Makina e Kryemadhit sulmohet me armë
Incidenti elektoral në një fshat të Shënkollit, kur deputetja e LSI-së, sapo kishte dalë nga shtëpia e një demokrati dhe udhëtonte bashkë me vajzën: Persona me precedentë qëlluan me armë në ajër nga makina e Aldo Bumçit
Fushata në Lezhë ka shpërthyer mbrëmë me një incident të rëndë, ku Monika Kryemadhi është kërcënuar me të shtëna armësh nga makina e deputetit Aldo Bumçi. Deputetja e LSI, e cila drejton fushatën elektorale për mazhorancën në Lezhë, ka denoncuar menjëherë agresorin në policinë lokale, që sipas saj është një person me precedentë penalë, i njohur si mbështetës i Partisë Demokratike. Ky incident i rëndë, i cili vjen pas një denoncimi që u bë gjatë ditës nga PD për dhunimin e një kandidati të kësaj force politike për Këshillin Bashkiak të Lezhës, duket se ka nxehur gjakrat në këtë zonë, ashtu siç ndodhi dy vite më parë në Kurbin gjatë zgjedhjeve qendrore, ku mbështetësit e LSI-së dhe truprojat e Kryemadhit u sulmuan nga persona të paidentifikuar, ndërkohë që ditën e zgjedhjeve u vra një komisioner i LSI-së dhe u plagos deputeti i PD (në atë kohë kandidat për deputet), Mhill Fufi.
Incidenti
Vetë deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka shpjeguar mbrëmë se incidenti i rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kooperativë në Rrilë të Komunës së Shënkollit në Lezhë. Sipas të dhënave, deputetja, e shoqëruar dhe nga anëtarë të stafit elektoral të kandidatit Viktor Tusha, ka qenë duke dalë nga shtëpia e një banori të këtij fshati, me inicialet T. GJ., i njohur si përkrahës i PD. Personi i identifikuar si Tonin Fizi (person me precedentë penalë) i shoqëruar nga disa kushërinj të tij dhe kandidati i PD-së Fran Frroku, në një makinë tip Opel me ngjyrë gri kanë qëlluar me armë zjarri në ajër pranë makinës, me të cilën po udhëtonte zonja Kryemadhi, anëtarë të shtabit elektoral dhe vajza e saj, Bora. Për fat nuk ka pasur të lënduar nga kjo ngjarje e rëndë.
Kryemadhi
Deputetja e LSI-së, menjëherë pas këtij incidenti ka deklaruar për mediat se ky nuk është incidenti i parë, ndërkohë që ka akuzuar drejtpërdrejt deputetin Aldo Bumçi për këtë çështje. “Më vjen shumë keq që dhimbja dhe dëshpërimi i Partisë Demokratike ka arritur në këtë banalitet të tmerrshëm. E them këtë se makinat e PD dhe deputetit Aldo Bumçi janë kthyer në magazina të armëve. Unë po udhëtoja me vajzën time kur nga makina e deputetit Bumçi është qëlluar me armë në ajër. Kur kjo ndodh me Aldo Bumçin, i cili është një njeri që reciton fjalët e Kishës, çfarë mund të thuhet për deputetët e tjerë. Ky incident nuk është i pari në Lezhë, pasi ato kanë nisur dy net më parë. Fillimisht makina me armë na kanë ndjekur në Zejmen. Kanë qenë tri makina pa targa dhe me armë. Madje, qëkur dal nga dera e shtëpisë më presin 20 makina, që janë të mbushura me djemtë e dajës së kandidatit të Lezhës, me mbështetës të PD, të cilët transportojnë armë dhe kërcënojnë banorët. Ata po kërcënojnë njerëzit me bukën e gojës. Dy net më parë kanë kërcënuar disa familje dhe një prej tyre ka kërkuar të dijë se kush i kërcënon. Nga makina ka zbritur Aldo Bumçi me një kamera dhe nga dera e pasagjerit një person i armatosur. Prandaj i bëj thirrje PD-së të tërhiqet nga këto presione, pasi votuesit nuk të votojnë më me kërcënime. Banorët e Lezhës janë njerëz të vuajtur, që punojnë për bukën e gojës, kështu që të lihen të qetë për të votuar të dielën”, tha Kryemadhi.
Shtabi i Tushajt
Me këtë rast, shtabi elektoral i kandidatit Viktor Tusha dhe deputetja e zonës Monika Kryemadhi u bënë thirrje qytetarëve dhe banorëve të Lezhës që të ruajnë qetësinë dhe i sigurojnë ata se procesi i 21 qershorit do të jetë pasqyrë e pastër e votës së tyre. Kryemadhi i kërkoi dhe njëherë deputetit të PD, Aldo Bumçi të distancohet nga personat e inkriminuar që udhëtojnë me makinën e tij dhe mbajnë aty armë pa leje, duke terrorizuar jo vetëm banorët e zonës, por dhe duke ushtruar presion te votuesit për blerjen e votave për kandidatin Fran Frrokaj. “Me depozitimin e kallëzimit për këtë ngjarje të rëndë në Drejtorinë e Policisë në Lezhe, shtabi elektoral i Viktor Tushajt dhe deputetja e zonës u kërkojnë forcave të rendit që të ushtrojnë kontroll të rreptë për të siguruar qetësinë e banorëve dhe sigurinë për ditën e zgjedhjeve. Ata kërkojnë që të hetohet çdo makinë me targa të dyshimta, apo pa targa (siç është rasti i makinave, me të cilat qarkullojnë kandidati demokrat dhe shoqëruesit e tij) dhe të kontrollohet çdo mjet i dyshuar për mbajtje të armëve pa leje. Edhe njëherë shtabi elektoral i kandidatit Viktor Tushaj i kërkon kandidatit të PD të tërheqë bandat që ka lëshuar në rrugët e Lezhës dhe fshatrat përreth, pasi do ta ketë të pamundur jo vetëm të trembë banorët dhe qytetarët me anë të dhunës, por dhe kaq të pamundur do ta ketë të shkëmbejë para me votën e lezhjanëve”, thuhet në reagimin e shtabit elektoral të Tushajt.
Incidenti me PD
Incidenti i mbrëmshëm erdhi pas denoncimit të një tjetër incidenti që u denoncua nga deputeti Aldo Bumçi paraditen e djeshme. Një 60-vjeçar që kandidon për anëtar i këshillit bashkiak për PD-në në Lezhë ka denoncuar dhunën e ushtruar nga disa persona të panjohur në Lezhë. Mësohet se Rauf Selimi ka rrëfyer në polici se ishin katër persona që e goditën, i morën letrat që kishte në dorë dhe më pas e kërcënuan që të mos angazhohet në politikë. Incidentin e dënuan ashpër edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Lezhë. Burime nga Komisariati i Lezhës bënë të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Reagimi
Bumçi: Hedh poshtë me neveri akuzat e LSI
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka hedhur poshtë akuzat e bëra publike nga kolegia e LSI-së, Monika Kryemadhi, duke pretenduar se kjo ngjarje po përdoret si alibi për terror në Lezhë. Gjatë një reagimi për këtë ngjarje, që sipas tij ende nuk është konfirmuar nga policia, ai deklaroi se të gjitha akuzat e bëra ndaj tij dhe shumë të tjera i shkojnë përshtat LSI-së dhe shtabit të kandidatit Viktor Tushaj. “Të gjithë e dinë se LSI është e humbur në Lezhë dhe deputetët e mazhorancës po ndërtojnë skenarë për të terrorizuar votuesit. I kemi kërkuar policisë të konfirmojë një ngjarje të tillë dhe nuk kanë konfirmuar të kishin dijeni për një ngjarje të tillë. Si mund të flasë Kryeministri, pa e konfirmuar policia? Të dhënat tona flasin për një aksion masiv për shpërndarje lekësh nga LSI. Të gjithë e dinë se me makina me të fortë dhe armë lëvizin mbështetësit e LSI-së dhe jo të PD-së, pasi e njohin Aldo Bumçin. Unë hedh poshtë me neveri këto shpifje të ndyra”, tha deputeti i opozitës.
Reagimi
Kryeministri: Historia më skandaloze në këtë fushatë
Kryeministri Rama, i cili në kohën e incidentit në Lezhë, po jepte intervistë në “Top Story” deklaroi se Kryemadhi e kishte njoftuar se ishte qëlluar me armë nga makina e deputetit të PD, Aldo Bumçi. Gazetari Sokol Balla e pyeti Kryeministrin nëse kishte ndonjë informacion për incidentin e ndodhur në Lezhë dhe ai e ka konfirmuar, duke shpjeguar se çfarë kishte ndodhur sipas bisedës që ka pasur me deputeten Kryemadhi. “E vërtetë është. Unë fola me Monikën. Ajo ka qenë në një familje demokratësh, ka kaluar rreth një orë e gjysmë me atë familje. Ka komunikuar me të gjithë pjesëtarët e familjes siç më tha, ka marrë mbështetje prej tyre. Di që ka dalë që atje, ka pasur dhe vajzën e madhe në makinë. Takimi ka qenë në një fshat, rrugës ka dalë makina e deputetit Aldo Bumçi, prej së cilës kanë dalë njerëz të cilët kanë qëlluar me armë në ajër, sipas tregimit të Monikës. Kjo është historia dhe është skandaloze që në makinën e deputetit mbahen armë dhe njerëz të armatosur. Kjo është skandaloze”, tha Rama.
Ky shkrim Deputetja Kryemadhi sulmohet me armë u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.