KQZ-ja merr vendim të hënën për mandatin e dorëzuar nga socialisti Ndoka
Negociatat – Mandati i Ndokës ka marrë vëmendjen e PS-së për deputetin pasues në këtë qark, e cila është në negociata për gjetjen e një zgjidhjeje për të mos lejuar futjen në Parlament të Eduard Ndocës apo Kastriot Pirolit
Dy gratë – Lënia e mandatit të deputetit nga dy kandidatet femra në listën për Qarkun e Lezhës, Merjeme Delishi, Mirela Neli, çka u konsiderua si manovër nga e majta, i hapi rrugë futjes në Parlament Arben Ndokës
Vakancat – Në rast se gjykata e shpall fajtor deputetin tjetër Armando Prenga, atëherë mazhorancës do t’i duhen dy emra për zëvendësimin e tyre, çka me shumë gjasë njëri do t’i përkasë LSI-së
HERION MESI
Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë vendim të hënën që mandati i deputetit Arben Ndoka t’i kalojë Ndrec Dedës, kryebashkiaku i Mirditës nuk do të pranojë t’i rikthehet Parlamentit.
Konfirmimi ka ardhur nga vetë Deda në një prononcim për gazetën “Shqip”, i cili ka hedhur poshtë mundësinë e pranimit të mandatit të deputetit të hënën, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të shqyrtuar vakancën e krijuar në përfaqësimin e socialistëve në Qarkun e Lezhës pas dorëheqjes së bërë një muaj më parë nga socialisti Arben Ndoka. I kontaktuar me telefon, kryetari i Bashkisë së Mirditës, i dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit të këtij viti, u shpreh se nuk do ta lërë postin e kryebashkiakut për të zgjedhur atë të deputetit. Madje, ai thekson për gazetën “Shqip” se populli e ka votuar atë si kryebashkiak dhe se ai është i vendosur për të vazhduar në këtë detyrë. Dhe në këtë pikëpamje, Ndoka u shpreh se të hënën do t’i drejtohet institucionit më të lartë zgjedhor në vend për t’i dorëzuar aktin e dorëheqjes së tij nga lista zyrtare shumemërore e kandidatëve të PS-së në Lezhë. “Unë kam paraqitur aktin e dorëheqjes nga lista e deputetëve për këtë çështje, por ajo do të bëhet publike vetëm të hënën nga KQZ-ja. Dhe do të vazhdoj të mbaj funksionin e kryetarit të bashkisë, pasi për këtë jam votuar më 21 qershor dhe për të përmbushur detyrimet për të cilat më kanë votuar”, tha Dedaj, duke rrëzuar zërat që e shihnin atë në karrigen e deputetit. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi dje, që mbledhjen e radhës do ta zhvillojë ditën e hënë në orën 09:00, ku në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje do të jetë shqyrtimi i projektvendimit “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste në Qarkun Lezhë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi”. KQZ-ja propozon që mandatin e deputetit t’ia kalojë Ndrec Dedës.
Zëvendësimi
Pas “manovrës” që Partia Socialiste bëri me mandatin e Mimi Kodhelit si deputete e Qarkut të Lezhës për ta zëvendësuar nga i treti në listën shumemërore, Arben Ndoka, duke shmangur dy kandidatet femra, Merjeme Delishin dhe Mirela Nelin, duket se e majta është duke gjetur një zgjidhje që do të sjellë në Kuvend një emër të pranueshëm për të. Pas dorëheqjes nga mandati të deputetit Arben Ndoka, PS-ja është gjendur në vështirësi për të kryer në mënyrë të menjëhershme zëvendësimin e tij me emrat që kanë mbetur në listën shumemërore për këtë qark, për shkak se në këtë listë janë Ndrec Deda, i cili aktualisht është duke ushtruar mandatin e të zgjedhurit si kryebashkiak i Mirditës, si dhe Eduard Ndocaj e Kastriot Piroli. Ndërsa në lojë pritet të jetë edhe mandati i Armando Prengës, i cili po gjykohet për ngjarjen e disa muajve në Laç për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Pakti PS-PDK
Nëse Dedaj nuk merr mandatin, atëherë mandati i deputetit i takon Eduard Ndocajt. Ai ka kaluar me PDK-në, parti që prej zgjedhjeve lokale është pjesë e koalicionit të majtë. Ndërsa mësohet se ngërçi për mandatin e Ndokës është zgjidhur dhe falë një takimi të mbajtur mes kryetarit të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, nënkryetarit të grupit, Taulant Balla, me kryedemokristianin Nard Ndoka dhe vetë Ndocajt. Mes tyre është rënë dakord që ky mandat t’i jepet Ndocajt, me kushtin që ai të votojë për mazhorancën. Ndërsa është pranuar që deputeti më i ri i Lezhës t’i bashkohet PDK-së. “Është e vërtetë që ka pasur një takim. Zoti Eduard Ndocaj është njëherësh nënkryetar i PDK-së, parti për të cilën ka bërë fushatë dhe ka mbështetur aktivitetet politike, edhe pse është regjistruar si deputet i PS-së. Ai do të përfaqësojë në Kuvend pikërisht elektoratin e PDK-së. Kemi pasur një takim me Ruçin, ku dhe kemi rënë dakord në lidhje me zbatimin e Kodit Zgjedhor, kështu që mandati i deputetit do t’i kalojë z. Ndocaj”, ka deklaruar për gazetën “Shqip”, kryedemokristiani Ndoka. Ndërsa pritet që brenda javës të realizohet procedura e zëvendësimit të mandateve.
Ky shkrim Dedaj: Nuk do të rikthehem në Kuvend, do të jem kryebashkiak i Mirditës u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.