyqësor, kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidentit të vendit, apo dhe vetë Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe funksionimit të Shkollës së Magjistraturës janë disa nga çështjet që ndajnë palët mes tyre.

Ky shkrim Reforma në Drejtësi, ekspertët e Venecias zbarkojnë në Tiranë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>